Dita e 51-të e protestës dhe rezistencës së shqiptarëve në betejë për të larguar kastën e vjetër politike dhe rrëzuar qeverinë, mblodhi përsëri një masë të madhe qytetare në Tiranë.
Nga sheshi “Skënderbej”, qytetarët u shprehën të revoltuar me skandalet e qeverisë dhe gjendjen social-ekonomike.
Një prej tyre akuzoi për zhvatjen e pronave qeverinë dhe mungesën e kompensimeve, teksa tha se protestohet për shkak të skandaleve të qeverisë.
“Dalim në protestë për skandalet e qeverisë shqiptare. Duhet ta nisim nga Enver Hoxha në vitin 1945 me pronat, që na i mori. Pastaj në vitin 1991 u tha se do kompensoheshin sidomos pronat bregdetare. Mirë i morën, por ta na japin të hanë, se iku kjo, të paktën të na kompensohen. Dokumentet janë atje, të miat në Berat, por ne duam të kompensohemi, se mirë pronat na i morën”, tha ai.
Më tej akuzoi kryeministrin Edi Rama për keqqeverisje, teksa vuri në dukje rrogat dhe pensionet e ulëta. Ai iu përgjigj kryeministrit duke thënë se nuk ishin as korba dhe as sorra, duke kërkuar mirëqenie.
“Kryeministri bridh, Taulanti vendos. Ne kemi marrë fund, ndaj bëj thirrje me studentë, pensionistë e qytetarë që të marrin pjesë në protestë. Në Evopë edhe qentë pinë ujë, kurse këtu nga Kinostudio në Kombinat nuk ke një çezmë për t’u freskuar, s’ke ku hedh cigaren. Ne nuk jemi as korba e as sorra, mos na tegojë as kërriç e të tjera. Ne duam përkrahje sociale, këtu 40 mijë lekë, në Gjermani 400 euro, një pensionist këtu 70 mijë, jashtë 700 euro. As në autobus nuk ka kondicionerë. Kaq kisha, të ikin sa më parë këto qelbësira”, tha ai.
© Panorama.al












