Të gjitha rrugët të çojnë te frigoriferi

Dec 4, 2011 | 12:06

Përdorni shqisën e gjashtë, që të shijoni 5 të tjerat…

Kriza financiare po na hyn në frigorifer
Për krizën e euros dëgjoni të flitet përditë në lajme, ditët e fundit edhe më shumë. Të gjithë sektorët kanë lëkundje për shkak të kufizimit të konsumit. Mos t’i hymë më thellë ekonomisë se si japim dot dum, jo për gjë, por ajo që dihet me siguri është se po merren të gjitha masat për të kursyer në çdo fushë. Ushqyerja është njëra prej tyre. Ajo që di të jetë e kushtueshme sa të të bëjë të mos besosh më në fuqitë e zërit, por që mund të jetë edhe fare e përballueshme, nëse marrëdhëniet me të do t’i ndërtonim korrekte, pa abuzime. Në të gjithë botën, pa e tepruar, po merren masa, duke u analizuar një për një çdo produkt, në mënyrë që të arrihet një konkluzion se sa mund ta kapërcejë datën e skadencës. Po, deri këtu ka arritur puna. Dhe në fakt, një pjesë e mirë e tyre mund të konsumohet edhe përtej asaj date, ama vlerat ushqyese nuk do të jenë më ato të mëparshmet. Vlen të reflektoni mbi këtë dhe të mos i lini për ditë të tëra ushqimet në frigorifer, aq sa bëhen për t’u flakur. Nëse nuk arrini t’i menaxhoni, blini aq sa ju duhet, përditë. Në të kundërt… epo, rrëmoni xhepat! Një shembull i mirë i organizimit në mënyrën e duhur të një ushqimi mund të jetë edhe byreku i mëposhtëm, që tezja më përgatiti këtë jave. Po jua jap recetën.

A mund të konsumohen ushqimet e skaduara
(Kriza shtrëngon rripin)
Lufta e përhershme për të mos flakur ushqime që e kanë kaluar kohën e tyre më të mirë, e për rrjedhojë për të kursyer, ka çuar në shpërdorim të 8 % të ushqimeve që blihen. Në Amerikë dhe në një pjesë të mirë të Europës ka nisur propaganda për të riparë të gjitha ushqimet, sado që marketet refuzojnë. Krizat financiare po kërkojnë një stil tjetër jetese, edhe pse gjendja ende nuk ka arritur në limite. Ama një reflektim mbi shpërdorimin e ushqimeve ka nisur. Më poshtë keni disa orientime për të mësuar nëse mund t’i konsumoni ushqimet edhe pse data e stampuar në to tregon që koha e tyre ka kaluar. Besoni, shumë shpejt mund t’ju duhen!

Qumështi
Kohëzgjatja e qumështit gjithnjë ka qenë pesë ditë, por ekspertët e sektorit na sigurojnë se mesatarja e kohëzgjatjes është 6 ditë, që mund të shkojnë deri në 9, nëse ruhet në frigorifer. Mesatarisht, shkon dëm 2.5-3% e qumështit.

Kosi
Data e skadimit të kosit është mjaftueshëm e varijushme, shkon ndërmjet 20 dhe 30 ditëve pas datës së prodhimit. Pavarësisht kësaj, hidhet poshtë 3-5% e tij. Gaboheni, mund të konsumohet edhe 10 ditë më vonë pas datës së konsumit të preferuar, por humbet shumë vlera.

Mishi
Mishi i freskët që merrni te kasapi zgjat 3 ditë, pa u futur në akull. Pula, e ambalazhuar (në qese pa oksigjen), reziston deri në 7 ditë në frigorifer. Alternative është që ta fusni në ngrirje përpara këtyre kufijve. Kështu, mishi mund të rezistojë deri në gjashtë muaj.

Proshuta
Proshuta e pjekur është më delikate se ajo e gjallë, që mund të rezistojë deri në tre muaj në vasketat e paketuara. Po u hap, si gjithë sallamet e tjerë, duhet konsumuar shpejt. Brenda dy ditëve e pjekura dhe 3 e gjalla. Nëse e futni në ngrirje, reziston deri në tre muaj.

