Tenton të digjet me benzinë, se “i marrin” shtëpinë

Sep 19, 2012 | 12:48

TIRANE – Një grua 40-vjeçare ka tentuar vetëvrasjen duke u lyer me benzinë, në shenjë proteste për një gjyq pronësie, gjatë të cilit ishte vendosur që t’i konfiskohej apartamenti. Ngjarja ndodhi paraditen e djeshme, në apartamentin e shtetases Donika B., që ndodhet në një pallat pranë Spitalit të Fëmijëve në Tiranë. Kërcënimin për vetëvrasje, 40-vjeçarja Donika e ka bërë në momentin kur dy përmbarues janë paraqitur në shtëpinë e saj me dokumentin e gjykatës që kishte vendosur konfiskimin e pronës. Kanë qenë pikërisht përmbaruesit ata që kanë lajmëruar Policinë e Tiranës, që ka arritur të parandalojë vetëflijimin e gruas, duke mbërritur në kohë në vendin e ngjarjes. Burime nga Policia thanë se ngjarja e ka zanafillën disa vite më parë, kur Donika B. i ka dhënë tapinë e shtëpisë së saj një personi të njohur, në mirëbesim, i cili i kishte marrë një personi tjetër një shumë parash me interes. Tapia e shtetases Donika Bastriu, është vënë si garanci nga ana e të njohurit të saj dhe si shpërblim për nderin që 40-vjeçarja i kishte kryer atij, do të merrte 500 mijë lekë të rinj, kur historia e borxhit të mbyllej, bashkë me interesat. Por huaja e marrë në formë fajdeje nuk ishte shlyer nga ana e të njohurit të Donika B. dhe për këtë arsye çështja kishte shkuar në gjykatë, ku është marrë si provë edhe tapia e 40-vjeçares, që ishte lënë si garanci. Për këtë arsye, Gjykata e Tiranës ka vendosur që i dëmtuari duhej të merrte shumën e parave që kishte dhënë hua, nga Donika B. dhe një tjetër garantues.

© Panorama.al

Te lidhura