Të gjitha rrugët të çojnë te frigoriferi

Sep 25, 2011 | 13:35

Jemi në kohën e tyre. Nëse nuk do të na fluturonte mendja përherë për të shfrytëzuar qoftë edhe një orë në plazh apo pishinë (për ta quajtur gjithnjë si të fundit e këtij viti), mund t’i shfrytëzonim këto fundjava për shembull në zonat ku e dimë se ka kërpudha, për t’i mbledhur vetë e më pas t’i gatuajmë. Mund të ishit nisur në Korçë për shembull, në shumë zona atje rriten në sasi të mëdha kërpudhat. Ose mund të kishit ngrënë një drekë në Dardhë a Boboshticë, dhe pjesën e mbetur të kohës të merreshit me to. Mund të kishte qenë në shoqërinë e miqve a të afërmve tuaj, një fundjavë ndryshe nga ato e tre muajve të fundit. Por tashmë ju keni zgjedhur apo jo?! Sërish ujin… po mirë, blijini kërpudhat atëherë dhe eksperimentoni me to, në këtë kohë janë më të freskëta se kurrë. Sa për çmimin… epo, të gjitha të mirat nuk do t’i kenë. Po t’i kërkonit vetë, do t’i kishit falas, por prapë do ju kushtonte rruga. Ju bëfshin mirë dhe ndryshojini ca ritet e fundjavave. Jo për gjë, po u lutët aq shumë për shiun…

Kërpudhat ose cibus diorum (ushqim i perëndive)
Kërpudhat e tipit “butona”, që janë ato më të zakonshmet në treg, janë konsumuar që në kohët më të hershme të njeriut gjuetar. Në lashtësi, kërpudhat janë konsideruar si ushqim me fuqi të veçantë. Egjiptianët mendonin se kërpudhat mund të dhuronin përjetësi dhe vetëm faraonët kishin privilegjin e konsumit të tyre, ndërsa njerëzit thjeshtë ndalohej t’i preknin, e jo më t’i hanin. Në Romën e lashtë, njerëzit shpesh u referoheshin kërpudhave si cibus diorum – ushqim për perënditë. Folklori i shumë vendeve përmban mitin se kërpudhat i japin njeriut fuqi të mbinatyrshme. Edhe pse kërpudhat janë shijuar nga njerëzit prej mijëvjeçarësh, vetëm në shekullin e XVII filluan të kultivoheshin. Përpjekjet e para u bënë në Paris. Në Amerikë kultivimi filloi në shekullin e XIX. Tashmë, ato kultivohen në shumë vende të botës, me prodhues më të madh Amerikën, Pensilvaninë.
Vetitë e kërpudhave për shëndetin
Ka 20 vjet që studiohen fitonutrientet që gjenden në kërpudhat e ndryshme për vetitë e tyre antikancerogjene. Duke i shtuar dietës sonë konsumin e kërpudhave mund të ndihmojë në mbrojtjen kundër kancerit të gjirit, duke parandaluar nivelet e tepruara të estrogjeneve në organizmin e një femre. Kjo arrihet nëpërmjet ndalimit të një enzime në trup, të quajtur “aromatase”, e cila është e nevojshme për prodhimin e estrogjenit. Kërpudhat janë burim i pasur i seleniumit – një metal shumë i rëndësishëm për fuqinë antioksiduese në organizëm, e cila e mbron nga radikalet e lira. Si i tillë, ai luan rol në mbrojtjen kundër kancerit të zorrës se trashë, por gjithashtu dhe në lehtësimin e simptomave të astmës dhe artritit, si dhe në mbrojtjen kundër sëmundjeve të zemrës. Seleniumi është i rëndësishëm në rigjenerimin e qelizave të ADN-së, një mekanizëm më shumë në mbrojtjen kundër kancerit. Minerali i bakrit është një tjetër përbërës i kërpudhave, i cili rezulton pozitiv kundër artritit reumatik. Kërpudhat janë burim hekuri, një nga komponentët më të rëndësishëm në prodhimin e rruazave të kuqe të gjakut. Kanë përmbajtje optimale të kompleksit të vitaminave B, të cilat janë jetike për metabolizmin. Përmbajtja e lartë me metalin zink i bën ato shumë të dobishme për sistemin imunitar. Studime të shumta kanë treguar se konsumi i mjaftueshëm i kërpudhave lidhet me mbrojtjen kundër sëmundjes Alzheimer dhe sëmundjeve të lidhura me plakjen, në sajë të përmbajtjes së tyre të lartë me niasinë.

