Tevez përgënjeshtron Roberto Mançinin

Sep 29, 2011 | 10:10
Tevez në pankinë dhe Mançini

Pothuajse i gjithë shtypi sportiv anglez është hapur me një fjalë të vetme mëngjesin e së mërkurës: “Finished” (mbaroi). Mes Roberto Mançinit dhe Karlos Tevezit nuk ka më kthim pas. Ish-kapiteni i përkëdhelur i sheikëve e ka mbushur kupën dhe si rrallëherë në Mançester, të gjithëve u ka ardhur keq për figurën e Mançinit, të cilën Karlito e injoroi pa mëshirë përpara syve të publikut. E megjithatë sulmuesi argjentinas, që refuzoi të luante në 30 minutat e fundit përballë Bajernit, e ka përgënjeshtruar teknikun e tij: “Do të doja t’u kërkoja ndjesë të gjithë tifozëve të Mançester Sitit, me të cilët kam pasur një marrëdhënie të shkëlqyer, për çdo keqkuptim që mund të ketë ndodhur në Mynih. Ata e dinë shumë mirë se sa herë kam zbritur në fushë, kam dhënë gjithnjë më të mirën. Në ‘Allianc-Arena’ unë bëra nxemjen dhe isha gati të luaja. Tani nuk është koha e duhur për të hyrë në detaje specifike se përse ndodhi e gjithë kjo. Por unë dua të theksoj se nuk kam refuzuar kurrë të luaj. Pati konfuzion në stol dhe mendoj se pozicioni im është keqkuptuar”. Makina e 27-vjeçarit është shoqëruar nga policia e Mançesterit gjatë kthimit nga aeroporti (për shkak të frikës nga një reagim i mundshëm i tifozëve). E gjithë kjo situatë nuk e stepi aspak futbollistin të argëtohej duke luajtur golf bashkë me gruan e tij, Vanesën. Pas ndeshjes, Mançini deklaroi i zemëruar se rrugët e tij me futbollistin në këtë skuadër ndaheshin aty dhe se ai nuk e donte më te “qytetarët”. Si masë e parë pritet një gjobë prej 500 mijë eurosh (rroga dyjavore e lojtarit për thyerje disipline), ndërsa trajneri italian do të kërkojë një takim kokë më kokë me presidentin Al-Mubarak për të zgjidhur njëherë e mirë të ardhmen e Tevezit. Me shumë mundësi, golashënuesi më i mirë i Premier Ligës në sezonin e fundit nuk do të jetë më një milioner që prej janarit. Madje, klubi ka konfirmuar dje se Tevez është përjashtuar për dy javë dhe ka nisur menjëherë hetimin mbi incidentin.

© Panorama.al

Te lidhura