Të vegjlit: 40 mandate me proporcional kombëtar

Dec 25, 2011 | 12:40

Mbledhja e Komisionit të Reformës Zgjedhore

Propozimi: 100 deputetë nga 12 qarqet, 40 nga vota kombëtare.

Milo: Me këtë variant nuk preket Kushtetuta.

Partitë e vogla kërkojnë zyrtarisht ndryshimin e sistemit zgjedhor për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Shtatë forca politike i janë drejtuar Komisionit të posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore me propozime konkrete për ndryshimin e disa prej neneve të Kodit Zgjedhor, ku më kryesorja është ajo e ndarjes së mandateve.
Sistemi zgjedhor
Pas argumentit të Partisë Demokratike se ndryshimi i sistemit kërkon prekjen e Kushtetutës, ekspertët e të vegjëlve kanë propozuar një tjetër variant, i cili bën të mundur llogaritjen e çdo vote, pavarësisht se në një qark një parti e vogël nuk fiton mandat. Kështu, “të vegjlit” kërkojnë që sistemit zgjedhor në vend, proporcional rajonal, t’i shtohet edhe korrektimi kombëtar. Kjo do të thotë se llogaritja e mandateve do të ndryshojë. Sipas këtij varianti propozohet që 100 deputetë të dalin nga proporcionali rajonal me 12 qarqe, si në zgjedhjet e vitit 2009. Ndërsa 40 deputetë të tjerë dalin pas rillogaritjes së votave që merr secila parti në qarkun ku nuk ka fituar deputetë. Kështu, nëse një forcë politike nuk fiton asnjë mandat në Tiranë, Durrës apo Elbasan, votat e saj llogariten në të 12-të qarqet dhe sipas një formule të mirëpërcaktuar do të shikohet nëse ato prodhojnë një mandat apo jo. I kontaktuar nga gazeta “Panorama”, kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, tha se “proporcionali rajonal me korrektim kombëtar bën të mundur që të gjitha votat të merren parasysh, pavarësisht faktit nëse një forcë politike nuk ka fituar një mandat deputeti. Njëkohësisht ky propozim nuk kërkon as ndryshimin e Kushtetutës”.
Listat
Një tjetër propozim i partive të vogla është edhe votimi me listat e hapura. Aktualisht, pasi forcat politike depozitojnë listën e kandidatëve pranë KQZ-së, ato nuk kanë më mundësi që t’i ndryshojnë. Partia Demokristiane dhe Partia Republikane insistojnë shumë në këtë variant me argumentin se qytetarët e dinë se kush do t’i përfaqësojë në Parlament. Por, në këtë rast, puna është më e komplikuar. Kjo pasi, për të ndryshuar renditjen brenda kandidatëve të një partie, kërkohet patjetër ndryshimi i Kushtetutës. Në pikën 1 të nenit 68 të ligjit themeltar të vendit thuhet: “Kandidatët për deputetë paraqiten në nivel zone zgjedhore nga partitë politike, koalicionet zgjedhore të partive politike, si dhe nga zgjedhësit. Një kandidat mund të paraqitet vetëm për një nga subjektet propozuese, sipas kësaj pike. Renditja e kandidatëve për deputetë në listat shumemërore nuk mund të ndryshohet pas paraqitjes së listës në Komisionin Zgjedhor përkatës. Rregullat për regjistrimin e kandidatëve për deputetë përcaktohen në ligjin për zgjedhjet”.
Partitë e vogla kërkojnë gjithashtu që administrata zgjedhore të jetë jopolitike, siç ka qenë deri në zgjedhjet e 8 majit. Një pikë tjetër ku bashkohen të vegjlit, pavarësisht kaheve politike, është futja e teknologjisë në sistemin zgjedhor. Prej dy vitesh në Shqipëri votat numërohen në mënyrë elektronike, por, sipas partive të vogla, ekzistojnë mundësitë që edhe procesi i votimit dhe ai i identifikimit të votuesve të jetë elektronik. Në fund kërkohet rishikimi i neneve të Kodit Zgjedhor që ka të bëjë me financimin e partive.

Të vegjlit, bashkë kundër PS e PD
Në muajin nëntor, dhjetë krerët e partive të vogla të spektrit politik vendosën si kusht ndaj dy partive të mëdha ndryshimin e sistemit zgjedhor. Tryeza e të “vegjëlve” përbëhej nga LSI, PR, PLL, PDIU, PBLD, PDS, PSD, PDK, PSV 91 dhe PBDNJ, të cilat ranë dakord për të propozuar nëntë kërkesa ndaj PD-PS, të cilat do t’i paraqiten Komisionit për Reformën Zgjedhore. Ata deklaruan se “duhet gjetur rruga edhe për t’u dhënë mundësi votuesve që të zgjedhin jo vetëm partinë, por dhe kandidatët brenda forcave politike. Ka shumë hapësirë për të eliminuar të gjitha ato marifetet e të ashtuquajturit sistem spanjoll, i cili cenon barazinë e votës, kur këtë e garanton vetë Kushtetuta”.

