Tenderi, Prokuroria apelon pafajësinë e Spartak Gjinit

Jan 10, 2012 | 11:02
Spartak Gjini

Prokuroria e Tiranës ka apeluar vendimin e gjykatës, e cila shpalli të pafajshëm ish-sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Çështjeve Sociale, Spartak Gjini, i akuzuar më parë për korrupsion. Sipas Prokurorisë, akuza nuk është dakord me shpalljen e pafajësisë për ish-sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, i cili ka qenë njëkohësisht edhe kryetar i Komisionit të Ofertave për Prokurimet në këtë Ministri. Sipas Prokurorisë së Tiranës, nuk ka sens ligjor dhe juridik dënimi i dy personave të akuzuar për dhënien e ryshfetit dhe shpallja si i pafajshëm për personin që është akuzuar si marrës dhe përfitues i ryshfetit. Më 2 maj 2008, Gjykata e Tiranës i pati dënuar shtetasit Spartak Gjini, me 1 vit e 8 muaj, Fiqiri Pali, 1 vit burg dhe Llambi Tarka, 1 vit e 8 muaj burg. Gjykata e Apelit e pati lënë në fuqi këtë vendim, i cili u dërgua në Gjykatën e Lartë. Kjo e fundit la në fuqi vendimet e dhëna për dënimin e dy të dyshuarve, Fiqiri Pali e Llambi Tarka dhe ktheu për rigjykim Spartak Gjinin. Në rigjykim, ish-zyrtari i Ministrisë së Punës u shpall i pafajshëm në ditët e fundit të muajit dhjetor. Në mënyrë përfundimtare, nëse çështja mbetet në këtë gjendje, rezultojnë të dënuar dy personat e akuzuar për dhënien e ryshfetit në tenderin e rikonstruksionit të Ministrisë, dhe i pafajshëm i akuzuari për përfitimin e shumës financiare në fjalë. Për këtë shkak, Prokuroria e Tiranës ka bërë apelim të vendimit të Gjykatës së Tiranës, duke kërkuar ndryshimin e tij, me argumentin se provat e akuzës kanë qenë të konsiderueshme. Sipas Prokurorisë, dy të dënuarit e vetëm momentalisht në këtë histori, “Siret + Euroalba”, i kanë ofruar një shumë ryshfeti ish-sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Punës, Spartak Gjinit. Ky i fundit gjatë hetimit dhe më pas gjatë gjykimit nuk i ka pranuar akuzat e ngritura ndaj tij. Ndërkohë, Prokuroria pohon se ngjarjet kanë qenë të dokumentuara me përgjime ambientale të lejuara nga Gjykata e Tiranës.         tr.so

© Panorama.al

Te lidhura