
DURRES – Qindra qytetarë durrsakë kanë “pushtuar” dje zyrën e kryetarit të Bashkisë me shpresën për të përfituar një nga 150 hyrjet e reja që do të ndahen së shpejti për të pastrehët. Qytetarët kanë pritur për një kohë të gjatë përpara hyrjes së Bashkisë, duke mos u lejuar nga efektivët e Policisë Bashkiake për të hyrë brenda, por sapo kryebashkiaku Dako ka nisur të ngjisë shkallët, qytetarët kanë thyer kordonin e policisë dhe janë dyndur në zyrën e Dakos. Kërkesat e shumta që janë regjistruar në Bashkinë e Durrësit për strehim kanë bërë që procesi i ndarjes së 150 hyrjeve të reja për të pastrehët të vështirësohet edhe më shumë. Pas hyrjes në zyrën e tij, kryetari i Bashkisë ka lejuar hyrjen e të gjithë qytetarëve të pranishëm, të cilët kanë zënë vend në sallën ku zhvillohen mbledhjet e KRRT-së. Një pjesë kanë qëndruar në këmbë, kurse pjesa tjetër në korridore, për shkak se salla ka qenë e pamjaftueshme për të hyrë të gjithë personat e pranishëm. Dako i ka siguruar qytetarët se kërkesat e tyre do të shqyrtohen me kujdes të madh, duke shtuar se komisioni i strehimit ka kohë që po punon për këtë punë. Pas kësaj qytetarët janë përcjellë, ndërsa Vangjush Dako ka deklaruar për mediat se procesi i ndarjes së 150 apartamenteve të reja është shumë i vështirë. Ai ka deklaruar se ka një numër prej 4500-5000 persona të pastrehë në qytetin e Durrësit dhe apartamentet e reja që do të ndahen janë vetëm 150. Hyrjet që po ndërtohen në afërsi të Ujësjellësit janë në përfundim e sipër dhe ato janë ndërtuar me anë të një kredie të butë dhënë nga Banka Botërore nëpërmjet Entit Kombëtar të Banesave. l.m











