Të rinjtë, 49 për qind bëjnë seks të mbrojtur

Mar 24, 2011 | 12:00

Seksi i mbrojtur tek të rinjtë është rritur, por problem mbeten zonat rurale dhe metodat kontraceptive moderne. Këto janë disa nga të dhënat e studimit të USAID, me fokus planifikimin familjar dhe shëndetin riprodhues. Pas fushatës sensibilizuese të nisur prej dy vitesh, shifrat flasin për rritje të ndërgjegjësimit te të rinjtë. “Janë bërë dy studime dhe më anë të tyre janë nxjerrë të dhënat krahasimore. Është vënë re një rritje nga 31% deri në 49% e të rinjve në studimin përfundimtar që përdorin metodat moderne kontraceptive”, tha Arian Boci, koordinator i programit C-Change pranë USAID. Sipas tij, nga të dhënat e studimit ka rezultuar se metoda me e zgjedhur për të gjitha grupet ishte prezervativi. “Kjo është zgjedhje e kuptueshme, si metodë e planifikimit familjar dhe si mënyrë e mbrojtjes nga infeksionet seksualisht të transmetueshme. Të dhënat dëshmojnë gjithashtu se ka një ulje të ndjeshme të përdorimit të tërheqjes si metodë kontraceptive. Krahasuar me studimin fillestar, 7% më pak meshkuj raportuan këtë metodë”, tha Boci. Gjatë konferencës së djeshme, u bë edhe prezantimi e vlerësimi i projektit nga Edmond Dragoti, shef i departamentit të punës sociale. “Është një projekt mjaft i rëndësishëm për sensibilizimin e popullatës dhe mjaft rezultativ”, tha Dragoti. Ndërkaq, përfaqësuesja e USAID, Zhaneta Shatri, bëri me dije rekomandimet e nevojshme, në mënyrë që në të ardhmen të rritet sensibilizimi për planifikimin familjar. Gjatë takimit të djeshëm, përfaqësuesit e USAID dhanë certifikata edhe për gazetarët që kanë qenë pjesë e trajnimeve të tyre, si dhe dhanë çmimin e gazetarit me të mirë të këtij viti. Projekti ka pasur në fokus përmirësimin e përdorimit të metodave moderne të kontracepsionit tek të rinjtë dhe të rejat shqiptare.

© Panorama.al

Te lidhura