“Të gjithë rreth tryezës së BE deri në anëtarësimin e plotë” – Rama: S’i thua dot fëmijës rri tek komshiu, mund të njohë ndonjë gangster rus apo kukull kineze

Jun 5, 2026 | 14:44

Kryeministri Edi Rama, nga Tivati i Malit të Zi, theksoi se Bashkimi Evropian duhet të gjejë guximin dhe të pranojë vendet kandidate në tryezën e saj përpara se ata të bëhen anëtare me të drejta të plota të Unionit Evropian.

edi rama

“Kam kohë që e them këtë, më në fund po dëgjohet po nuk mjafton tani besoj që Evropa mbi të gjitha për vetveten duhet të jetë më e guximshme, të ruajë procesin bazuar në meritë, të shkojë në drejtimin e integrimit gradual, por duhet të gjejë këllqet për një moment të ri të llojit Helmut Kohl, kur muri ra ky njeri i madh nuk iu tha gjermano-lindorëve se tani kemi 35 kapituj për tu përfunduar përpara se të bëhemi bashkë, por tha ne jemi bashkë. Dhe më pas do t’iu ndihmojmë që të përmbushni. Pra nëse BE kërkon t’i përçojë botës një mesazh shumë të fortë dhe ti japë vetes energji të mëdha duhet të thotë se kështu siç jemi sot rreth tryezës, gjithsecili me statusin e vet derisa të bëhemi anëtar me të drejta të plota”, u shpreh Rama.

Kryeministri, teksa shprehu mbështetjen e integrimit gradual, tha se BE-ja nuk mund t’i thotë “fëmijëve” që të presin dhe të qëndrojnë tek komshiu, sepse mund të njihen me ndonjë gangster rus apo kukulla kineze, duke iu referuar rrezikut që paraqet Rusia dhe Kina dhe ndikimi i tyre në Ballkanin Perëndimor.

“Shpresoj që dy miqtë e mi të mëdhenj (Merz dhe Macron) dhe liderët e respektuar të Francës dhe Gjermanisë të gjejnë më shumë energji për të qenë më shumë si Helmut Kohl dhe François Mitterrand. Argumenti i rrezikut tashmë ka marrë fund. E kam dëgjuar për shumë vite. Kam parë njerëz që vijnë e ikin, ndërsa unë vazhdoj të jem këtu. Shumë prej tyre ikën pasi u ishte thënë vazhdimisht: “Prisni edhe pak, do t’ju fusim brenda”. Ndërkohë që kanë dalë jashtë. Prandaj nuk bëhet fjalë për një dhomë pritjeje, por për më shumë integrim.

BE-ja duhet të gjejë kurajon për një moment të ri si ai i Helmut Kohlit: të gjithë bashkë rreth tryezës, secili duke përmbushur detyrat e veta për të marrë më shumë përgjegjësi dhe përfitime. Nuk u thua fëmijëve: “Qëndroni te fqinjët derisa të jeni gati të hani me ne”. Sepse njëri mund të njohë gangsterë rusë në lagje, tjetri mund të magjepset nga kukullat kineze, e kështu me radhë. Jo. Fëmijët duhen mbajtur bashkë”, tha Rama.

I pyetur për një parashikim lidhur me afatin e integrimit, kryeministri tha me batutë:

Ka 3 gjëra që s’mund t’i parashikosh: Zoti, seksi dhe BE”.

© Panorama.al

Te lidhura