Sa shpesh t’i konsumojmë
Konsumi i kërpudhave në një sasi 30 gr, 2-3 herë në javë, është një sasi optimale për të përfituar benefitet që ky ushqim ofron për shëndetin.

Kerpudha të mbushura
Për kërpudhat e mbushura nuk ka ndonjë recetë fikse. Herë i mbush vetëm me proshutë e me djathë, herë me zarzavate e qepë, me bishtat e kërpudhave, speca, spinaq e djathë. Me peshk ton kam provuar edhe me mish të grirë viçi të bërë si brumë qoftesh e pastaj me djathë sipër. Edhe vetëm me qepë, majdanoz, bishtat e kërpudhave, pak proshutë e djathë sipër. Kam provuar që t’i vë të verdhë veze brenda në kërpudhë e sipër kripë, piper, djathë parmixhano e i vë në furrë të nxehur mirë në 250 gradë. Pra, format për të mbushur kërpudhat janë të pafundme. Dalin shumë të shijshme edhe me vezë. Këto quhen kërpudha të gratinuara dhe përdoren si shoqëruese për të plotësuar një pjatë me ushqim kryesor ose thjesht si antipastë në një festë të veçante ku bëjmë shume gjëra të ndryshme të vogla. Në fotot që ju kam dërguar keni dy variante mbushjesh. Atë me perime dhe atë me djathë e proshutë. Mjafton të pastroni kërpudhat, të bashkoni përbërësit që dëshironi me bishtat e tyre të prerë hollë e t’i mbushni. Futini në furrë me pak verë të bardhë dhe janë gati.

Taliatele me kerpudha
Me 1kg miell dalin gati 1kg e gjysmë taliatele (ose jufka i thonë nga dibra). Për këtë recetë përdoren vetëm 500gr jufka, ndërsa të tjerat lërini të thahen mirë dhe mund t’i përdorni për

Recetë nga Brunhilda Çela

herë tjetër. Nëse nuk doni të bëni rezervë, përdorni vetëm 1/3 e masave të brumit.
Për brumin: Vezë, 7 kokrra, miell, 1 kg, pak kripë, qumësht 300 ml
Për salcën e kërpudhave: krem pana, një pako 250 ml, kripë, 1 lugë kafeje, kërpudha 700gr(porcini), 1 qepë e vogël, majdanoz një tufë, piper, dhe 1 lugë kafeje miell.
Duhet edhe 1/2 gotë ujë ose verë e bardhë e cilësisë së mirë, vaj ulliri 2-3 lugë gjelle, djathë kaçkavall i grire, sipas dëshirës.

Përgatitja:
Bashkoni së pari të gjithë përbërësit e brumit dhe punojini mirë me duar deri sa të përftoni një masë homogjene brumi, mesatarisht të fortë. Hapeni dhe pritini në copa të holla të gjata. Lërini mënjanë deri sa të përgatitni salcën. Në një tigan me bazë të gjerë e vaj ulliri, hidhni qepën e grirë hollë dhe pak më pas kërpudhat e prera në feta pasi t’i keni lyer me pak miell. Kur të kenë marrë pak skuqje, shuajini me verë të bardhë. Shtoni panën dhe rregullojini me kripë e piper sipas dëshirës. Nëse duhet, shtoni pak ujë që të jenë të lëngshme. Zieni ndërkaq jufkat fare pak dhe shtojani salcës. Përziejini dhe shërbejini me djathë kaçkavall të grirë (grana ose parmixhano).

[email protected]
Dërgoni recetat tuaja!

© Panorama.al

Te lidhura