Të gjitha sekretet e “The voice” dhe të “Big Brother 5”

Dec 10, 2011 | 13:24
Autori i dy programeve, Rezart Aga

Janë dy programe që kanë bërë për vete të madh e të vogël dhe ku protagonistët kryesorë lindin si personazhe televizioni pikërisht aty, falë këtyre formateve të famshme të testuara prej kohësh në televizione prestigjioze në botë. E kemi fjalën për ”The voice” dhe “Big Brother”, të cilat transmetohen në “Top Channel”. Ndërsa jemi kuriozë të mësojmë se si do të vazhdojnë netët e mbetura tek “The voice”, ku pritet të shpallet ylli më i ri i muzikës shqiptare. Nuk mungon kurioziteti i madh edhe për “Big Brother 5”, i cili prej një jave ka lajmëruar fillimin e aplikimeve dhe këtë të hënë fillon audicionet. Ne kemi pyetur autorin e këtyre dy programeve Rezart Aga.

THE VOICE, NGA JAVA TJETER FILLON VOTIMI NGA PUBLIKU

Kanë mbetur edhe nëntë javë nga spektakli i zbulimit të talenteve të reja, por pikërisht tani situata bëhet inkandeshente dhe emocionuese jo vetëm për konkurrentët dhe trajnerët, por më shumë edhe për publikun. Tashmë secili trajner ka gjashtë konkurrentë dhe dy më pak të votuarit e çdo skuadre do të konkurrojnë me njëri-tjetrin për të zgjedhur më pas më të mirin, nga trajneri përkatës. Në puntatat në vazhdim, trajnerët do të këndojnë live së bashku me konkurrentët, duke bërë kështu shkrirjen e brezave dhe të eksperiencave që spektakli i ofruar të jetë magjepsës. Siç dihet, njëri do të jetë fituesi, i cili do të ketë një kontratë me “Univers Music”, por kjo nuk do të thotë se për të tjerët e gjithë kjo eksperiencë mbaron këtu. Autori i programit Rezart Aga na rrëfen se që tani, për të gjithë ata konkurrentë që është shtypur butoni, rrugët e karrierës së muzikës tashmë janë të hapura. Është i madh interesi i kompozitorëve të ndryshëm të cilët kanë ndjekur me vëmendje këtë spektakël dhe kanë tashmë në mendjet e tyre zërat që do të donin t’i kishin në studio për t’ju bërë këngë. Gjatë javëve në vazhdim, emocionet do të përcillen jo vetëm nga skena, por edhe nga një dhomë në back stage, ku çdo konkurrent do të mund të komunikojë live me fansat e tij nga profilet që kanë në facebook. Një moderatore e re do të përcjellë gjithë këta atmosferë të prapakuintave

BIG BROTHER 5, FILLOJNË AUDICIONET TË HËNËN

Ka filluar një fluks i jashtëzakoshëm aplikimesh për reality shown më të famshëm në Shqipëri, “Big Brother”. Sapo ka filluar transmetimi i reklamës, dhe në gjashtë ditë janë bërë 1600 aplikime. Janë aq shumë sa për të krijuar një ide se si mund të jetë trendi i pjesëmarrësve këtë vit. Ja çfarë na tregon autori i këtij programi, Rezart Aga.

1600 aplikime deri tani, çfarë keni parë të veçantë nga skedat e tyre?

Me të vërtetë është një numër shumë i madh dhe kjo falë faktit se tashmë aplikimet me internet ua bëjnë më të lehtë punën atyre që aspirojnë të jenë pjesë e këtij programi. E veçanta është se këtë vit zgjerohet gjeografia e pjesëmarrësvë, megjithëse ne ende nuk e dimë se cilët do të kenë kualitetet për t’u pranuar. Janë bërë aplikime nga të katër anët e Shqipërisë dhe nga fshatra apo qyteza të vogla. Këtë vit prurjet nga emigracioni janë gjithashtu me një gjeografi më të zgjeruar. Nëse vitet e tjera kishim kryesisht emigrantë nga Greqia apo Italia, këtë vit kanë aplikuar nga Anglia, Amerika, Belgjika etj. dhe më gëzon fakti se ka shumë apkilues nga Maqedonia dhe Mali i Zi. Ka shumë edhe nga Kosova.

Çfarë moshash janë ata kryesisht?

Nga të gjitha moshat, por ne preferojmë mosha pak më të rritura, sepse ata kanë më shumë eksperiencë dhe i japin më shumë këtij programi.

Përgjigjja e cilës pyetje është ajo që pothuajse e vendos fatin e konkurrentit për të qenë pjesë e “Big Brother”?

Pa diskutim është përgjigjja e pyetjes: “Pse dëshiron të bëhesh pjesë e këtij programi?”. Nëse kjo përgjigje është bindëse, pra nëse konkurrenti i ka idetë e qarta se çfarë kërkon, ai ka shanse për t’u bërë pjesë e tij. Mjafton të kujtojmë konkurrentët e viteve të kaluara, për t’u bindur për këtë. Konkurrentët fitues apo ata që kanë prekur finalen, që në audicione i kanë pasur idetë e qarta se çfarë kërkojnë dhe ia kanë dalë.

A u jepni prioritet atyre aplikuesve që janë gati për histori dashurie?

Historitë e dashurisë janë të paparashikuara dhe lidhjet mes konkurrentëve të caktuar janë tërësisht të paimagjinueshme, por jemi të vetëdijshëm që çiftet rrisin audiencën.

A ka ndonjë detaj, një gjë ndryshe kësaj here?

Po, do të ketë rreth tri surpriza kësaj here, që nuk kanë ndodhur asnjëherë më parë. Jam i sigurt se do të befasoheni.

© Panorama.al

Te lidhura