SHKUP- Partitë politike shqiptare të opozitës kanë kritikuar vizitën e pa paralajmëruar të presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, në Tetovë.
Partitë opozitare nuk kanë dashur të japin qëndrimet zyrtare, por jane shprehur të irrituara nga veprimi i tillë i presidentes që vjen në një vizitë pa protokolle, pa paralajmërime dhe në mënyrë private në Maqedoni.
“Ju lutem s`kemi ç’të diskutojmë, kjo është skandaloze, se si një presidente e një vendi vjen në këtë mënyrë fshehurazi dhe takohet me krerë të një parti, ku bëhet bujë mediale për atë parti në këtë fushatë zgjedhjesh. Kjo është e papranueshme dhe presidentja e Kosovës duhet të dal publikisht të sqarojë vizitën”, theksoi një zyrtar i lartë i një partie opozitare në Shkup.
Nga ana tjetër, vizita u shfrytëzua nga partia shqiptare deri tani në pushtet BDI, ku zyrtarët e saj pritën presidenten Jahjaga në një nga kafenetë e Tetovës.
Nga presidenca e Maqedonisë theksojnë se nuk ka pasur asnjë protokoll për të takuar ministren kosovare dhe nuk dëshirojnë që të komentojnë qëndrimin e saj në Maqedoni. Nga BDI nuk jepin hollësi lidhur me takimin, që sipas tyre ka qenë thjesht jozyrtar dhe pa ndonjë agjendë të veçantë për tu bërë e ditur për mediat.
Presidenca e Kosovës bëri të ditur se vizita e Jahjagës ka qenë private. Jahjaga dje ka mbërritur në Tetovë vetëm pak orë pasi që kishte zhvillur takime në Prishtinë me presidentin e KE-së, Hose Manuel Baroso. (INA)
© Panorama.al











