Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka forcuar qëndrimin e vendit për mbrojtjen e integritetit territorial, duke deklaruar se edhe në Rezolutën 1244, tek e cila mbështetet shumë fort Serbia, njihet integriteti territorial i Kosovës. Kryeministri shtoi se Veriu i Kosovës nuk do të ketë as autonomi speciale, as autonomi, as status special. Thaçi shprehu sërish gatishmërinë të takohet me serbët e Veriut të Kosovës dhe të bisedojnë për gjendjen aktuale dhe për të ardhmen. Ai pohoi se ka pasur takime me disa qytetarë të Veriut të Kosovës dhe se ata nuk duan barrikada, izolim dhe kriminalitet, por rend, qetësi, sundim të ligjit dhe liri lëvizjeje. Duke folur për një grup gazetarësh serbë që vizituan dje Kosovën, Thaçi tha se Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara e njeh integritetin territorial të Kosovës në përputhje me standardet europiane, prandaj e mbështet. Thaçi ka refuzuar të saktësojë nëse është i pranueshëm formulimi i Rezolutës 1244 në emërtimin për përfaqësimin e Kosovës në forumet rajonale. Por, shtoi se “është i pranueshëm cilido formulim që ruan sovranitetin e Kosovës”, citohet ai nga mediat serbe. Thaçi pohoi se dialogu ndërmjet Beogradit e Prishtinës do të vazhdojë dhe se Prishtina është angazhuar për këtë dhe ka shtuar se marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufijve është e mirë. “Tani pres që të zbatohen marrëveshjet e arritura. Ne kemi shfaqur gatishmërinë që të vazhdojmë dialogun dhe jemi të bindur se do të arrihet marrëveshja mbi përfaqësimin rajonal të Kosovës”, tha Kryeministri kosovar. Takimi tjetër mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel pritet të mbahet në vitin 2012, pasi për këtë muaj duket se nuk është planifikuar asgjë.











