Përpara se të mendojmë për përzgjedhjen e menysë që do të mbushë tryezat në mbrëmjen e Krishtlindjes apo atë të ndërrimit të viteve, dhe përpara se të përzgjedhim destinacionin se ku do t’i kalojmë festat sa më këndshëm dhe në atmosferë të gëzueshme, për shumëkënd preokupimi i përbashkët është: çfarë do veshim?!
Që të dukeni bukur, asnjë veshje nuk duhet t’ia besoni rastësisë, sepse për këtë arsye janë krijuar datat speciale kalendarike. Por, kujdes me përzgjedhjen e stilit! Çdo detaj juaji duhet të jetë në harmoni të plotë me ambientin përreth. Për një festë në kushtet e shtëpisë me familjarë apo miq të përbashkët, pamja juaj nuk duhet të jetë e tepruar që të ngjajë njësoj si bredhi i Vitit të Ri. Materiale të buta, pantallona apo një bluzë mëndafshi duhet të vijnë si përzgjedhje në harmoni edhe me kushtet e shtëpisë. Për një natë të kaluar në club me shoqërinë, duhet të guxoni me aksesorë dhe taka të larta. Ndërsa, një ambienti luksoz i shkon për shtat vetëm një pamje shik. Fustane të gjata deri në fund të këmbëve, me nuanca ngjyrash të kombinuara, por jo kontraste të forta, bizhu në miniaturë, pa harruar çantat “pochet” në formë portofoli të kombinuara me ngjyrën e këpucëve, duhet të jenë kryefjala e një mbrëmjeje festive luksoze. Dhe sugjerimet këtë herë nuk vijnë as nga stilistë të huaj dhe as nga pasarelat e modës, por nga stilistë të njohur shqiptarë. Stilistet Jona Muça dhe Zina Kondi tregojnë idetë e tyre për një pamje të kuruar deri në detaj e në harmoni të plotë me atmosferën festive, që prej disa ditësh ka trokitur edhe në kryeqytetin shqiptar.
Preferohen ngjyrat e tokës, jo kontrastet e forta
Duke vlerësuar festat dhe rëndësinë që pamja e jashtme merr në kësi rastesh, stilistja Jona Muça shpalos idetë e saj se si të ngjani bukur për festat e fundvitit.
Na ndajnë edhe pak javë nga Krishtlindja e Viti i Ri dhe një nga shqetësimet është se çfarë të veshim. Çfarë sugjeroni?
Është e vërtetë që festat e fundvitit priten me shumë interes. Ndaj, krahas menysë dhe ambientit se ku do t’i kalojmë festat me familjarët, kujdesemi të kemi dhe një look sa më të këndshëm e bashkëkohor, sidomos femrat të cilat shpeshherë u drejtohen atelieve për të gjetur stilin e përsosur. Është e rëndësishme që veshja të përshtatet me ambientin ku do të kalojmë festat, duke zgjedhur veshje sa më klasike e pa ekzagjerime nëse jemi me familjen, dhe një stil më të guxuar nëse festat do t’i kalojmë me shoqërinë. E rëndësishme është që të mos e teprojmë me veshje që nuk përputhen me karakterin tonë.
Për këtë vit, cilat janë tendencat sa u takon ngjyrave të preferuara apo prerjeve specifike?
Ky vit në veçanti është cilësuar si vit i ngjyrave të tokës, duke përfshirë të gjitha tonalitetet e kafes, bezhës, portokallisë, por edhe ngjyrat “nude” që vazhdojnë të jenë të preferuara. Këto nëse duam të jemi sa më shik dhe natyrale. Tendencë vazhdojnë të jenë edhe variacionet e jeshiles dhe gjithashtu ngjyra “korallo” që përzien tonet e rozës me portokallinë, por me intensitet të theksuar. Sa u përket prerjeve, ka propozime nga më të ndryshmet: fustan me një shpatull, me një krah, prerje simetrike me volum te mëngët, flutura të aplikuara përreth dekoltesë. Për ato femra që duan të jenë sa më moderne, sugjeroj copa të tejdukshme të kombinuara me materiale të plota.
Çfarë sugjerojnë stilistët për një festë në shtëpi, në club me miqtë apo një mbrëmje të shtrenjtë luksi?
Nëse do të festojmë në një ambient familjar, do të sugjeroja materiale të buta, ngjyra delikate dhe një prerje që të nxjerr sa më të rregullt, e sa më komode për të shijuar plotësisht ambientin familjar në kushtet e shtëpisë. Përveç fustaneve që duhet të jenë në një gjatësi të pranueshme, mund të zgjidhni edhe një palëë pantallona me shtrat të lartë në kombinim me një këmishë me aplikacione ose jakë fjongo.
