“Të thuash se është prishur balanca e pushteteve, jashtë realitetit”- Avokati: Kushtetuta nuk e mbron Ballukun nga pezullimi!

Dec 2, 2025 | 22:16

Avokati Mirash Martini, i ftuar në emisionin “Studio24”, ka dhënë një analizë mbi dërgimin e çështjes së pezullimit nga detyra të Belinda Ballukut në Gjykatën Kushtetuese.

mirash martini

Sipas tij, kjo nuk është një çështje që lidhet me shkelje të Kushtetutës, pasi ajo nuk parashikon mbrojtje për funksionarët në rastet e pezullimit nga detyra.

Martini theksoi se Kushtetuta mbron deputetët vetëm nga arrestimi dhe kontrolli i banesës, jo nga masat e sigurimit që lidhen me ushtrimin e funksionit publik. “Kushtetuta e ka të përcaktuar qartësisht fushën e mbrojtjes. Pezullimi nga detyra nuk është i përfshirë. Për masat e tjera procedurale, referenca është Kodi i Procedurës Penale,” u shpreh ai.

Në një tjetër pikë, Martini u ndal edhe te reagimi i kryeministrit Edi Rama, i cili kishte deklaruar se vendimi i Gjykatës së Posaçme për pezullimin e Ballukut cenon balancën e pushteteve. Avokati e cilësoi këtë reagim si një presion të papranueshëm ndaj sistemit të drejtësisë.

“S’ka drejtësi nëse gjyqësori nuk është i mbrojtur nga ndikimet politike. Të thuash se është prishur balanca e pushteteve është jashtë realitetit. Këto janë çështje të Kodit të Procedurës Penale, jo të ekzekutivit,” deklaroi Martini, duke e quajtur ndërhyrjen e Ramës “brutale dhe të pajustifikueshme”.

 

© Panorama.al

Te lidhura