Një muaj, një premierë. Ky është synimi i drejtuesve të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Një kalendar i ngjeshur me koncerte, premiera e rivënie pritet në TKOB. Dje, në një konferencë për shtyp, drejtori i këtij institucioni, Zhani Ciko, bëri të njohur një pjesë të këtij kalendari ambicioz, ku renditen vepra si “Werther”, “Don Carlos”, “Turandot”, “Stravinski” etj. Premierat e mëdha do të gërshetohen edhe me shumë koncerte recitale të instrumentistëve shqiptarë e të huaj. Pa dashur të zbulojë të gjitha surprizat, Ciko u shpreh se në pjesën e dytë të sezonit parashikohet edhe një koncert-përvjetor i sopranos së madhe shqiptare, Inva Mula. Krahas prezantimit të veprave që do të mund të ndjekë publiku në skenën e TKOB-it, Zhani Ciko u ndal në veçanti në krijimtarinë shqiptare. Sipas tij, kjo krijimtari do të vazhdojë të jetë e pranishme në kalendarin e këtij institucioni, pavarësisht sulmeve ekstremiste që i bëhen asaj. Sipas Cikos, nuk është e drejtë që të shuhet me një të rënë të lapsit, pasi ajo është pjesë e pasurisë muzikore shqiptare, është krijuar me pasion dhe ndërgjegje nga artistët tanë. Por kjo nuk është thjesht çështje historie, por edhe artistike. “Mes tyre ka arie edhe arie të mrekullueshme dhe nuk ka përse të përçmohen”, tha Ciko, duke shtuar se një gjë e tillë nuk i bën nder askujt. Drejtori i TKOB-it shfrytëzoi këtë konferencë për shtyp për të bërë të njohur edhe një prej partnerëve të rëndësishëm financiarë, “Eagle Mobile”.
Kalendari
“La Traviata”, rivënie
“Werther”, opera premierë
Listz, Koncerti i Europës
“Don Carlos”, opera premierë
“Turandot”, regjia Nicola Zorzi
“Stravinski”, balet
Kreshnik Zhabjaku, recital











