
Tirana humbet me Teutën në stadiumin “Qemal Stafa”, pas një loje të shthurur, pa fantazi dhe me shumë gabime. Ndërsa Kastrioti u tregon “dhëmbët” debutuesve nga Pogradeci, duke shënuar katër gola.Nuk kishte sesi të niste më ters sezoni i ri për Tiranën. Pas shumë problemesh me licencimin e klubit dhe me shumë afrime dhe largime të orës së fundit në merkato , vjen edhe humbja që në ndeshjen e parë, dhe pikërisht në shtëpi, nga Teuta e Durrësit. “Djemtë e detit” nuk bënë asgjë më shumë, sesa luajtën thjesht dhe shfrytëzuan në maksimum të gjithë topat që çuan te zona e Ilion Likës. Goli, që vendosi ndeshjen, u realizua nga Markoviç që në minutën e 14-të të pjesës së parë, pas një gabimi të Dabullës në qendër të mbrojtjes bardheblu. Në minutat në vazhdim, trajneri Rubio u mundua që të ndryshonte diçka në lojën e Tiranës, por as të bërtiturat nga pankina dhe as zëvendësimet e bëra në pjesën e dytë nuk ndryshuan asgjë në rezultat. Vlen të përmenden dy raste mjaft të mira, por të shpërdoruara nga mbrojtësi Dushku, ndërsa la shumë për të dëshiruar loja e Balës, Ahmatajt dhe e dy të huajve, Heples dhe Arita. Madje, ky i fundit, i ardhur vetëm para 6 ditësh në Shqipëri, ishte totalisht jashtë forme. Por, atë që nuk bëri dot Tirana në fushën e vet, e realizoi Kastrioti në Krujë, përballë Pogradecit. Katër gola, njëri më i bukur se tjetri, treguan se krutanët me merkaton e bërë gjatë kësaj vere do të pretendojmë shumë më shumë sesa qëndrimi në Superiore, objektiv të cilin e kanë pasur historikisht që kur kanë milituar në këtë kategori. Vlen të theksohet loja e kongolezo-francezit, Brus Inkango, i cili sigloi një dopietë. Kujtojmë se javën e ardhshme kjo skuadër do të presë pikërisht Tiranën në stadiumin e vet dhe, duke parë rezultatet e arritura, pritet një ndeshje me shumë interes. Nga njëra anë, Tirana do kërkojë kthesën në rezultate, ndërsa Kastrioti, vazhdimësinë.
Lutaj: Nuk mendojmë titullin
Trajneri i Flamurtarit, Edmond Lutaj, është shprehur se me një fitore nuk mund të pretendosh për titull. “Fitorja ndaj Kamzës ishte një nisje mjaft e mirë. Megjithatë, me një ndeshje nuk mund të pretendosh titullin, ndaj për momentin ky nuk është synimi ynë kryesor. Ja pse u kërkoj lojtarëve të përqendrohen te grumbullimi i sa më shumë pikëve dhe ta heqin nga mendja për momentin fjalën ‘titull’”. Duke vazhduar më tej, Lutaj u ndal te sulmuesit, duke pohuar se është i kënaqur edhe pse nuk shënuan.
Skenderbeu/ Duro ul në stol tre titullarë
Ndeshja zhgënjyese e bardhekuqve, në takimin e parë të sezonit të ri, ka krijuar një gjendje jo të mirë në kampin korçar, ndaj që nga takimi i radhës kërkohet kthesa. Por, duket se trajneri i Skënderbeut, Shpëtim Duro, është bindur tërësisht për disa lojtarë titullarë në këtë ekip, të cilët nuk po japin atë që duhet, gjë që krijon jo pak probleme për grupin. Në këto kushte, Duro e ka bërë të qartë se, duke filluar nga e hëna në grup do të nisë rotacioni. “Janë 3 a 4 lojtarë në grup, të cilët nuk po japin maksimumin, prandaj do të vendosim për një rotacion në ekip. Kur të lë një lojtar në stol, do të jem i bindur unë, por dhe vetë lojtari për gjendjen që ka. Për mua të gjithë janë të barabartë, nga lojtari i parë deri tek i fundit. Nëse një lojtar formacioni do të ulet në stol, duhet të justifikojë veten për ta rifituar sërish vendin”, ka pohuar Duro.
Superiore/ Java 1
Të shtunën
Bylis-Shkumbini 5-2
Vllaznia-Laçi 3-1
Skënderbeu-Tomori 0-0
Të dielën
Apolonia-Dinamo 2-0
Flamurtari-Kamza 2-1
DJE
Kastrioti–Pogradeci 4-0
Inkango 23’, 64’, Turdiu 32’ (p), Muçollari 63’
Tirana–Teuta 0-1
Markoviç 14’
Renditja
Nr. Ekipi ND F B H P
1. Kastrioti 1 1 0 0 3
2. Bylis 1 1 0 0 3
3. Vllaznia 1 1 0 0 3
4. Apolonia 1 1 0 0 3
5. Flamurtari 1 1 0 0 3
6. Teuta 1 1 0 0 3
7. Skënderbeu 1 0 1 0 1 8. Tomori 1 0 1 0 1
9. Kamza 1 0 0 1 0
10. Tirana 1 0 0 1 0
11. Dinamo 1 0 0 1 0
12. Laçi 1 0 0 1 0
13. Shkumbini 1 0 0 1 0
14. Pogradeci 1 0 0 1 0
LEONARD KARAJ
© Panorama.al











