Partia Demokratike denoncoi një tjetër rast të dyshuar abuziv të qeverisë në shpërdorim fondesh e tenderësh.
Zëdhënësja Antikorrupsion e selisë blu, Genta Vangjeli, teksa publikoi edhe dokumente ditën e sotme në një konferencë për mediat (5 qershor), shpjegoi se bëhej fjalë për mënyrën e ngritjes së Bankës Shqiptare të Zhvillimit, teksa përdoren fonde publike për qëllime klienteliste, pa projekte dhe strategji.
Ajo u shpreh se pas miratimit të ligjit për krijimin e bankës dhe alokimit të 1 miliard lekëve si kapital fillestar, institucioni vazhdon të mos ketë një strategji të qartë funksionimi, strukturë operacionale apo plan zhvillimi.
Sipas saj, në vend që këto elemente të ndërtoheshin nga vetë administrata shtetërore, qeveria ka hapur një procedurë konsulence me vlerë 3.3 milionë euro për hartimin e kuadrit institucional, strategjik dhe operacional të bankës.
“Në vend që këto kapacitete të ndërtoheshin nga vetë shteti përmes ekspertizës institucionale, qeveria ka vendosur të hapë një tjetër tender miliona eurosh për konsulencë. 3.3 milionë euro do të shpenzohen për një kompani private, e cila do të hartojë dhe konsolidojë kuadrin institucional, strategjik dhe operacional të Bankës. Ndërkohë që propaganda flet për zhvillim, ekonomia reale po vuan mungesën e kredive, bizneset e vogla po mbyllen dhe të rinjtë po largohen nga Shqipëria”, tha ajo mes të tjerash.
Në fund ngriti edhe disa pyetje publike, ku nënvizoi se shqiptarët meritojnë të dinë të vërtetën.
Deklarata e zëdhënëses së Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli:
“Qeveria shqiptare po ndërton një tjetër mekanizëm të shtrenjtë propagande dhe klientelizmi me emrin ‘Banka Shqiptare e Zhvillimit’, ndërsa qytetarët dhe bizneset vazhdojnë të përballen me taksa të larta, mungesë financimi dhe ekonomi të rrënuar. Pasi Kuvendi miratoi ligjin për krijimin e Bankës Shqiptare të Zhvillimit dhe pasi qeveria derdhi 1 miliard lekë nga paratë e shqiptarëve si kapital fillestar, sot rezulton se institucioni ende nuk ka as strategji, as model funksionimi, as strukturë operacionale dhe as plan të qartë zhvillimi.
Në vend që këto kapacitete të ndërtoheshin nga vetë shteti përmes ekspertizës institucionale, qeveria ka vendosur të hapë një tjetër tender miliona eurosh për konsulencë. 3.3 milionë euro do të shpenzohen për një kompani private, e cila do të hartojë dhe konsolidojë kuadrin institucional, strategjik dhe operacional të Bankës. Ndërkohë që propaganda flet për zhvillim, ekonomia reale po vuan mungesën e kredive, bizneset e vogla po mbyllen dhe të rinjtë po largohen nga Shqipëria.
Shqiptarët kanë të drejtë të dinë: Pse një bankë shtetërore krijohet pa pasur paraprakisht strategjinë dhe strukturën bazë? Ky është modeli i një qeverie që nuk ndërton institucione të forta, por ndërton skema të kushtueshme propagande dhe klientelizmi me paratë e qytetarëve shqiptarë”.
© Panorama.al
















