Videot që qarkullojnë në mediat sociale tregojnë ushtarë të RSF-së në Sudan, duke ekzekutuar civilë të kapur rob dhe burra të paarmatosur në El-Fasher, vetëm disa ditë pasi qyteti u pushtua.
Imazhet kanë shkaktuar zemërim ndërkombëtar.
Në pamjet filmike, luftëtarë nga grupi rebel i RSF-së shihen duke ekzekutuar burra të kapur rob dhe të plagosur që janë të paarmatosur. Në një skenë tronditëse, një ushtar paraushtarak shihet duke qëlluar një burrë të paarmatosur dhe më pas duke i buzëqeshur kamerës.
Që kur RSF-ja pushtoi El Fasher më 26 tetor pas një rrethimi 18-mujor, thuhet se janë vrarë mijëra civilë. Grupet e ndihmës vlerësojnë se më shumë se 2,000 civilë janë vrarë, përfshirë pacientë që vdiqën në spitale.
Ndërkohë, imazhet satelitore tregojnë grumbuj trupash të vdekur në rërë. Autoritetet e RSF-së i mohojnë akuzat, duke pretenduar se këto janë incidente të izoluara ose se videot janë propagandë. Megjithatë, vëzhguesit ndërkombëtarë dhe grupet e të drejtave të njeriut i kundërshtojnë këto pretendime dhe po bëjnë thirrje për një hetim të pavarur.
Thirrje për t’i dhënë fund “makthit” në Sudan u bë nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ndërsa forcat e armatosura sudaneze po shqyrtojnë një propozim të SHBA-së për armëpushim. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, bëri thirrje sot për “negociata” për t’i dhënë fund menjëherë konfliktit në Sudan, duke paralajmëruar për një krizë që “po del jashtë kontrollit”.











