Kryeministri Edi Rama ka folur nga Samiti BE-Ballkani Perëndimor që po mbahet në Tivat të Malit të Zi, si për problematikat e zgjerimit, por edhe për çështjet që lidhen me integrimin e Shqipërisë dhe aktualitetin e ditës, protestën e qytetarëve për Zvërnecin.
Teksa u pyet nga gazetarët ai tha se nuk kishte një projekt për t’u diskutuar dhe as për t’u miratuar, teksa i cilësoi si luftë hibride, duke këshilluar edhe median ndërkombëtare që të jetë e kujdesshme.
Rama nënvizoi se po përpiqet që situata të paraqitet e rreme nëpërmjet narrativës sikur ai, Netanyahu dhe dhëndri i presidentit amerikan, Kushner, do sjellin palestinezët në Zvërnec, gjë që nuk ishte e vërtetë.
“Nuk ka kërkesa për t’u diskutuar sepse nuk ka ende një projekt për t’u miratuar. Kështu, së pari duhet të kemi projektin dhe pastaj ta shohim e diskutojmë projektin. Por nuk diskutojmë dot një projekt që nuk ekziston. Por po paraqitet në të gjitha mediat sociale në një luftë hibride kundër Shqipërisë, me narrativa të rreme se ky projekt nuk është projekt, por diçka e gatuar midis meje dhe Bibi Netanyahut përmes Jared Kushnerit për të sjellë palestinezët në Zvërnec”, tha kryeministri.
Më tej ai vijoi të shpjegonte se me rëndësi ishin faktet dhe se investimi që po përgatitej do kishte inxhinierët dhe arkitektët më të mirë, me një projekt si dhuratë shqiptare edhe për Evropën.
“Dhe mendoj që media perëndimore duhet të jetë shumë e kujdesshme sepse faktet kanë rëndësi dhe kanë rëndësi gjithmonë, sepse nuk ka një projekt, nuk ka arsye për t’u shqetësuar për aq sa ka të bëjë me projektin. Por edhe se arkitektët më të mirë në botë, inxhinierët më të mirë, janë angazhuar. Qëllimi është që të mos prekim mjedisin por të bëjmë diçka të jashtëzakonshme që do të jetë edhe një dhuratë nga shqiptarët për të gjithë Evropën”, përfundoi Rama.
© Panorama.al












