Çfarë do hani pas bollëkut?
Hë, çfarë gatuat për Vit të Ri? Shumicën e amvisave i dëgjova të ankoheshin. Kryesisht sepse vjehrrat i kishin parë shtrembër nëse kishin guxuar të merrnin nga dhoma e gjumit pa larë më parë pirgun e pjatave të përdorura gjatë darkës, por jo vetëm. Nëse kishin guxuar të eksperimentonin me ushqime me bazë deti, të ‘mëdhajat’ e shtëpisë, kishin varur buzët. “Epo tani morëm dy gjela gjithë atë mish, sepse duheshin edhe këto vocërrima!”. Nejse, si përfundim kishte përfunduar duke i ngrënë vetë e zonja e idesë, ndihmuar nga bashkëshorti që në të shumtën e rasteve nuk di ç ’anë të mbajë. Po këto kështu në përgjithësi, se pati plot antipasta mesi, me sa kemi parë në rrjetet sociale, që kanë dalë për bukuri. Të ngrënshme siç e do tradita, dhe të bukura siç e do modernia. Disa të tilla po i’ ua tregojmë më poshtë.
Pjata nga Eno Mete
Një nga kuzhinierët në shërbim për natën e Vitit të Ri, ndër të tjera ka shërbyer këto dy pjata. Njëra, siç është lehtësisht e dallueshme ka bazë sushin. Sa prej jush do ta shtronin në shtëpi? E
zëmë se do të dinit ta përgatisnit? Nëse po, Shën Valentini është afër, mos humbisni kohë. Mësoheni se si përgatitet, dhe provoni. Pjata tjetër është më tradicionale, edhe pse përgatitja e byreçkave e thyen pak. Është një fileto vici e zkarës, me byreçka të mbushur me mix lakrash. Mund t’i shërbeni me salcën tuaj të preferuar, në këtë rast, është përdorur nj salcë me mjalt dhe uthull balsamike.
Lazanjë perimesh
Të paktën për një muaj, mundohuni të përdorni gjithkund perimet. Tek e fundit, nga lazanja me mish, nuk mund të konsumoni më shumë se një copë!
Përbërësit:
Petë për lazanja (nëse nuk i bëni vetë me miell e ujë, merrini të gatshme)
Beshamel(miell, qumësht, vezë)
1 qepë e madhe
2 kunguj mesatar
Karrot
Patëllxhan
Speca (1 të kuq, 1 jeshil)
1 domate të madhe
Ullinj sipas dëshirës
(mund të përdorni edhe perimet sipas dëshirës. Finoku, nëse e keni blerë pak ditë më parë dhe nuk e keni konsumuar, është produkt i vlefshëm)
Vaj ulliri
Kripë, piper të zi, majdanoz
Përgatitja:
Nisim së pari me përgatitjen e mbushjes. Në një tigan me fund të gjerë e të thellë hedhim qepën për skuqje në pak vaj ulliri. Shtojmë me radhë, sipas nevojës për skuqje, karrotën, patëllxhanin, specin, domaten dhe kungullin. Nëse ky i fundit është i grirë në rende ka shumë pak nevojë për skuqje. (Në rast se do përdorni finokun, hidheni bashkë me karotën). Shtoni pak ujë që të ziejnë së bashku dhe nisni paralelisht zierjen e petëve të lazanjës në ujë me kripë. Kur të përfundoni nisni me shtrimin. Në një tepsi të lyer me pak vaj ulliri shtoni një shtresë petësh, një shtresë mbushje. Përsëriteni dhe shtoni beshamelin e përgatitur. Futeni në furrë, kontrollojeni pjekjen deri sa beshamela të marrë ngjyrë. Nuk ka nevojë të piqet gjatë, pasi të gjithë përbërësit janë të përgatitur më parë.
Një supë ju duhet patjetër!
Supë dimërore
Përbërësit:
1 kokë brokoli,
1/2 lakër të bardhë
2 karrota
100 ml pana ose dhe qumësht i pa skremuar
2-3 lugë djathë gorgonzola
Erëza të ndryshme të grira
2 lugë vaj
Përgatitja:
Pasi lajmë e presim hollë zarzavatet, i vëmë të kaurdisen disi me vajin në zjarr të ulët. U shtojmë ujë (nëse dëshironi edhe ndonjë copë apo kockë mishi për shije) dhe i lëmë të ziejnë. Kur të jenë gati zarzavatet, shtojmë panën ose qumështin dhe gorgonxolen dhe e përziejmë deri sa të shkrihet plotësisht djathi. I bëjmë të gjitha krem me mikser dhe i servirim me erëzat sipas dëshirës.
Kuriozitet
Peshku ton ka çmimin e një vile në bregdet
Peshku ton i kuq është shitur pak ditë më parë për një çmim rekord prej 565.000 euro gjatë ankandit të parë të sivjetshëm, i cili mbahet në tregun më të madh të peshkut në botë në Tsukiji të Tokios. Peshku, i rëndë 269 kilogramë është kapur në ujërat e rajonit Aomori në veri të Japonisë, ndërsa e bleu pronari i një zinxhiri të njohur restorantesh të sushit nga Japonia.
[email protected]
Dërgoni recetat tuaja!











