ARBEN BLLACI
Fati e ka vërtitur ashtu, që shqiptarët, duke e pasur akut kompleksin e shpëtimit apo të zgjidhjes së halleve të tyre nga të huajt, të njohin e të arkivojnë në memorien e tyre jo vetëm emrat, po edhe aktivitetin e politikanëve të botës, edhe pa qenë ky aktivitet detyrimisht një bëmë. Veçanërisht për prijësit a politikanët madhorë të vendeve rreth e rrotull, e më posaçërisht akoma, për rastin tonë, të ish-fqinjës së Veriut, Serbisë.
Njëri prej këtyre politikanëve, i ndodhuri dendur në fokusin e ngjarjeve të viteve të fundit, quhet Vuk Jeremiç. Është ministri aktual i Jashtëm i Serbisë. Një stërserb si gjithë të mëparshmit e tij, por çuditërisht me një fytyrë thuajse fëminore, si gjetje e spikatur e një maskimi të hollë të mesjetarizmit që karakterizon politikën serbe. Sigurisht që ndaj Kosovës, por jo vetëm ndaj saj, është fjala. I lindur më 1975-n, i rritur si kanakar në Beograd dhe i stërshkolluar dhe stërformuar në Londër, në Kembrixh dhe Harvard, me një barrë diploma e specializime, vjen e bëhet fare papritur personazh e shkak edhe i këtyre radhëve. Dhe jo thjesht për një trill. Në një të përditshme të rëndësishme të Tiranës, lexova shkaras një lajm të publikimit të WikiLeaks, subjekt i të cilit ishte pikërisht vogëlushi Jeremiç. Pa cituar motamo kabllin problematik, po them me fjalët e mia lajmin. Ambasadori amerikan në OKB paska thirrur në një takim pikërisht këtë Jeremiç dhe pa shumë doreza i ka komunikuar vendimin ndërkombëtar, ende të pashpallur zyrtarisht, se Kosova nuk do të jetë më nën Serbinë dhe Serbia duhet të fillojë të mendojë dhe të sillet si pa Kosovën nën hije. Kablloja pështjelluese vijon e përcjell përshkrimin e amerikanit të rëndësishëm, sipas të cilit, z. Jeremiç u ul i dërrmuar në karrige, mbështeti kokën në duar dhe… pas pak filloi të qajë. (Vini re, as iu mbushën sytë me lot, as u përlot për një çast etj., etj., vogëlima, por filloi të qajë, d.m.th. të qajë vendçe, ose me oiii, siç thuhet ndryshe.) Pas pak, fshiu sytë me shami, u çua dhe më tha (ambasadorit amerikan në OKB d.m.th.): “E mora mesazhin”… Dhe u ndamë ftohtë…
Mbylla gazetën vrik, a thua se mbylla një grykë furre nga ku shfrynte përvëlim. Mbase për shkak të inercisë së leximit, vura kokën në duar dhe unë, po jo për të qarë. Pata një shkulm timin, të paemër, sidoqoftë dukshëm shtrëngues, dukshëm pjesëtues. Koka mbi duar, dihet që s’qarkullon asgjë të gëzueshme. Një tridhjetepesëvjeçar, thuajse anglez nga formimi, qan foshnjërisht përballë një burri të huaj e të pushtetshëm, se i kanë shkulur e rrëmbyer një copë nga trupi i atdheut. Se ashtu është atdheu, në kokën e tij të stërserbizuar gjer në paradoks. Është një mëmë lavdiplotë, me një copë Kosovë, si një qyp me flori te këmbët, edhe pse të marrë e të mbajtur gjer dje, barbarisht, me dhunë e me gjak shekullor. Për të, sidoqoftë, është atdheu i tij, Serbia e tij. Dhe si çdo i vogël në dëshpërim, qan përballë dëshpëruesit të madh, ndaj të cilit është krejt i pafuqishëm. Dhe nuk ishte një konferencë shtypi, nuk ishte një forum të rinjsh apo veteranësh çetnikë etj., etj., të këtij kallëpi, në nevojë për t’u ndërkryer me ca lot ministri. Dhe ministri, me këtë rast, përlante ca adhurues e ca kredi politike më shumë. Jo. Ishte një zyrë, një takim tetë a tetë, siç i thonë, një bisedë normalisht e destinuar të mos përmendej gjëkund, po të varrosej pikërisht atje ku u bë, pa dëgjuar askush çfarë ndodhi, pa e marrë vesh askush, veç veshëve, që thonë se kanë muret… Dhe një i tillë kuadër, pra, vjen e i bën lotët e serbit ministër të çiltër, të sinqertë, të dalë nga shpirti. Thënë më shkurt, i bën lot të denjë për t’i adhuruar, edhe pse janë lot armiku!
