Kryeministri ynë u shpreh në një emision televiziv se çështja e pastërtisë së mjedisit po bëhet mjaft shqetësuese dhe se është e papranueshme që njerëzit t’i hedhin bishtat e cigareve dhe letrat ku të munden. Se përshkrimet për papastërtinë e mjedisit në mediat jashtë vendit nga turistët e huaj janë mjaft të rënda për imazhin e vendit. Por, edhe ngjarje të ndryshme të kriminalitetit janë gjithashtu të rënda. Këto të fundit, në fakt, mund t’i gjesh edhe gjetiu. David Cameron, para dy vjetësh, në një fjalim partie, përshkruan vrasjen me thikë në Viktoria Station, në mes të ditës, të një adoleshenti kur njerëzit lëviznin si lumë dhe ku askush nuk ktheu kokën. Me tej ai thotë se shumë dukuri po kthehen në makthe, duke marrë si shembull se në shkolla po vendosen detektorë metalikë për kontrollin e nxënësve, ka vetëvrasje për shkak të borxheve, përdorimi i drogës, të pastrehët e të tjera si këto. Kamerun thotë se po jetojmë në një shoqëri të copëtuar, egoiste, indiferente, të pamoralshme.
Zgjidhja për këto çështje nuk mund të vijë vetvetiu. Ato nuk janë përgjegjësi e drejtpërdrejtë vetëm e institucioneve; zbatimi i ligjit në këto nivele nuk është fort i lehtë, por nuk bëhet as me një urdhër, konstatim, aq më pak brenda ditës.
Zbutja dhe eliminimi i dukurive të mësipërme kërkon një shoqëri të përgjegjshme, një shoqëri ku forca kryesore lëvizëse nuk është fuqia e shtetit apo qeveria, por vetë shoqëria. Një shoqëri që ne të bëhemi së bashku për të zgjidhur problemet.
Por, le të mbetemi vetëm te pastërtia e rrugëve, plazheve apo mjediseve të tjera publike. Shembujt e papërgjegjshmërisë shoqërore janë të pashembullta. Mund të ndeshesh edhe me komshinj që i lënë mbeturinat jashtë derës së tyre apo edhe në ashensorin e pallatit. A mund ta zgjidhë këtë shteti? A mund ta zgjidhe Policia Bashkiake hedhjen e bishtit të cigares apo letrës përtokë? Shumëkush thotë se ky rregullim shoqëror do kohë, dhe kjo është e vërtetë, sepse lidhet me arsimin, edukimin, gjendjen shoqërore e të tjera që me gjithë ndërhyrjet e shtetit, vështirë se mund të përmirësohet situata ndjeshëm.
Argumenti i vetëm e thelbësor për adresimin e problematikës komunitare, zbatimin e ligjit dhe rregullit është zhvillimi i përgjegjshmërisë individuale dhe shoqërore për jetën publike në përgjithësi. Pra, me një fjalë, këtë duhet ta bëjë vetë shoqëria, vetë individët. Por, a ka një rol shteti për të luajtur?
Absolutisht po. Shteti dhe qeveria duhet të përshpejtojnë kohën për të nisur, inkurajuar, mbështetur dhe forcuar jetën komunitare të individëve për përmirësimin e cilësisë së jetës në komunitet. Qeveria vendore dhe qendrore duhet të kuptojnë se gjendja do të përkeqësohet nëse nuk hiqet dorë në një shkallë që është e pranueshme nga monopoli i menaxhimit të jetës publike, por të nxisë një qëndrim sa më aktiv të qytetarëve përmes organizimeve komunitare ndaj çdo lloj problematike, qoftë mjedisore, kriminaliteti apo shoqërore në përgjithësi.
Mbështetja e qeverisë për forcimin e komunitetit tashmë në Britaninë e Madhe po realizohet përmes punësimit të 5 mijë organizuesve komunitarë që trajnohen nga institucione publike apo jopublike, por me fonde buxhetore për t’u shpërndarë në vendet më në nevojë kudo në Britani, për të punuar për organizimin e komiteteve vendore me sipërmarrje vullnetare në dobi komunitare. Sipas Cameron, detyra e organizuesve të komunitetit është të punojnë në lokalitete të ndryshme për të ngritur shpirtin komunitar, të ngrenë apo forcojnë, aty ku ekzistojnë, organizata me bazë komunitare duke rritur efektivitetin e tyre, të nxisin sipërmarrje të ndryshme sociale dhe të fuqizojnë komunitetet vendore për atë çka atyre u intereson. E gjitha kjo, sipas Kryeministrit britanik, për t’u dhënë pushtetin njerëzve dhe për të rritur përgjegjshmërinë individuale dhe shoqërore, për t’i prerë rrugën papërgjegjshmërisë sociale, sido e ngado të shfaqet ajo.
Me fjalë të tjera, qeveria ka një sërë detyrash kushtetuese për të bërë, të investojë dhe shpenzojë sa më mirë të jetë e mundshme për interes publik të mjeteve në dorë të saj. Por, në asnjë rast ajo nuk mund t’i arrijë e vetme rezultatet e dëshiruara. Edhe në turizëm. Edhe për dhunën në familje, kriminalitetin, përjashtimin social të individëve apo grupeve të ndryshme, zhdukjen e varfërisë apo pabarazisë sociale. Ajo duhet të krijojë jo vetëm një mjedis sa më favorizues për zhvillimin e iniciativës së lirë të qytetarëve dhe komuniteteve, por të angazhojë fonde dhe mbështetje edhe me ngritje kapacitetesh për zhvillimin e iniciativave komunitare.
Nëse në Britaninë e Madhe u desh nisma qeveritare për “shoqërinë e madhe” për të shkuar drejt një realiteti që qeveria të punësojë 5 mijë veta si organizues komuniteti, ndërkohë, në vendin tonë, kjo strukturë ekziston për shkak të traditës së organizimit kombëtar, por që do vetëm vizion dhe vullnet për t’i funksionalizuar ndërlidhësit komunitarë, qoftë në Tiranë, qoftë në të gjithë Shqipërinë, për të investuar drejt ndreqjes së një shoqërie të copëtuar dhe moralit qytetar të përçudnuar.
© Panorama.al