Propozimet e partive të vogla
• Ndryshimi i sistemit zgjedhor nga proporcional rajonal në proporcional rajonal me korrektim kombëtar, ku 100 deputetë të zgjidhen nga rajonet, ndërsa 40 nga vota kombëtare.
• Ndryshimi i nenit në Kodin Zgjedhor për listat, të cilat nga të mbyllura, propozohet të jenë të hapura.
• Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe komisionet e niveleve të dyta dhe të treta, nga politike të kthehen në apolitike.
• Futja e teknologjisë në procesin e votimit dhe të numërimit.
• Krijimi i mundësive që në zgjedhjet e vitit 2013 të votojnë edhe emigrantët.
• Shpërndarja e fondeve për partitë të bëhet në bazë të numrit të votave që ka marrë çdo subjekt zgjedhor.
• Koha mediatike në Televizionin publik të jetë e barabartë.
• Ndryshimi i përbërjes së komisioneve të niveleve të dyta dhe të treta.
• Përditësimi i listave të zgjedhësve sipas regjistrave të gjendjes civile.

Idrizi: Numërimi të jetë elektronik
Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, i kontaktuar mbrëmë nga gazeta “Panorama”, sqaroi propozimet e tij për reformën zgjedhore. Sipas Idrizit, sistemi zgjedhor nuk duhet të jetë më si ai i vitit 2009, proporcional rajonal, por këtij sistemi duhet t’i shtohet edhe korrektimi kombëtar, në mënyrë që votat e të gjitha partive të vogla të bashkohen dhe nëse ato kanë marrë një numër të caktuar, të fitojnë mandatin e deputetit. Gjithashtu, partia e çamëve kërkon që si KQZ dhe komisionet e niveleve të dyta dhe të treta të mos jenë më me propozime politike, por të pavarura. Gjithashtu kërkohet që numërimi të jetë elektronik.

Spahiu: Të votojnë emigrantët
Partia Lëvizja e Legalitetit, në propozimet që i ka dërguar Komisionit të Reformës Zgjedhore, e vë theksin te votimi i emigrantëve. “Krijimi i mundësisë së votimit në vendin ku jetojnë për shtetasit që jetojnë jashtë vendit: si hap i parë në këtë drejtim të bëhet një test në 3 shtete të huaja. Krijimi i një zone të veçantë elektorale për shtetasit që jetojnë jashtë vendit: ekskluziviteti i kandidimit dhe përfaqësimit për këtë zonë elektorale të rezervohet vetëm për shtetasit që jetojnë jashtë vendit”, thuhet në propozimet e PLL-së. Gjithashtu, sipas kësaj partie, nëse një deputet ndryshon partinë, ai humbet mandatin.

Ndoka: Votim me 6 zona zgjedhore
Sipas kryetarit të Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, ndarja territoriale në zgjedhjet e ardhshme parlamentare nuk duhet të jetë me 12 zona zgjedhore (një për secilin qark), por me 6 zona. Gjithashtu, demokristianët bashkohen me qëndrimin e partive të tjera të vogla për një korrektim kombëtar të sistemit aktual
proporcional rajonal. Një tjetër propozim i përbashkët i partive të vogla është edhe sistemi zgjedhor me lista të hapura, që kandidatët të jenë në garë mes tyre dhe ta fitojë mandatin e deputetit ai që merr më shumë vota. Demokristianët kërkojnë gjithashtu që financimi i partive të bëhet në bazë të numrit të votave për çdo subjekt dhe koha mediatike të jetë e barabartë.

Madhi: Komisionet, jo më politike
Përfaqësuesi i Partisë Republikane, Arian Madhi, tha dje për gazetën se propozimet e kësaj force politike prekin veçanërisht sistemin zgjedhor dhe përbërjen e komisioneve. Konkretisht, edhe republikanët shprehen për një ndryshim të formulës së ndarjes së mandateve. Sipas PR-së, administrata zgjedhore duhet të ndryshohet, ndërsa komisionet zgjedhore të të gjitha niveleve nuk duhet të jenë më politike. “Komisionet politike nuk janë më të besueshme në sytë e qytetarëve”, theksoi Madhi. Një tjetër propozim i PR-së është edhe gara brenda partive, çka do të thotë lista të hapura, që mund të ndryshohen pas zgjedhjeve.

Vëzhguesit: Komisionet me 5 anëtarë
Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë ka depozituar gjithashtu një paketë ndryshimesh në Komisionin e Reformës Zgjedhore. “Ndërtimi i administratës zgjedhore me anëtarë apolitikë nga Gjyqësori, shoqëria civile etj., që nuk kanë pasur apo kanë angazhime politike. Komisionet e niveleve të dyta e të treta të ndërtohen me jo më shumë se pesë veta. Kjo trupë zgjedhore duhet të jetë e përhershme”, thuhet ndër të tjera në propozimin e këtyre shoqatave. Në rastin e KQZ-së mund të shihet formula ku përveçse nga Gjyqësori apo nga shoqëria civile, të përfshihen edhe përfaqësues të forcave politike, por ata të jenë në pakicë.

ADI SHKEMBI

 

© Panorama.al

Te lidhura