Thaçi: Dhunë kishte, e shkaktoi ‘Vetëvendosje’

Jan 16, 2012 | 20:12

PRISHTINE- Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka pranuar se ka pasur dhunë në protestën e së shtunës, por sipas tij, kjo është shkaktuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Nëpërmjet një deklarate për shtyp, Thaçi ka pohuar se, nëse ndonjë polic ka tejkaluar autorizimet dhe ka shkelur ligjin, me të duhet të merret Inspektorati i Policisë.

“Kosova është shtet demokratik dhe e ritheksoj se e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore është një e drejtë e garantuar me Kushtetutë. Kjo e drejtë nuk do të cenohet nga askush asnjëherë. Por, unë me vendosmëri e ritheksoj se askush nuk ka të drejtë që ta keqpërdor të drejtën e protestës për të venë në rrezik funksionimin normal të institucioneve legjitime të shtetit tonë”, thuhet në deklaratën për shtyp të Kryeministrit Thaçi.

Sipas Thaçit, Policia e Kosovës ka përdorur mjetet e lejuara sipas ligjit dhe standardeve më demokratike për shpërndarjen e protestuesve dhe zhbllokimin e rrugëve, ndërsa ka shtuar se, Policia dhe Inspektorati Policor do të bëjnë analizën e detajuar lidhur me këtë protestë dhe do japin sqarime profesionale.

Në deklaratën e tij, Thaçi ka falënderuar protestuesit dhe qytetarët të cilët nuk lejuan që situata të përshkallëzohej më tej.

© Panorama.al

Te lidhura