Matuni mirë, recetat po ndërlikohen…
Duke menduar që ju kanë shërbyer njëfarësoj udhëzimet që keni gjetur në këtë faqe gjatë gjithë këtyre muajve, tani, si për t’ju vënë në provë, po i ndërlikojmë pak. Bana, për shembull, (për ata që se kanë lexuar më parë, Bana është personazh i përmendur disa herë në këtë rubrikë. Më parë nuk dinte të ndante as kripën nga sheqeri, tani në portofolin e saj gjen copa letre të shkruara gjithandej me përbërës. I mban aty se mos i harron kur shkon te shtëpia e “atij”) ka përparuar ndjeshëm, pse ju të keni mbetur mbrapa. Do thoni ju që ajo po e bën gjithë këtë për të “joshur peshkun”, po mirë, edhe ju të tjerat që e keni kaluar atë fazë, mund t’ia bëni jetën pak më të bukur nëse ia pasuroni ca menynë.
Pra, këto tri të diela që na kanë mbetur, përpara festave, do t’i shfrytëzojmë për recetat që mund të përgatisim në darkat apo drekat që do të shtrojmë ato ditë. Meqë do keni pak më shumë kohë se ditët e tjera (nuk është se unë mendoj se është çështje kohe në fakt, por po e zëmë që ajo ju ka penguar) dhe meqë është bërë zakon që një pjesë e fondit të familjes të harxhohet përherë me këtë rast, (pra shpenzohet më shumë e konsumohen produkte ndryshe nga të përditshmet që mund t’ju gjenden në frigorifer) recetat e këtyre tri javëve do të jenë pak më impenjative se sa ato që jemi mësuar të shohim herët e shkuara. Produktet që janë përdorur në recetat e mëposhtme nga shefi i kuzhinës së restorantit “Livingroom” nuk i konsumoni përditë, sidomos jo në atë mënyrë. Ne ia kemi marrë dy receta, ju si ta shihni, nëse mundeni t’i përgatisni, mirë, në të kundërt, shkoni provojini gati. Gjithsesi, edhe nëse nuk del ndonjë pjatë jo aq e bukur saç janë fotot që ka bërë Adriani, shija do të jetë e mirë. Bëni mirë që pjatat që kërkojnë pak më shumë punë, t’i provoni njëherë, para se të ftoni miqtë për darkë. Mos rrezikoni të bëni figurë të keqe. Mos harroni të merrni një verë të mirë. Në të kundërt, pjatat do mërziteshin!
Dy receta nga Adrian lika
Role me proshutë krudo
Përbërësit:
4 feta proshute krudo san daniele
4 feta të holla kungulli, të pjekura më parë në zgarë
4 feta djathi brie
4 feta djathi chevre
(djathë dhie francez)
Pak verë të bardhë
Mente dhe pak kripë e piper.
Përgatitja:
Marrim dhe i shtrojmë sipas radhës për të përgatitur katër role. Në fillim shtrojmë
proshutën, pastaj kungullin, i hedhim pak kripë dhe piper dhe pastaj vendosim dhe djathin chevre dhe pastaj atë brie, Përsipër i hedhim pak mente të prerë hollë dhe fillojmë i mbledhim një nga një në role. I vendosim në një tavë, hedhim pak verë dhe i fusim në furrë. I pjekim deri sa të fillojë të shkrijë djathi dhe proshuta të jetë pjekur pak. I nxjerrim nga furra dhe i shërbejmë.
Salmon i tymosur me havjar
Përbërësit:
4 feta salmon
të tymosur
Havjar
1 karotë e zier,
e prerë në kubikë
1 mollë jeshile,
e prerë ë kubikë
Selino e prerë
në kubik
Kaperi
Kopër, kripë, piper
Salcë kosi
Vaj ulliri
Pak lëng limoni
Përgatitja:
Marrim dhe i përziejmë në një tas karotën, mollën, selinon, kaperin. I hedhim pak kripë dhe piper. Në një tas tjetër hedhim salcën e kosit, vajin, lëngun e limonit dhe koprën e grirë dhe i përziejmë. I bashkojmë bashkë me të tjerat dhe i përziejmë sërish të gjitha bashkë. Pastaj, në një pjatë vendosim dy forma metalike të rrumbullakëta dhe vendosim masën në to për t’i dhënë më pas formë. Heqim format dhe vendosim salmonin sipër masës me mollë, në formën e trëndafilit, dhe anash saj vendosim havjarin dhe e shërbejmë.
Fileto vici me fruta pylli
Thuajse në çdo market të madh, mund të gjeni fruta pylli të ruajtura në ngrirje.
Përbërësit:
fileto viçi 200 gr
fruta pylli 150 gramë
pak verë të bardhë
kripë, pier i bardhëPërgatitja:
Në një tigan me pak vaj ulliri hedhim për skuqje fileton e vicit që e kemi kaluar më parë në miell. Kur të ketë marrë ngjyrë shtojmë frutat e pyllit që lëshojnë pak ujë dhe i lemë të skuqen së bashku. rregullojmë sipas shijes me kripë dhe piper të bardhë. Edhe këtë variant të përgatitjes së mishit e lëmë me pak lëng. Për të shoqëruar këtë piatë përdorim patatet e furrës të prera në feta dhe të pjekura në furrë me pak vaj ulliri, kripë, piper dhe rozmarinë.
[email protected]
Dërgoni recetat tuaja!












