Këto janë pamjet e përcjelljes sot (5 qershor) për në banesën e fundit të policit dëshmor Enea Mekolli, që humbi jetën gjatë një operacioni dhe në krye të detyrës ditën e djeshme në Lozhan të Maliqit, kur u qëllua për vdekje nga i shumëkërkuari Violand Braçellari, para se ky i fundit të neutralizohej dhe prangosej.
Mijëra qytetarë, miq, të afërm, kolegë dhe banorë i dhanë lamtumirën e fundit efektivit, pak pas mbarimit të homazheve në Pogradec.
Familjarët e tij ishin shprehur që Enea të prehej në vendlindjen e tij dhe sot pasdite polici dëshmor u përcoll në banesën e fundit mes dhimbjes dhe lotëve.
Vargu i gjatë i pjesëmarrësve përcolli makinën e arkëmortit deri në nderimet e fundit.
Të pranishëm edhe ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, kryepolici Skënder Hita dhe drejtues të Policisë së Korçës.
Në nderim, familjarëve iu dha edhe flamuri shqiptar, kapela e certifikata e “Dëshmorit të Atdheut”.
Gjatë aksionit në Lozhan mbeti i plagosur edhe efektivi tjetër Edison Adri, që po mjekohet në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Gjithashtu u plagos edhe i dënuari për drogë Braçellari, që gjithashtu ndodhet në spital.
© Panorama.al



















