Tatimet, shkarkohet Cano, kreu i VIP

Sep 28, 2011 | 12:07
Drejtoria e pergjithshme e tatimeve

Realizimi i dobët i të ardhurave tatimore i ka kushtuar vendin e punës drejtorit të Tatimpaguesve të Mëdhenj (VIP). Jovan Cano është shkarkuar nga detyra me motivacionin “për mungesë performace” dhe në vend të tij është emëruar nëndrejtori i përgjithshëm i Tatimeve, Dëfrim Manoku. Në fakt, edhe raporti i fundit i ministrisë së Financave, evidentonte pikërisht Drejtorinë e VIP si pengesë për realizimin e të ardhurave. Raporti, i cili lavdëron realizimin e të ardhurave në të gjithë zërat e tjerë të tatimeve, evidenton se mbledhja e TVSH, taksës kryesore që mblidhe nga Drejtoria VIP, ka rënie të theksuar nga viti në vit. Në krahasim me vjet, ulja e parave të mbledhura nga TVSH është mbi 16 për qind. Por ajo që vlen të përmendet në raportin e Financave, është që për të gjithë muajt e këtij viti, nga janari deri në korrik, TVSH-ja e mbledhur nga tatimet nuk ka qenë më e lartë se sa vjet. Mbledhja e TVSH ka ardhur duke u përkeqësuar, duke arritur realizimin më të dobët në korrik, ku sipas Financave, të ardhurat ishin 35% më të ulëta se një vit më parë.
Raporti për TVSH-në
Mungesa e të ardhurave nga TVSh-ja duket se ka detyruar Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve të ndryshojë edhe strukturën e mbledhjes së të ardhurave. Në fakt, TVSH, duke qenë taksa më e lartë, 20 për qind, dhe e lidhur direkt me konsumin, ka pasur peshën kryesore në bilancin e tatimeve. Por mungesa e të ardhurave ka sjellë edhe ndryshimin e skemës. Sipas Financave, mungesa e performancës ka sjellë edhe uljen e peshës së TVSH. “Sipas strukturës së të ardhurave tatimore, që mbledh administrata tatimore, në vitin 2010 për 7-mujorin, TVSH-ja zinte rreth 28 % të totalit të të ardhurave, ndërsa për 7-mujorin e vitit 2011 kjo peshë është ulur ndjeshëm në 22 % të totalit të të ardhurave”, theksohet në raport. Në fakt, edhe në tabelën që pasqyron strukturën, duket qartë se të ardhurat e Drejtorisë VIP kanë pësuar ulje në krahasim me vjet. Struktura e ndryshuar tregon se të gjithë zërat e tjerë janë rritur për të kompensuar humbjet nga TVSH. Sipas raportit, nga administrata tatimore për periudhën janar-korrik janë mbledhur 14 miliardë lekë. Shifër kjo më e vogël edhe se plani buxhetor i rishikuar në korrik. Por krahasimi me vjet është i frikshëm, “16.7 për qind më pak se një vit më parë”.
Tatimet
Duket se Ministria e Financave është e kënaqur me mbledhjen e të ardhurave nga Drejtoria e Tatimeve, me përjashtim të TVSH-së. Në raport, theksohet qartë se të ardhurat si 7-mujor, janë realizuar më shumë sesa vjet. “Administrata tatimore ka mbledhur 6 për qind më shumë të ardhura se 7-mujori i vitit 2010, ose 5.2 miliardë lekë më shumë (përfshirë dhe kontributet) për një total prej 91.4 miliardë. Totali i të ardhurave tatimore ka pasur një rritje prej 5.8 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa të ardhurat nga kontributet janë rritur me 6.4 për qind mbi baza vjetore”, theksohet në raportin fiskal. Por qartësisht, diferencimi i parave që sjell TVSh, është në fjalinë përmbyllëse, ku përmendet dhe lavdërohet mbledhja e të ardhurave nga të gjithë taksat e tjera, përjashtuar TVSH. “Administrata tatimore ka rezultate të mira në mbledhjen e tatimfitimit, akcizës dhe taksave nacionale për këtë periudhë, krahasuar me një vit më parë”.

17.8 miliarde leke
janë të ardhurat bruto të mbledhura nga TVSH. Shifra është 12.3% më e ulët sesa 20.3 miliardë lekë të mbledhura vjet. Krahasimi i të ardhurave neto nga TVSH është më i frikshëm. Nga 16.8 miliardë lekë të mbledhura vjet, sivjet janë grumbulluar 14 miliardë, ose 16.7% më pak

Krahasimi i të ardhurave nga TVSH sipas muajve
2010    2011

T.V.SH.            28.26%    22.51%
Akciza            12.64%    14.67%
Tatimi mbi Fitimin        16.37%    20.12%
Të Ardhura Personale        25.76%    26.01%
Taksat Nacionale        7.58%    8.14%
Taksa e Qarkullimit Rrugor        4.35%    3.78%
Taksa të tjera, nga të cilat:        5.03%    4.77%
Kazinotë dhe Lodrat        4.95%    4.70%

Ndryshimi i strukturës së të ardhurave
TVSH     Viti    Krahasimi
Tatime    2011    me 2010

Janar    2,899    -2.1 %
Shkurt    2,216    -4.3 %
Mars    1,981    -4.4 %
Prill    1,477    -37.5 %
Maj    1,928    -11.8 %
Qershor    1,811    -20.9 %
Korrik    1,721    -35.2 %

© Panorama.al

Te lidhura