Të gjitha rrugët të çojnë te frigoriferi

Jan 29, 2012 | 11:38

Si të duash, pastaj hamë…

Meqenëse javën e shkuar e lamë që do të vijonim të flisnim për lakrorët, ja ku po e bëjmë. Kjo është koha më e mirë për t’i konsumuar. Ashtu siç mund të jetë edhe për specin djegës. Me gjithë këtë të ftohtë, kujt nuk do t’i shijonte pak me groshë. Po, ashtu bëni ju se as qepën nuk do ta refuzonit. Recetat e tjera janë ca më të ndërlikuara. Nuk është se i përgatiten burrit për drekë ashtu shpejt e shpejt, ama mund t’i përgatiten nëse sherri i përpara dy ditëve ka ardhur duke u zbutur. Gatisni dhe këto, e vazhdoni punën pastaj… Ose mirë, si të duash, pastaj hamë…

Kadaif, karkaleca dhe djathë brie
Përbërësit:
Karkaleca
Djathë brie (apo të tjerë që preferoni)
Kadaif
Limon
Verë e bardhë
Piper i bardhe
Kripë
Hudhër

Për salcën
Rukola
Stika pishe
Vaj ulliri
Djathë
parmixhano
Pak kos

Përgatitja:
Nëse do përdorni karkaleca të mëdhenj, duhet t’i prisni në dy pjesë për së gjati. Nëse janë të vegjël, janë mirë ashtu. Në një enë marinojini me pak vaj ulliri, limon, verë të bardhë, kripë, piper dhe një thelb hudhër të shtypur. Merruni ndërkaq me shtrimin e kadaifit. Sasinë e fijeve që do kapni për secilën copë, duhet ta llogarisni të bëhet jo shumë e trashë. Vendosni në të karkalecin, pas një mbështjelljeje, një copë djathi, vazhdoni me mbështjelljen dhe vërini në një tepsi që keni lyer më parë me pak vaj ulliri. Veproni kështu deri sa të arrini sasinë që dëshironi. Në fund, mund të grini sipër një tjetër lloj djathi në mënyrë që gjatë pjekjes kadaifi të mos thahet. Shtoni edhe lëngun që ju mbeti nga karkalecat dhe vendosini në furrë. Mund t’i konsumoni ashtu ose të shoqëruar me salcë. Përbërësit e mësipërm të salcës futini në frulator dhe mund ta përftoni fare kollaj.

Involtini me shparguj
Përbërësit:
Fileto pule
Asparag (i freskët ose konservë)
Djathë grana
Kripë, piper
Lakër e kuqe

Për salcën
Panxhar
Hudhër
Vaj ulliri
Uthull balsamike
Pak kos

Përgatitja:
Rrihni filetot e pulës në mënyrë që të jenë të holla, kriposini, hidhini piper dhe shtroni lakrën, shpargujt dhe djathin. Mbështillini me një kunj dhe vendosini në tigan me fare pak vaj. Mund t’i shuani me pak verë të bardhë. Përgatitja e salcës është miksimi në frulator i të gjithë përbërësve të saj.

Migrenë? Provoni me speca djegës
Është mirë që specat djegës të jenë pjesë e dietës suaj. Nuk mund t’i hanë të gjithë, por pak, sa për shije, mund të jetë e pranueshme. Pse? Ndihmojnë kundër migrenës. Studimet tregojnë se specat djegës mund të ofrojnë lehtësim të dhimbjeve nga migrena dhe sinoziti. Capsaicina është kimiku që i bën specat të jenë djegëse. Ajo është e njohur se pengon një neuropeptide kyç, substancen P, që është çelësi i transmetimit të dhimbjeve në tru. Piperkat nxitin sekrecionet që ndihmojnë në pastrimin e mukozës nga hunda. Ato gjithashtu përmbajnë veti antibakteriale që ndihmojnë për të luftuar infeksionet kronike të sinozitit.

Lulelakra ose multivitamina që keni kërkuar
Lulelakra ka efekte të fuqishme pozitive mbi mëlçinë, pastrimit të trupit dhe heqjes së toksinave që shkaktojnë dëme të qelizave që çojnë drejt kancerit dhe sëmundjeve të tjera. Ajo përmban phytochemicals, që ndihmon në forcimin e sistemit imunitar. Lulelakra është pjesë e familjes Brassicaceae (Crucifer-Lakrorë mund të jetë përshtatja në shqip), që përfshin lakrën dhe brokolin. Janë perime që përmbajnë squfur. Lulelakra është një burim i mirë fibrash, vitamine C, zinku, si  vendimtare për forcimin e sistemit imunitar, si dhe një burim i mirë i vitaminës B. Lulelakra ndihmon gjithashtu në problemet e lëkurës e flokëve dhe në forcimin e thonjve, duke evituar kështu plasaritjet e tyre. Biotin, një vitaminë që shkrihet në ujë e gjetur në lulelakër, ka treguar qe kontrollin zbokth. Biotin gjithashtu ndihmon thonjte për forcim, duke zvogëluar thyerjet dhe plasaritjet.

Me brokolin parandaloni infeksionet
Përdorimi i brokolit po shtohet gjithnjë e më tepër në tryezat tona. Përdorimi i shpeshtë i tij ndikon për mirë, sepse është shumë i ushqyeshëm dhe se përgatitja e tij është shumë e lehtë. Flasim gjithnjë për variantin më të thjeshtë, sallatën. Mjafton të zihet dhe gatitet me vaj, limon a uthull balsamike. Brokoli përmban një sërë vitaminash dhe mineralesh për ta mbajtur trupin të shëndetshëm, por gjithashtu është edhe njëri nga forcuesit më të mirë të sistemit imunitar. Është treguar shumë efikas në parandalimin e ndezjes së kanaleve urinare. Kjo sëmundje vërehet shpesh te femrat. Brokoli përmban glukinolat, përbërje sekondare bimore, të cilat shkatërrojnë bakteret në fshikëzën e urinës.

[email protected]
Dërgoni recetat tuaja!

© Panorama.al

Te lidhura