
Dy ish-të përndjekurit politikë, Gjergj Ndreca dhe Lirak Bejko, kërkojnë thirrjen si dëshmitarë në procesin në ngarkim të tyre të Kryeministrit të vendit, Sali Berisha, ministrit të Ekonomisë, Ridvan Bode dhe deputetit të PD, Ilir Rusmali.
Kërkesat në fjalë janë paraqitur në seancën e djeshme gjyqësore ndaj të përndjekurve të akuzuar për goditje për shkak të detyrës në procesin e hapur në Gjykatën e Tiranës. Ndreca dhe Bejko po gjykohen për akuzat e ngritura për goditjen e deputetit Ilir Rusmali dhe ish-hetuesit Agim Tirana. Burime brenda seancës bënë të ditur se kërkesa për pyetjen në cilësinë e dëshmitarit është bërë nga mbrojtësja e të pandehurit Ndreca, avokatja Vlollca Pustina. Sipas avokates, prokuroria nuk kishte kërkuar si dëshmitar personin që kishte qenë “fillesa” e akuzave të ngritura ndaj dy të pandehurve. Ndërsa thirrjen në cilësinë e dëshmitarëve në proces të Kryeministrit Berisha dhe ministrit Bode e ka kërkuar vetë i pandehuri Ndreca. Sipas të pandehurve, ata do të sqaronin se përse nuk i kanë shpërblyer të përndjekurit. Kërkesat e të akuzuarve janë kundërshtuar nga përfaqësuesi i Prokurorisë në proces. Sipas burimeve, gjykata i ka administruar kërkesat në procesverbalin e seancës dhe do të shprehet për to në seancën e ardhshme. Po sipas burimeve, u mësua se Ndreca ka kërkuar thirrjen si dëshmitarë edhe të personave të tjerë pjesëmarrës në protestën në ditën kur ndodhi incidenti me deputetin Rusmali. Ngjarjet për të cilat janë vënë në akuzë Gjergj Ndreca dhe Liraj Bejko u shënuan më 16 dhe 22 shkurt 2012, në zonën para Kuvendit të Shqipërisë. “Nga hetimi ka rezultuar e provuar se: në datën 16.02.2012, rreth orës 09:30, përpara godinës së ish-të përndjekurve politikë po bëheshin homazhet ndaj ish-të dënuarit politik, Gregor Zahari, vjeç 74, i cili kishte vdekur para disa kohësh dhe kishte qëndruar në Morgun e Tiranës disa ditë. Kufoma e këtij shtetasi nuk ishte tërhequr nga Morgu i Tiranës, pasi ky shtetas nuk kishte të afërm. Rreth orës 10:00, një grup ish-të përndjekurish politikë po bënin homazhe në kujtim të Gregorit. Në këtë kohë, nga Kuvendi i Shqipërisë ka dalë deputeti Ilir Rusmali për të shkuar te makina e tij. Aty i pandehuri Lirak Bejko është afruar pranë deputetit dhe e ka goditur këtë deputet për shkak të detyrës së tij si deputet (fakt i cili pranohet dhe nga vetë i pandehuri Lirak)”, thuhej në kërkesën për gjykim të Prokurorisë. Po sipas organit të akuzës, në datën 22.02.2012, në vendin e quajtur lokal-bar-restorant “Lulishte 1 Maji”, i pandehuri Gjergj Ndreca ka goditur shtetasin Agim Tirana për shkak të detyrës së tij si hetues, që ky shtetas ka pasur para shumë kohësh.
Tri rastet e dhunës
I përndjekuri politik Gjergj Ndreca akuzohet në procesin gjyqësor të hapur ndaj tij nga prokuroria për goditjen për shkak të detyrës të deputetit të Pd Ilir Rusmali dhe fyerjen e ministrit të Financave dhe deputetit tjetër të djathtë, Ridvan Bode. Dy ngjarjet kanë ndodhur para parlamentit në ditët e seancave plenare. Gjergj Ndreca akuzohet edhe për goditjen e avokatit Agim Tirana, të cilin e akuzonte si persekutor të tij gjatë regjimit komunist.
ARMAND BAJRAMI