I bën njëherësh edhe një leksion të madh patriotizmi, anipse është fort e pikëllueshme ta gjesh veten duke marrë leksione të tilla, pikërisht nga hasmi yt.
Po ja që s’ke ç’bën, pikëllimi është pjesë që përbën të vërtetën. Edhe të tilla të vërteta. Është ky pikëllim që ti ndien tek të afrohet gjer te goja e të kërcënon hundët për të të mbytur, kur e ul vështrimin ca më në jugë të Serbisë, kur e shtrin vëmendjen te ky atdheu yt. Te ky atdheu ynë. Dhe ashtu me kokën mbi duar, lëshon teposhtë një vështrim vertikal që nga maja e dijenive që ke e që, falë megalomanisë së shkollës komuniste, janë mjaftueshëm të plota për historinë. Për historinë, se ditët që jetojmë po i kutërbojmë për së gjalli, duke i jetuar të padenja për t’u futur ndonjëherë në histori. Kërkon e kërkon ndonjë ministër tridhjetë e pesë apo shtatëdhjetëvjeçar qoftë, të pardjeshëm, të djeshëm a të sotëm, me sy të përshtatshëm për ca lot patriotikë si të Jeremiçit. Po aha, tmerrësisht e vështirë! Përkundër, fare e lehtë të konstatosh se gjatë shekullit të kaluar, e patjetër, për shkak të traditës, edhe në shekullin që jemi, janë të shumtë ministrat dhe turli lloj udhëheqësish, që kanë shtruar udhën e historimit të tyre duke pasur të gatshëm në brez, si plaçkë shkëmbimi, copa Shqipërie. E kanë ditur qerratallarët se mjeti tokë, tokë atdheu sidomos, është më i papërsëritshmi për pazare të majme, e sa të majme, po aq edhe të fëlliqura. Epoka e re njerëzore e ka lënë prej kohësh pas shkëmbimin e sundimit dhe historimit me tokë atdheu. Prijësit e të tjerëve, që duan sundim dhe historim medoemos, edhe në ndodhtë që në harta t’u zërë syri ndonjë copë shpatull apo brinjë atdheu për peshqesh, as në mend nuk kuturisin ta shpien për ta bërë. Se edhe në dalshin mendsh ata, ua vënë koqet në bigë popujt e tyre!
Ndër ne ndodh ndryshe. Janë koqet e ndonjë shqiptari të rrallë që ngre zërin, se vetëm zërin ka armë e mjet, që vihen në bigë nga supermatrapazët. U kalamend kolonel Pashaj i mirënjohur, në një debat televiziv për hallin e madh kombëtar për të cilin vuri kujën. U hutua me të drejtë, se bëhej fjalë për copë atdheu kërryer në pazar. Kujt nuk do t’i ngjetheshin mishrat e kush nuk do të humbte toruan, ndoshta edhe për fare, nga zbulimi i një gjëme e tillë! Mirëpo shumica e mediave dhe e opinionit isombajtës drithëroi nga një gëzim i lig. Nuk e mbrojti dot fandaksjen e tij. U qorolleps, dështoi koloneli i rrjedhur.(!) E gati e vunë në kryq. Në të vërtetë i duhej ngritur një monument, bri përbri me Mujo Ulqinakun. Ç’duhet, vallë, të bëjë më shumë një njeri për të merituar monumentin, sesa t’i shpëtojë atdheut të tij 225 kilometra katrorë det?
