PRISHTINË- Kryeministri Hashim Thaçi pretendon se ka forcë të mjaftueshme sa për ta ndaluar futjen në Kosovë të karvanit rus me “ndihmat humanitare”, i cili prej dy ditësh ka mbetur i bllokuar në kufirin me Serbinë, për shkak të refuzimit për t’i respektuar rregullat e kontrollit të përcaktuara nga EULEX-i. Zhbllokimi i tij, sipas Thaçit do të ndodhë vetëm atëherë kur rusët do ta kuptojnë se në Kosovë duhet të sillen konform rregullave të këtij shteti. E ka klasifikuar si politik çështjen e “ndihmave ruse” për veriun e banuar me serbë.
Shefi i Qeverisë ka përsëritur gatishmërinë për t’u takuar me qytetarët serbë të veriut, por nuk e ka mohuar se aktualisht në atë pjesë të shtetit nuk ka përfaqësues të zgjedhur. Megjithatë, ai e ka hedhur poshtë çdo mundësi që të bisedojë me strukturat ilegale e kriminale serbe që e dirigjojnë veriun e vendit, pasi, sipas tij, ata herët a vonë do të përballen me drejtësinë vendëse. Ai nuk ka treguar se pse mekanizmat shtetërorë nuk e kanë arrestuar Zvonko Veselinoviqin, njeriun që përfaqësues të lartë ndërkombëtarë e kanë pandehur për kapo të krimit. Pavarësisht nga gjendja në këtë pjesë, Thaçi ka thënë se banorëve të veriut nuk do t’u ofrohet as më shumë e as më pak se që e lejojnë Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës.
I pari i ekzekutivit është krenuar që Kosova për herë të parë në historinë e saj ka arritur ta fitojë ofertën e BE-së për hapje të dialogut për liberalizim të vizave. Dhe, ka qenë kundërthënës kur ka argumentuar se pse tani ka ardhur kjo nga BE-ja. Fillimisht ka theksuar se hapjen e dialogut për liberalizim vizash Kosova e ka merituar prej kohësh, e më vonë ka thënë se kjo është prodhim i dialogut teknik me Serbinë.
Në intervistën për “Kohën Ditore”, kryeministri Thaçi e ironizon Kuvendin për vonesë në ngritjen e mocionit për vendosje të masave të reciprocitet. Ka folur për aplikim reciprociteti prej muajsh, ndërsa ka lënë pa përgjigje mungesën e një mase të tillë për targat.
Në këtë intervistë Thaçi ka folur për marrëveshjen për IBM-në, ka dhënë detaje për vendosjen e simboleve në kufi me Serbinë dhe ka treguar se si Kosova vetëm do t’i përgjigjet Serbisë në veprimet që mund të bëjë në pikëkalime kufitare. Ai ka folur edhe për rreziqet që mund t’i kanosen Kosovës në procesin e integrimit, nëse Serbia anëtarësohet më herët në BE.
© Panorama.al











