Teknologjia 3G, së shpejti licenca e tretë

Dec 22, 2011 | 11:10
Ministri Pollo

Licenca e tretë për teknologjinë 3G do të jepet brenda dy muajve të parë të vitit të ardhshëm, pasi procedurat e tenderimit do të fillojnë këto ditë. Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, Genc Pollo, bëri dje të ditura edhe detajet gjatë një forumi biznes-qeveri me temë “Inovacioni përmes TIK, një mundësi për rritje të biznesit”. “Në përputhje me atmosferën festive, veçanërisht në Tiranë, japim lajmin e mirë se së shpejti ne do të fillojmë procesin për licencën e tretë për 3G, për operatorët mobilë, çka do të rrisë më shumë përdorimin me cilësi të internetit të shpejtë, duke ulur më tej çmimet në tregun përkatës dhe duke bërë që interneti të jetë i mundshëm, jo vetëm në çdo skaj të Shqipërisë, por të jetë i përballueshëm për çdo përdorues, pra: internet të mirë dhe me çmim të lirë”, tha Pollo. Ministri bëri edhe përcaktimet e sakta kohore se kur pritet që të fillohet dhe të përfundohet procesi i dhënies së licencës së tretë 3G për një nga dy kompanitë e telefonisë celulare që nuk e kanë ende një të tillë. “Besoj se licenca e tretë, që do të jepet në muajt janar ose shkurt, pas procesit të tenderimit që fillon këto ditë, do të kontribuojë më shumë në këtë drejtim”, tha ai. Licenca e parë 3G u dha në fund të vitit 2010 dhe u fitua në garë nga kompania Vodafone, me një çmim 31.4 milionë euro, kurse e dyta u dha gjatë këtij viti dhe u fitua nga kompania AMC me çmimin 15.1 milionë euro. Në të dyja rastet, çmimi minimal i pranimit të ofertave ka qenë 12.5 milionë euro.

© Panorama.al

Te lidhura