KORÇE – I ftohti i vazhdueshëm ka sjellë pezullimin e zhvillimit të mësimit në disa prej shkollave dhe kopshteve të qarkut të Korçës. Pasi janë zhvilluar orët mësimore në kushtet e të ftohtit ekstrem, nga ana e Drejtorisë Arsimore Rajonale ka ardhur edhe këshillimi për drejtuesit e këtyre institucioneve, të cilët në mungesën e kushteve të ngrohjes të reduktojnë orët mësimore ose të pezullojnë zhvillimin e mësimit. Problemet janë hasur kryesisht në disa prej fshatrave të Korçës, ku përveç mungesës së ngrohjes në shkolla dhe kopshte, ka pasur probleme edhe me rrugët rurale. Sipas të dhënave zyrtare, pas këshillimit me Ministrinë e Arsimit janë mbyllur disa prej shkollave në Leskovik, Lavdar, Sheqeras dhe Voskopojë. I ftohti ekstrem dhe ngricat e regjistruara në këtë qark kanë bërë që mbyllja e shkollave dhe kopshteve të lihet për një afat të pacaktuar. Përveç pjesës më të madhe të shkollave në Korçë, të cilat kanë zhvilluar mësimin me orë të reduktuara, dy prej kopshteve të qytetit për shkak të të ftohtit kanë pezulluar zhvillimin e mësimit. Për shkak të problemeve me ngrohjen, nga drejtuesit e këtyre institucioneve të arsimit parashkollor është gjetur si zgjidhje pezullimi i mësimit për disa ditë, deri në zgjidhjen e problemeve me ngrohjen. Ndërkohë që probleme janë regjistruar edhe në spitalin rajonal të Korçës. Drejtues të këtij spitali kanë bërë me dije se për rreth 24 orë, kaldaja e tij ka qenë e ngrirë, gjë që ka bërë qëndrimin në të ftohtin ekstrem të pacientëve. Pas përpjekjeve të shumta, problemi është riparuar, duke bërë që përveç të tjerash të rriten edhe orët e funksionimit të ngrohjes, e cila normalisht funksionon me orar. Sipas drejtuesve të këtij spitali, prej momentit të mosfunksionimit të kaldajës, por edhe në vijim, pacientët dhe të afërmit e tyre janë lejuar për të përdorur ngrohëse me korrent pasi, pavarësisht kaldajës, i ftohti i madh nuk lejon ngrohjen në masën e duhur të ambienteve.











