Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar pas ndarjes nga jeta të gazetarit të News24, Enrik Mehmeti, i cili humbi jetën në një aksident rrugor në Vlorë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Blushi e cilësoi humbjen si të rëndë, duke e vlerësuar Mehmetin si një reporter të përkushtuar dhe koleg me integritet. Ai shprehu ngushëllimet për familjen dhe të afërmit, duke theksuar se kujtimi i tij do të mbetet tek të gjithë ata që e njohën.
“Enrik Mehmeti nuk do të jetë më pranë nesh…
Ka lajme që i raportojnë dhe lajme që na thyejnë zemrën. Ky është një prej tyre. Nuk humbëm vetëm një reporter të shkëlqyer të lajmit të fundit, por një mik, një koleg me integritet, një njeri të mirë që e deshi me shpirt Vlorën dhe ia kushtoi asaj zërin, mundin dhe pasionin e tij.
Është e vështirë të gjesh fjalët kur ikën një njeri që la kaq shumë gjurmë te të gjithë ata që e njohën. Kujtimi i Enrikut do të jetojë në zemrat tona, në respektin që fitoi me punën e tij dhe në mirësinë që shpërndau.
Lamtumirë, mik! Do të na mungosh shumë. Ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe të gjithë njerëzve që e deshën. U prehtë në paqen e merituar”, shkroi Blushi.
© Panorama.al











