
Komisioni i Ligjeve ka miratuar dje me votat e maxhorancës ligjin për vendosjen e çipave elektronikë të burgosurve që u kufizohet lëvizja. Në draftin që do të kalojë në Parlament pritet që ky proces të nisë nga 1 prilli i vitit të ardhshëm dhe për vitin 2012 do të jenë 300 çipa elektronikë që do të jenë të disponueshëm për personat që do të dënohen me vendim gjykate. Sipas nenit 4 të këtij ligji, çipat do të përdoren kur gjykata vendos ndalimin e daljes jashtë shtetit, ndalimin dhe detyrimin për qëndrimin e personit në një vend të caktuar, arrestin shtëpiak, apo edhe dhënien e një vendimi deri në një vit burg. Në nenin 13 të ligjit thuhet se “pajisja duhet të ketë përmasa të vogla, në mënyrë që të mbulohet lehtësisht nga veshjet dhe të mos shikohet nga të tretët; të mos lëshojë tinguj ose dritë; të përbëhet nga materiale të parrezikshme për jetën dhe shëndetin e subjektit dhe të tretëve.
Debati
Gjatë diskutimit opozita u shpreh kundër draftit, edhe pse në fund vetëm Ermonela Felaj votoi kundër, ndërsa Vasilika Hysi, Shega Ligori dhe Pandeli Majko abstenuan. “Nuk jemi kundër konceptit të mbikëqyrjes elektronike, por jeni kundër mënyrës se si kërkohet të aplikohet. Ajo që mund të ndodhë është që në zgjedhjet e 2013-s ne të përballemi me situatën që gjithë të arrestuarit që janë me arrest në shtëpi, për 30 minuta të fiken të gjithë monitorët, të bëjnë çfarë të duan me kutitë e votimit dhe me zgjedhësit dhe pastaj të ndizen monitorët. Kjo është situatë që e lejon ligji”, u shpreh Felaj.
Nga ana e tij, kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, u shpreh se “mua si deputet më ka shqetësuar fakti që kemi një ligj që mbron personat e dhunuar, personat që dhunohen në mënyrë periodike, i cili parashikon një mekanizëm që vendoset nëpërmjet gjykatës, mekanizmin e ndryshimit të urdhrave. Gjykata merr në mbrojtje në mënyrë të posaçme gratë dhe fëmijët e dhunuar duke detyruar dhunuesin që t’u rrijë larg atyre. Ky mekanizëm për mbrojtjen kundër dhunës bëhet efektiv 100% duke zbatuar këtë ligj që ne duam të votojmë”. Gjatë diskutimeve nen për nen të draftit u pranua kërkesa e opozitës që informacioni për vendndodhjen e të dënuarve që janë nën mbikëqyrje elektronike të kalojë në kohë reale edhe në Policinë e Shtetit dhe Kontrollin e Burgjeve, edhe nëse ky shërbim është privat.
Debati në Komision
Ardit Hysa (Ministria e Drejtësisë): Nisma synon pikërisht të ulë numrin e personave qoftë të dënuar, qoftë të paraburgosur. Të dënuar në Shqipëri kemi rreth 2800 dhe supozohet që kjo nismë të lehtësojë sistemin penitenciar. Një byzylyk që mund të përdoret nga shumë persona nuk shkon më shumë se 100 euro. Gjithë ngritja e sistemit për këta 300 persona nuk shkon më shumë se 250 mijë euro. Këtë shifër e kemi marrë nga një studim i kryer nga OSBE.
Ermonela Felaj: Nuk jemi kundër konceptit të mbikëqyrjes elektronike, por jeni kundër mënyrës se si kërkohet të aplikohet. Jam e bindur se asnjë qytetar nuk do të jetë më i sigurt nëse një i kërkuar nuk do të ruhet nga 6 apo 7 policë, ruajtja e tij i besohet një byzylyku, aq më tepër që lejohet mundësia që ta monitorojë jo më shteti, por privatët. Ajo që mund të ndodhë është që në zgjedhjet e 2013-s ne të përballemi me situatën që gjithë të arrestuarit që janë me arrest në shtëpi, për 30 minuta, të fiken të gjithë monitorët, të bëjnë çfarë të duan me kutitë e votimit dhe me zgjedhësit dhe pastaj të ndizen monitorët. Kjo është situatë që e lejon ligji.
Ilir Rusmali: Unë nuk vë në dyshim faktin që debati është i mirë. Ajo që unë mund të nxjerr nga deklarimi i votës kundër i zonjës Felaj është një konkluzion shumë personal. Vota kundër këtij projektligji është shprehje e entuziazmit opozitar, por jo e arsyes opozitare. Fillimisht do të jenë 300 byzylykë, këto nuk ndahen dot të gjitha më 1 prill. Në qoftë se më 2 dhjetor 2012 do të jenë ndarë të gjithë, ai burri që do hajë dru nga gruaja e tij më 3 dhjetor, nuk ka ç’bën do ta lërë gruan pa byzylyk. Ai do të presë vitin 2013, kur të bëhet partia e re e byzylykëve, dhe do t’ia japë byzylykun në janar.
ADI SHKEMBI











