
Ajo ka profesionin më të bukur dhe më të vështirë. Prej 40 vjetësh punon me fëmijët, përpiqet t’u shpëtojë jetën. Uropediatrja Tefta Rrota tregon për punën e saj, por më së shumti u jep këshilla praktike prindërve si të dallojnë simptomat e para të sëmundjeve të veshkave tek një fëmijë dhe si të kujdesen për ta
Janë 40 vite në profesionin e kirurges, dhe pedagogjia në Fakultetin e Mjekësisë, që i kanë shërbyer për të krijuar modelin e mjekes së suksesshme dhe të realizuar! Por, nëse në themel të kësaj pune nuk do të ishin pikërisht ata pacientët “specialë” ndonjëherë të porsalindur dhe pa gojë, që e shohin në bebe të syrit, duke lypur shanset për jetë, asgjë më shumë se ndjenjat njerëzore dhe përkushtimi për t’i shëruar nuk do e mbanin Tefta Rrotën të lidhur fort pas profesionit. Sfidat e bukura janë shpesh ato më të vështirat. Në shumicën e herëve, fëmijët nuk dinë të shprehin problemet apo dhimbjet e vërteta në trup, por afrimi me ta, krijimi i ambienteve të këndshme brenda në spital, “joshja” me lodra të reja apo karamele, shpesh shërbejnë si formë e gjetur “manipulimi” për t’i hutuar të vegjlit e për t’i dërguar drejt thikës në shtratin e operimit. Teksa rrëfen për vështirësitë e punës, uropediatrja në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, thekson se në përditshmërinë e saj, që “beteja” me sëmundjen të quhet e fituar, duhet pikë së pari “të bësh për vete pacientin”. Thënë ndryshe, duhet “shkërmoqur stereotipi i gabuar i frikës nga gjilpërat e doktorit nëse fëmija nuk ha bukë apo nuk sillet mirë, një metodë kjo me të cilën shpesh prindërit ushqejnë fëmijët e tyre në situata të sikletshme”. “Ngrohtësia që i ofrohet në fillim, dashuria dhe përkujdesja janë A-ja e bashkëpunimit me ta. Unë shpesh u them fëmijëve të vegjël se ata janë si në një kopsht këtu, me shumë fëmijë të tjerë, ka shumë lodra që do i kënaqin. Shpesh u ofrojmë lodra për të luajtur, argëtohemi me ta dhe kësisoj u krijojmë një ambient të ngrohtë që ata të afrohen me ne mjekët. Në momentin e operimit, fëmijët hutohen kur futen në sallë, sepse shohin aparaturat e mëdha, dritat e forta. Kur i japim ndonjë tabletë apo ilaç, shpesh ata i shohin edhe si karamele dhe kështu i largojmë nga situatat traumatike”, pohon kirurgia. Është një marrëdhënie e dyfishtë, në momentin që hyjnë në lojë edhe prindërit e fëmijëve, shumë prej të cilëve e përjetojnë në mënyrë dramatike sëmundjen e fëmijës. Doktoreshë Tefta e ka të vështirë të harrojë rastin e një pacienti nga Fieri, një djali të vogël katër vjeç që vuante nga gurët riprodhues në të dy veshkat. I operuar mbi 10 herë, vuajtjet e përjetimi i rëndë i sëmundjes, krijuan një situatë traumatike për vite të tëra, deri në moshën 15-vjeçare kur djali ndërroi jetë. “Nuk i harroj dot lotët në faqet e asaj nëne”… rrëfen kirurgia. E, nisur nga përvoja e saj e gjatë në mjekësi, ajo flet njëherësh edhe për shkaqet e sëmundjeve të veshkave tek fëmijët, kategorizimi në grupmosha, diagnostikimi dhe këshilla të vlefshme në emër të mirëqenies shëndetësore të tyre.
ERMIRA ISUFAJ
© Panorama.al











