
Ora 22:30 e së shtunës na gjeti te shkallët e Urgjencës së Shërbimit të Neurologjisë, në spitalin “Nënë Tereza”. Duhet të verifikonim një lajm për një person publik që mund të ishte shtruar aty. Roja na orientoi të hynim në korridorin e gjatë e më pas duhet të ktheheshim majtas. Duke përshkuar korridorin, po përtypnim mendimin se kishim disa vjet pa ardhur aty. E teksa arritëm në fund të korridorit, për një çast na erdhi rëndë se si mund të na kishte shpëtuar një gjendje kaq mjerane e këtij shërbimi. Një karrige me rrota krejt e thyer na bëri të ndalonim pak duke harruar qëllimin pse kishim ardhur. Dëshmi e qartë se në këtë shërbim trajtohen persona me probleme tepër serioze për shëndetin, në jo pak raste të pakthyeshme, zor se mund të gjesh në hyrje të një urgjence. Pikërisht aty përplasen dhjetëra qytetarë që kalojnë paralizë apo shqetësime madhore neurologjike. Muret e korridorit në të dyja anët, pa suva. Lagështira dukej qartë në çdo cep dhe përballë një derë e hapur nga ku i ftohti “priste gozhdë”. Ndoshta ditën gjendja nuk do të na ishte dukur aq e rëndë. Do të verifikonim lajmin për të cilin kishim ardhur dhe kaq. Fundja kishim parë edhe më keq. Por i ftohti mpirës dhe klithmat e një gruaje që dëgjoheshin pa kaluar korridorin nuk mund të na linin indiferentë. Përballë dy krevate bosh për shërbim të shpejtë. “Para nja gjysmë ore i kishe me të sëmurë”, na tha një prej familjarëve, i cili na pa që shtangëm. Kur i thamë se aty ishte tmerr ftohtë, me shikim na drejtoi për te dhoma ngjitur. Në fakt nuk ishte tamam një dhomë. Nga korridori kishte një ndarje duralumini dhe dera ishte e hapur. Njësoj ftohtë dhe aty, si në korridor. Pastaj ajo klithma e asaj gruas sërish. Te koka i qëndronin dy familjarë, ndërsa rënkimet i vinin nga e pandërgjegjshmja. “Është rëndë, sapo erdhi. Këtu nuk ka as ngrohës. I kemi hedhur nja tri batanije, po ajo dridhet, ka ethe”, na tha njëri prej familjarëve me zë fare të ulët. Gruaja ngjitur nuk bëzante. Ishte në kllapi.
Gjendja skandaloze
Pa arritur deri te dhoma e mjekëve, dolëm edhe njëherë jashtë. Kësaj here duke marrë frymë thellë e duke u përpjekur ta shihnim gjithçka me më tepër objektivizëm. Asnjë lloj ndryshimi, përveç korrentit që bënte dera e hapur. Ngrije njësoj si jashtë. Në mendje na u risoll përurimi i disa muajve më parë në godinën binjake të Neurokirurgjisë. Investimi kolosal i bërë aty, ku asgjë nuk dallon nga spitalet europiane, në mënyrë të pavetëdijshme na kishte bërë të mendonim se edhe te Neurologjia kushtet nuk mund të ishin kaq skandaloze. Ndoshta kjo kishte qenë arsyeja pse kishim frenuar veten ta vizitonim së fundmi, pavarësisht ankesave të dhjetëra familjarëve që na kishin ardhur në vesh. “Ngrohës nuk ka. Mezi i kanë vënë edhe në reanimacion, e jo më këtu. Nuk është vënë dorë për asgjë. Unë nuk punoj këtu, por kam një familjare timen. Jam nga një pavijon tjetër, por më kanë lënë të hyj edhe në reanimacion. Skandal dhe aty”, na tha një infermiere që e kish me ngut, ndonëse nuk kishte çfarë t’i shtonte më asnjë presje përshkrimit. Kthehemi sërish brenda drejt dhomës së mjekëve. Trokasim dhe nga brenda na vjen një valë i nxehti që ndjehet menjëherë. Ah, të paktën aty kishte ngrohje. Brenda nuk ishte vetëm mjeku i rojës, por edhe dy të tjerë me bluza të bardha. Të gjithë të mbledhur pranë rezistencës të graduar në maksimum. Nga jashtë dëgjuam sërish atë klithmën e asaj gruas të mbuluar me tri batanije të irnosura. Siç duket hutimi na lexohej në fytyrë, pasi disponibiliteti për të na ftuar brenda ishte maksimal. “Jo, nuk kam njeri timin, thjesht interesohem për një person nëse është shtruar këtu. Ka të tjerë pacientë, apo vetëm ato gratë?”. Edhe vetë po habiteshim nga mënyra se si flisnim. Pasi morëm përgjigjen se kishim ngatërruar pavijon e duhej të shkonim në Psikiatri, duhej veçse t’i falënderonim për ndihmën. Fundja s’ka asnjë arsye pse ata mjekë të turnit të tretë të ngrijnë njësoj në të ftohtë si pacientët. Kushtet e urgjencës nuk janë detyrë e tyre. Duhet të kalonim sërish pranë asaj gruas që nuk ndalej për asnjë çast. Pas shpine arritëm të dëgjonim edhe kërcitjen më të fortë të dhëmbëve. Me siguri që nuk do të ndryshonte asgjë edhe një tjetër batanije.
Sëmundjet që trajtohen
Nga dhimbja e kokës deri te paralizat nervore. Migrena është sëmundja më e zakonshme që merr trajtim në Shërbimin e Neurologjisë. Janë me dhjetëra pacientë që drejtohen çdo ditë në këtë shërbim, i cili nëse urgjencën e ka në gjendjen mjerane që ne gjetëm, jo më mirë nuk ka edhe pavijonet. Këtë fakt na e konfirmuan burime nga ky spital, të cilët u ankuan edhe për mungesën e investimeve në reanimacionin e këtij shërbimi.Mungesa e pajisjeve
Nga një studim i pak kohëve më parë, bërë nga Instituti i Shëndetit Publik, ka rezultuar se urgjencat e spitaleve kanë nevojë për ndërhyrje të menjëhershme. Me spitalin e ri te “Nënë Tereza” situata, për hir të së vërtetës, ka një përmirësim. Nga sa kanë konkluduar specialistët në shërbimet ekzistuese mungojnë pajisjet e ndihmës së shpejtë. Mjetet janë të amortizuara dhe mjekët shpesh nuk kanë as dorashka.
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











