Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka hedhur akuza ndaj kreut të grupit parlamentar të Partia Socialiste e Shqipërisë, Taulant Balla, duke pretenduar se ai është angazhuar për të penguar protestën e opozitës.
Në një reagim në rrjetet sociale, Këlliçi deklaroi se Balla, sipas tij, po zhvillon kontakte me anëtarë të diasporës për të siguruar pjesëmarrje në një aktivitet kundër protestës së paralajmëruar nga opozita.
Sipas deputetit demokrat, këto përpjekje nuk kanë pasur sukses dhe ai pretendon se përgjigjja që po merret nga diaspora është refuzim.
Këlliçi akuzoi gjithashtu mazhorancën se po tenton të ndikojë në zhvillimet rreth protestës, duke e cilësuar atë si një lëvizje masive qytetare dhe jo një aktivitet të organizuar me skenar politik.
Reagimi i Belind Këlliçit:
Taulanti në kërkim të anti mitingut!
I ngarkuar nga Edi Rama me operacionin e dëmtimit të protestës, Taulant Balla e ka marrë me aq zell këtë detyrë sa është bërë qesharak dhe po tregohet sot si barcaletë kudo.
Ai ka nisur një fushatë telefonatash në diasporë duke kërkuar pjesmarrje në një anti miting që ka ndërmend të realizojë Edi Rama. Pas çdo komunikimi, ai merr refuzim.
Ndërkohë, po bën gjithçka për të futur mes protestuesve parullat që i interesojnë Edi Ramës e që godasin Opozitën.
Edi Rama ka folur gjithë kohës për grupe e agjenda të infiltruara brenda marshuesve, por në fakt ai bën përpjekjet më të mëdha për të pasur aty njerëzit e tij dhe për të ndikuar tek protesta.
Këto janë lojëra qesharake.
Ata nuk e kuptojnë akoma se nuk kemi të bëjmë me një event, me skenar dhe regji ku dikush mund të marrë nën kontroll situatën. Kemi të bëjmë me një revoltë masive popullore, sidomos të rinisë.
Sa më shumë të tentojë Edi Rama me veglat e tij militante të ndërhyjë, aq më shumë do lërë kockat.
Revolucioni po ndodh, dhe nuk ka asnjë shans të futet në shina nga ai që është nën akuzë, për korrupsion, për lidhje me krimin, për trajtimin e vendit si plaçkë për interesat e veta.












