Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar gjatë një interviste për “Zërin e Amerikës” se viti 2012 do të shënojë përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur dhe se në janar pritet vendimi për këtë çështje. Thaçi theksoi se ky vendim varet nga zbatimi i plotë i planit të Marti Ahtisarit. “Kosova vitin 2011 e filloi me vështirësi dhe sfida jo të lehta, por e përmbylli me një sukses të plotë. Sot Kosova është vend i konsoliduar, po fuqizohet çdo ditë, kemi fituar njohje nga 85 shtete, jemi anëtarësuar në Bankën Botërore dhe FMN, përmbyllja e këtij vitit solli edhe axhendën konkrete, europiane, unike për Republikën e Kosovës, dialogun për liberalizimin e vizave, marrëdhënieve kontraktuale dhe tregtare me BE-në dhe anëtarësimin e shpejtë në Bankën për Zhvillim dhe Rindërtim. Pra, viti 2011 ishte viti i konsolidimit të shtetit, ishte viti i Kosovës europiane”, deklaroi Thaçi.











