“Hakmarrja e Ramës, paketohet si ligjshmëri”- Luçiano Boçi reagon pas sulmit ndaj “Prestige Resort”: Goditet grupi mediatik që u jep hapësirë protestave të qytetarëve! Duhet hetim, ligji të mos zbatohet me kalendar politik

Jul 19, 2026 | 22:15

Deputeti i Partisë Demokratike, Luciano Boçi, ka reaguar lidhur me aksionin e ndërmarrë nga Tatimet në “Prestige Resort”, duke e cilësuar atë një presion politik të maskuar si zbatim i ligjit.

prestige resort luciano boci

Në një reagim të gjatë, Boçi shkruan se kontrolli në resort nuk është një procedurë e zakonshme administrative, por pjesë e një modeli presioni i kryeministrit Edi Rama ndaj mediave kritike ndaj qeverisë.

“NJË HAKMARRJE E PAKETUAR SI LIGJSHMËRI”, shkruan Boçi, duke shtuar se sipas tij, sa herë një media zgjedh të mos jetë “megafon i pushtetit”, shteti ndërhyn me kontrolle, inspektime dhe hetime.

“Kontrolli i fundit në Prestige Resort nuk është thjesht një lajm policor. Nuk është as vetëm një procedurë administrative. Ai hyn në një histori më të gjatë, ku sa herë një media ka zgjedhur të mos jetë megafon i pushtetit, shteti është kujtuar papritur se duhet të bëjë kontrolle, inspektime, hetime dhe demonstrime force. Hakmarrja e Ramës paketohet kështu si ligjshmëri. Ky është modeli që është ndërtuar prej vitesh dhe që Rama ekskluzivisht e zbaton për Hysenbelliu Group”, shkruan deputeti.

Duke iu referuar historikut të përplasjeve me “Prestige Resort”, Boçi argumenton gjithashtu se presioni ndaj medias nuk realizohet vetëm përmes mbylljes së televizioneve, por edhe përmes kontrolleve fiskale, proceseve administrative dhe kostove financiare.

“Liria e medias nuk vritet gjithmonë me mbylljen e një televizioni. Sot ajo goditet më me finesë, me kontrolle fiskale, me dosje administrative, me procese pa fund, me kosto financiare dhe me frikësim”, shkruan ai, ndërsa shton se “është domethënëse që sa herë opozita dhe qytetarët rrisin presionin përmes protestave, shteti gjen energji të jashtëzakonshme për të goditur pikërisht ata që ua transmetojnë zërin. Sikur problemi të mos ishte protesta, por kamera që e filmon”.

Postimi i plotë:

NJË HAKMARRJE E PAKETUAR SI LIGJSHMËRI

Kontrolli i fundit në Prestige Resort nuk është thjesht një lajm policor. Nuk është as vetëm një procedurë administrative. Ai hyn në një histori më të gjatë, ku sa herë një media ka zgjedhur të mos jetë megafon i pushtetit, shteti është kujtuar papritur se duhet të bëjë kontrolle, inspektime, hetime dhe demonstrime force.

Hakmarrja e Ramës paketohet kështu si ligjshmëri.

Ky është modeli që është ndërtuar prej vitesh dhe që Rama ekskluzivisht e zbaton për Hysenbelliu Group.

Nuk mjafton të fitosh zgjedhjet. Nuk mjafton të kontrollosh parlamentin, qeverinë, administratën dhe një pjesë të institucioneve të drejtësisë. Duhet të kontrollosh edhe narrativën. Dhe kur nuk e kontrollon dot narrativën, godet ata që e prodhojnë.

Goditen media, algoritme, biznese që lidhen me to, goditen gazetarë e me rradhë.

Në Shqipërinë e Edi Ramës, administrata nuk vepron gjithmonë si administratë. Shpesh ajo sillet si zgjatim politik i pushtetit. Tatimet, inspektoratet, policia, agjencitë dhe çdo hallkë burokratike mund të shndërrohen në instrumente presioni. Jo domosdoshmërisht për të fituar një proces gjyqësor, por për të dërguar një mesazh.

Mesazhi është i thjeshtë: “Kush del nga rreshti, paguan.”

Prestige Resort është bërë simbol i kësaj përplasjeje. Shembje, konfiskime, procese, kontrolle të përsëritura. Çdo episod, i marrë më vete, mund të justifikohet me një nen ligji. Por demokracitë nuk gjykohen vetëm nga ligjshmëria formale. Gjykohen edhe nga modeli që krijohet. Dhe modeli është i qartë: kur objektivi është i njëjti grup mediatik, kur përplasjet përsëriten vazhdimisht dhe kur ky grup mban një linjë kritike ndaj qeverisë dhe u jep hapësirë protestave qytetare, lind një dyshim që pushteti nuk arrin ta shuajë.

Liria e medias nuk vritet gjithmonë me mbylljen e një televizioni. Kjo do të ishte primitive. Sot ajo goditet më me finesë. Me kontrolle fiskale. Me dosje administrative. Me procese pa fund. Me kosto financiare. Me lodhje. Me frikësim. Është censurë përmes burokracisë.

Ndërkohë, mediat që zgjedhin rehati në vend të lirisë shpërblehen me reklama publike, akses dhe privilegje. Nuk kanë nevojë për presion. Autocensura është bërë investimi më fitimprurës.

Rasti i Hysenbelliu Group duhet parë në këtë prizëm. Çështjet ligjore duhet të hetohen dhe ligji duhet të zbatohet. Askush nuk mund të kërkojë imunitet. Por po aq e rëndësishme është që ligji të mos zbatohet me kalendar politik, me intensitet selektiv dhe me objektiva të paracaktuara. Drejtësia selektive është padrejtësi e maskuar.

Është domethënëse që sa herë opozita dhe qytetarët rrisin presionin përmes protestave, shteti gjen energji të jashtëzakonshme për të goditur pikërisht ata që ua transmetojnë zërin. Sikur problemi të mos ishte protesta, por kamera që e filmon.

Historia ka treguar se pushtetet autoritare nuk e kanë frikë zhurmën. Kanë frikë jehonën. Protesta zgjat disa orë. Pamjet, raportimet dhe dëshmitë mbeten. Pikërisht për këtë arsye, media e lirë bëhet objektivi i parë.

Dhe kur viktima e parë është media, viktima e dytë është opozita, viktima e tretë janë qytetarët.

Dhe në fund, viktima më e madhe bëhet vetë demokracia.

© Panorama.al

Te lidhura