Po trajtohen si milingona problematike një tufë minatorësh bulqizakë të mjerë, që kanë vënë kokën rehem për pesë groshë më shumë në qesenë e tyre as sa hudhra e madhe. Por janë shqiptarë gjer në rrënjë, se kanë kusht kryesor për të ndalur flijimin, shpëtimin e një cope të florinjtë Shqipërie nga nulizimi. Dhe nuk mjafton fodullëku i padronit të huaj që iu ulet me helikopter mu para hundës, mu në tokën e djersës dhe gjakut të tyre. Por duhet, sigurisht, edhe qorrëria dhe vuvëria e të pushtetshmëve, për ta përsosur cinizmin dhe poshtërimin. Doemos, se u është prishur pazari. Pazari me tokë atdheu. Ankohen të gjorët që gjoja jetojnë fushave naftëmbajtëse, se po i helmon toka e tyre. Edhe pse e pashitur fizikisht, është me dobi të shitur për një okë misër, tek një mori hamorigësh të huaj që bubrrojnë dhe zhvatin ditë natë gjakun e tokës sonë, për hesap të tyre dhe të kopukëve dhe pufteve sekserë me pasaportë politike. Dhe në vend që t’i zërë nëma e atdheut të zhvatur, në vend që zjarri i naftës së vjedhur të shndërrohet në zjarr xhehenemi, për një anomali edhe të gjyqit të mbramë, ata farfurijnë tribunave, me dukje mesie dhe mirësi prej kallauzi nëpër xhenet.
Tok me tokën, duhet shitur dhe shpirti, që gjëma të puthitet. Ç’nuk sajohet për t’u vënë në tundim dhe në thyesë, morali i një populli të tërë. Me lloj-lloj emrash të bukur r të pakuptuar për shumicën, emërtohen letrat katran të zeza, ku shqipo-zinjtë me njërën këmbë në Greqi e me një majë këmbe në tokën e tyre shterpë për ta e hambar floriri për prijësat, duhet të thonë, “të lirë” sigurisht, kombësinë e tyre. Po ka një stomak para se të ketë një flamur. Kush vë flamurin para stomakut, quhet hero. Mirëpo të tillët janë rralluar së tepërmi këtyre kohëve moderne. Ndaj mbyll sytë, vuri një gur zemrës dhe… shpall kombësinë, sot një herë, pa nesër le të dalë ku të dalë! Dhe të thuash jam grek, me germa shqip! Babai e nëna, se fëmijët i kanë harruar tanimë fare ato germa të bekuara.
Është një brez i tërë filizash shqiptarë, që as në hartë nuk e dinë më ku bie atdheu i tyre. Është e pamundur të asistosh në një takim të shenjtë gjysh-nip a mbesë, e të mos bësh buzën gjak nga kafshimi tek sheh se komunikojnë me shenja e me klithma! S’ka gjëkund një shkollë a një mësues në vendet ku kanë lindur e jetojnë. S’ka askush asgjë, as në skutën më të largët të mendjes dhe dëshirës, asnjë përçapje të shpëtojë ç’mund të shpëtohet nga kjo hata e madhe që po i ndodh identitetit tonë. Më në fund e mu në zgrip të së keqes, një grupi të rinjsh, i mbërriti në shpirt diçka nga dhimbja e atdheut. U bënë mukajet të thonë së paku: “Pa dale një herë, ç’është kjo punë kështu?!”. Dhe vunë për emër të shoqërisë së tyre Kuqezinë e flamurit. Mirëpo, pikërisht për këtë emër e për atë që kanë synim të bëjnë, u shpallën faqezinj(!) O pikë e zezë, o pikë!
Punë e mynxyrshme numërimi i të tilla halleve. Po njëherësh krim i rëndë, të thuash çi q… t’ëmën, e ta bësh këtë moskokëçarje fatale, mënyrë të ngrysjes së ditëve të jetës së atdheut tënd. Në mos mundshim të bëjmë më shumë sot, se e keqja që na ka zënë, është përtej takatit tonë për ta flakur, të paktën të qajmë si Jeremiçi. Por me lot shqiptarë. Nga lotët e protestës dhe pastaj nga gjaku, mëkohen ditët e bukura të së ardhmes!