Nëse festa zhvillohet në një club me miqtë tuaj, atëherë mund të guxojmë më shumë me ngjyrat dhe aksesorët, por pa dalë nga stili elegant, që duhet të jetë fjala kyç në këtë rast. Gjithashtu një fustan pak më mondan, ku theksohet dekolteja ose pjesa e kurrizit, me krahë të gjata në material të kombinuar me pjesën e bustinit, por me përbërje të butë.
Nëse mbrëmja juaj do të jetë një natë gala, në një sallë luksoze, atëherë pamja juaj duhet të jetë e përsosur dhe e kuruar në çdo detaj, duke i kushtuar rëndësi jo vetëm fustanit, por edhe aksesorëve, make up-it e flokëve. Një fustan plotësisht i gjatë, ose në një gjatësi poshtë gjurit, me një prerje që vë në pah format trupore dhe coha mundësisht njëngjyrëshe duhet të jetë zgjedhja juaj. Nëse duam fantazinë, zgjedhim një fustan me tone harmonizuese, por jo kontraste të forta mes ngjyrave. Rëndësi të veçantë në këtë rast merr çanta, e cila duhet të jetë në formë portofoli dhe e kombinuar me këpucën.
Meqenëse përmendëm portofolin, e në këtë rast edhe aksesorët bashkëshoqërues të veshjeve gjatë festave, si duhet të jenë ato?
Në këto raste, aksesori fiton një rëndësi të barabartë me fustanin. Andaj zgjedhja e tyre nuk duhet të jetë rastësore, por e kombinuar me kujdes. Tendencat fokusohen tek vathët e mëdhenj ose të vegjël sipas kombinimit, shalle në copa delikate, të buta me figuracione dhe ngjyrime nga më të ndryshmet, pa harruar çantat në stilin “pochet” në formë portofoli, që i japin një pamje moderne veshjes suaj klasike. Ndërkohë, te këpuca duhet të guxojmë më shumë, duke përfituar edhe nga periudha festive. Mund të zgjidhni këpucë me ngjyra të theksuara te tonalitetet e të kuqes, ose ngjyra “rozë antike” gjithmonë platformë, pasi i bëjnë këmbët tuaja të duken më të gjata dhe më elegante.
Zgjidhni të kuqen, për një ambient familjar!
Nëse dëshironi të ngjani bukur, por jo njësoj të ngarkuar sa edhe bredhi i Vitit të Ri që ka zënë vend në një kënd të shtëpisë suaj, përpiquni të fiksoheni te ngjyrat! Në datat speciale kalendarike i duhet kushtuar rëndësi pamjes së jashtme, duke
mos kursyer as detajin më të vogël. Por, gjithmonë duke iu përshtatur ambientit. Stilistja Zina Kondi jep këshillat e rastit. “Më së shumti familjet shqiptare preferojnë që festën e ndërrimit të viteve ta kalojnë në shtëpi. Dhe për këtë lloj ambienti unë sugjeroj një stil të thjeshtë, që është në harmoni me rehatinë e kushteve të shtëpisë. Zgjidhni një bluzë mëndafshi në ngjyrë të kuqe, një fustan ose një triko të lehtë në po të njëjtën ngjyrë. Loja me dizenjot e mëdha: një lule apo flutura të qëndisura me dorë në tërësinë e veshjeve janë sërish në modë”. Por, duke iu referuar krizës ekonomike globale dhe shprehjes së momentit që po qarkullon në botën e modës: se tendencat nuk i bëjnë më stilistët, por bankat, për Zinën ka gjithmonë vend për përshtatje, sërish në emër të një pamjeje me shije. “Një festë me miqtë në ambient club-i, nuk pranon fustanet qofshin ato të gjata apo deri tek kupa e gjurit. Një triko e lehtë e hedhur supeve, apo një xhaketë e ngjitur pas trupit, por me dizenjo të veçanta është një zgjedhje, e cila qëndron mirë me pantallona xhins prej materiali të lehtë. Tendencë këtë vit janë edhe pelushët me apo pa mëngë, të shkurtër ose në gjatësi treçerekëshe, lehtësisht të kombinueshëm. Sa u takon takave të larta, ato nuk bëjnë kompromis as me modën, as me stilistin: janë gjithmonë “in””, përfundon Kondi.
ERMIRA ISUFAJ
© Panorama.al













