Tel Aviv akuza ndaj Hamasit: Trupat që na kthyet nuk i përkasin pengjeve izraelite

Nov 1, 2025 | 14:19

Mbetjet më të fundit mortore të dorëzuara nga Hamasi në Izrael nuk i përkasin asnjërit prej pengjeve të zhdukura, njoftoi ushtria izraelite të shtunën.
Kryqi i Kuq transporton trupat e dy pengjeve të vdekura, të rrëmbyera gjatë sulmit të 7 tetorit 2023 ndaj Izraelit nga Hamasi, pasi u dorëzuan nga Hamasi, në Deir Al-Balah.Hamasi është grup militant palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqi të tjera.

Sipas ushtrisë izraelite, mbetjet e tre trupave, të cilat u transferuan tek Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (ICRC) të premten në mbrëmje, u ekzaminuan nga një institut mjekoligjor në Izrael.

Në të kaluarën, dorëzimi i mbetjeve mortore që më vonë rezultonte se nuk i përkisnin pengjeve, ka shkaktuar zemërim në Izrael. Qeveria izraelite nuk ka folur për pasojat e mundshme.

Të enjten, Hamasi kishte kthyer trupat e dy pengjeve izraelite, të identifikuar si Amiram Kuper dhe Sahar Baruh. Në Gazë tani kanë mbetur trupat e edhe 11 pengje të tjera të zhdukura.

Hamasi i ka kthyer gradualisht trupat në Izrael si pjesë e një marrëveshjeje armëpushimi të ndërmjetësuar nga SHBA-ja.

Hamasi thotë se e ka të vështirë t’i gjejë trupat nën rrënojat e ndërtesave dhe tuneleve të bombarduara, por Izraeli e akuzon atë për vonesa të qëllimshme.

Lufta në Gazë shpërtheu pasi militantët e udhëhequr nga Hamasi sulmuan Izraelin më 7 tetor 2023, duke vrarë rreth 1.200 persona dhe duke rrëmbyer mbi 250 të tjerë.

© Panorama.al

Te lidhura