Vezët
Data e skadimit të vezëve duhet të jetë brenda 28 ditëve. Pas këtij limiti, mund t’i konsumoni edhe për 5-6 ditë, por mos e kaloni kurrë javën. Rreziku i helmimit nga to është më i theksuar se me ushqimet e tjera.

Peshku
Konservohet në frigorifer në një mbajtëse të thellë të mbuluar, deri në tri ditë, përndryshe, ruajeni në akull ku mund të rezistojë deri në 12 muaj. Mund të konsumohet pa problem edhe nëse data e skadimit ka 2 muaj që ka kaluar, me kusht që ngrirja të mos jetë ndërprerë.

Salcat e konservuara
Salcat e përgatitura në shtëpi dhe ato të konservuarat e marketit, pas hapjes mund të ruhen për 8-10 ditë. Ato të gatshmet (sugot) mund ta tejkalojnë datën e skadimit, që është përgjithësisht 2 vite, me 1 apo dy muaj.

Biskotat
Zakonisht kanë datë kadence, por nuk ka asnjë rrezik edhen nëse konsumohen më vonë për disa muaj. Vetëm se mund të kenë humbur fortësinë.

Makaronat
Makaronat e thata, ato në qese pra, kanë kohë të gjatë përdorimi, 18-24 muaj. Por nëse ruhen në një vend të thatë e të sigurt, mund të konsumohen edhe 3 muaj pas datës së shënuar.

Byrek me mish nga koka e viçit
(Byreku i tezes)
Për nga shija, në krye të ushqimeve që kam konsumuar këtë javë, është byreku që përgatiti tezja. Me kokën e viçit që kishte porositur bëri një pjesë paçe, dhe një pjesë byrek. Atë të parën unë nuk e ha dhe s’besoj se do ta ha ndonjëherë, ama mishi që u përdor për byrekun, i pastruar nga çdo dhjam i mundshëm për shkak të nazeve të mia, ishte krejt tjetër gjë. Natyrisht që nuk mund të bëhet përditë, sepse kërkon kohë, madje nga mosha relativisht të reja, as që besoj të merret përsipër. Mamatë mbi të 50-tat do të qëllonin më mirë. Nëse nuk janë infektuar nga dëshira për të konkurruar nusen që shkon 3 herë në javë te parukjeria. Gjithsesi, kush të mundet ta provojë…

Përbërësit Për gjellën:
Mish koke dhe pjesë nga gjuha
Domate të pjekura
Qepë
Hudhër
Vaj ulliri
Kripë, piper i zi kokërr
Rigon

Përgatitja:
Së pari, lahet mirë dhe vihet të ziejë koka e viçit në një enë të madhe. Pasi ka zierë, i hiqet i gjithë mishi. Një pjesë lihet mënjanë për paçe (nëse doni), një pjesë përdoret për byrekun. Pra, marrim mishin e zierë dhe e copëtojmë në copëza fare të vogla. Një pjesë të gjuhës e presim me thikë po aq hollë. E lëmë mënjanë.
Në një enë me vaj ulliri hedhim qepën që e kemi grirë hollë, e skuqim pak dhe shtojmë mishin. E kaurdisim pak dhe i shtojmë pak nga pak lëng nga ena ku kemi zierë kokën. Pasi të dy përbërësit që hodhëm të kenë zierë, shtojmë pak domate të grira, të pastruara nga lëkura. Rregullojmë me kripë dhe piper sipas shijes dhe shtojmë 2-3 thelpinj hudhër të grirë, dhe në fund pak rigon. E lëmë gjellën mënjanë, ndërkohë që merremi me hapjen e petëve. Shtrojmë poshtë 3-4 petë dhe me lugë hedhim një shtresë gjellë. Edhe 2 petë të tjera dhe sërish gjellë. Mbulojmë me 2 petë, spërkasim me pak vaj ulliri dhe e fusim në furrë. Kontrollojmë pjekjen hera-herës.

[email protected]
Dërgoni recetat tuaja!

© Panorama.al

Te lidhura