Tërmeti në Venezuelë, shpëtohet i gjallë pas 106 orësh nën rrënoja 21-vjeçari! Numri i viktimave arrin në 1450

Jun 29, 2026 | 17:29

Një 21-vjeçar është nxjerrë i gjallë nga rrënojat në La Guaira, në Venezuelë, falë një operacioni të përbashkët të ekipeve të shpëtimit nga Venezuela, Meksika dhe El Salvadori. Lajmin e bëri të ditur presidenti i El Salvadorit, Nayib Bukele.

6a4270824f29f

Aaron Levi Cantillo Vargas u gjet i gjallë nën rrënojat në qytetin Caraballeda. Sipas Bukeles, operacioni i shpëtimit ishte jashtëzakonisht i vështirë, pasi mes ekipit të shpëtimit dhe të riut ndodhej trupi i pajetë i një personi, gjë që komplikoi ndërhyrjen.

21-vjeçari po merr tashmë trajtim të specializuar mjekësor. Presidenti Bukele deklaroi se ekipet e shpëtimit do të vazhdojnë operacionet “me shpresën për të shpëtuar edhe jetë të tjera”.

Presidentja në detyrë e Venezuelës, Delcy Rodríguez, bëri të ditur se operacioni i shpëtimit zgjati 43 orë, ndërsa i riu kishte qëndruar i bllokuar nën rrënoja për plot 106 orë.

Ndërkohë, të hënën, pak pas orës 07:00 sipas kohës lokale, Venezuela u godit nga një pasgoditje e fortë me magnitudë 5.1.

Sipas të dhënave të Shërbimit Gjeologjik të Kolumbisë, tërmeti, një nga pasgoditjet më të fuqishme pas lëkundjes shkatërrimtare të 24 qershorit, kishte epiqendrën pranë La Guaira, shteti më i goditur nga tragjedia e pesë ditëve më parë.

Lëkundja u ndje qartë edhe në Macuto, po në La Guaira, pikërisht në momentin kur zjarrfikësit po zhvillonin operacionet e kërkim-shpëtimit në një ndërtesë ku po kërkohej një grua e mbetur nën rrënoja së bashku me dy nga tre fëmijët e saj.

Fatmirësisht, nuk u raportuan të lënduar nga pasgoditja, ndërsa ekipet e kërkimit u detyruan të ndërprisnin përkohësisht operacionet dhe të largoheshin nga ndërtesa për arsye sigurie.

Me kalimin e orëve, shpresat për të gjetur të mbijetuar nën rrënojat e tërmetit po zbehen gjithnjë e më shumë.

Vetëm në kryeqytetin Caracas janë shembur plotësisht ose pjesërisht mbi 700 ndërtesa, ndërsa në të gjithë zonën e prekur nga tërmeti me magnitudë 7.5 numri i objekteve të dëmtuara kalon një mijë.

Sipas bilancit më të fundit, numri i viktimave ka arritur në 1.450, mbi 3.000 persona kanë mbetur të plagosur, ndërsa më shumë se 50.000 të tjerë rezultojnë ende të zhdukur, sipas raportimeve të bëra përmes kanaleve zyrtare dhe platformave të dedikuara për kërkimin e personave të humbur.

© Panorama.al

Te lidhura