Tasho, fotografi mes shqiptarëve të Francës

Sep 15, 2011 | 12:41
Fotografi Roland Tasho

Asnjëri prej tyre nuk tha jo. Kishte edhe të ndrojtur mes tyre, por kësaj here ata nuk ishin thjesht individë. Ata ishin shqiptarët e Francës.Plot dy muaj dhe shumë njohje iu deshën fotografit Roland Tasho për të realizuar albumin e tij të katërt fotografik mbi temën e emigracionit “Shqiptarët e Francës”, i cili u promovua pak ditë më parë gjatë ekspozitës me të njëjtin titull, hapur në zyrat e Qendrës së Informacionit të Bashkimit Europian. Kur ia nisi vite më parë një nisme të tillë, Tasho nuk e pati edhe aq të thjeshtë. Duheshin gjetur burimet financiare, njerëzit, dizajnerët… Sot, në botimin e katërt, që mban logon e “Albimazh” e shtypur në “Dasprint”, Romë, gjithçka është më e thjeshtë, projekti tashmë ka marrë rrugën e vet dhe mbështetësit nuk ngurrojnë të marrin pjesë në realizimin e ekspozitës e të albumit. Madje, Tasho i ka tashmë ofertat për ta shtrirë projektin edhe në shtete të tjera… Por nuk mund të bëhet gjithçka sa hap e mbyll sytë. Të realizosh një fotografi nuk është thjesht një veprim mekanik, por një marrëdhënie njerëzore dhe duket se Tasho i jep shumë rëndësi kësaj pjese.
Përzgjedhja
Në albumin “Shqiptarët e Francës”, fotografi ka gjurmuar emra të njohur të artit, por edhe biznesmenë, të cilët janë paska më në prapavijë e deri tek studentët, tek brezi më i ri i bujtësve të Francës. “Nuk e pata shumë të vështirë për t’i gjetur njerëzit dhe për t’i bindur ata të pozojnë për këtë album. Krahas njohjeve të mia, më ka ndihmuar shumë edhe ambasadori ynë në Francë, Ylljet Aliçka. E gjitha ka qenë një eksperiencë shumë e këndshme. Parisi ka një tjetër ritëm krahasuar me Amerikën. Atje kishe mundësi që t’i takoje njerëzit, të bisedoje me ta, pse jo të pije edhe një gotë verë. Kjo të ndihmonte në kapjen e karakterit të tyre. Ndërsa në Amerikë kishte një tjetër ritëm dhe shpesh më ndodhte që në nxitim e sipër të mos u jepja as dorën njerëzve”, tregon Tasho. Shumë prej të fotografuarve janë të njohur të hershëm të Tashos, disa i ka ndjekur qysh në rini, pastaj në ceremoninë e dasmës e, derisa u janë rritur fëmijët. Të tjerat ishin tërësisht njohje të reja. “Nëse do të më duhej ta përmblidhja me një frazë vlerën e punës së fotografit Roland Tasho me këtë vepër, mund të them se lajtmotivi i këtij albumi është vërtetësia e të kuptuarit dhe sinqeriteti i zbulimit të integrimit dinjitoz të shqiptarëve në Francë, të cilët krahas afirmimit të tyre në realitetin e ri, i kanë qëndruar besnik prejardhjes dhe të qenët shqiptar”, shkruan ambasadori Aliçka në hyrje të albumit. Ndërsa ambasadorja franceze në Tiranë, Maryse Daviet, e cila ka mbështetur financiarisht realizimin e albumit, pasi shpreh fjalët më të mira për autorin, thotë se “prania e shqiptarëve në Francë nuk mund të krahasohet thjesht me çdo tjetër, ajo nuk është fryt i pushtimeve dhe nuk është shkaktuar nga rastësitë e historisë, e as nga ndonjë afërsi e thjeshtë gjeografike. Shqiptarët e kanë zgjedhur Francën me dëshirën për t’u zhvilluar në një vend ku kultura merr një kuptim të veçantë.
Personazhet
Për të hapur albumin, fotografi ka zgjedhur një nga fotografitë më të realizuara të shkrimtarit Ismail Kadare, të cilin në diçiturë e konsideron si “një nga simbolet më të fuqishme shqiptare të kohës së sotme”. Dhe vijon një tjetër div. Inva Mula, sopranoja shqiptare, e cila prej vitesh është vendosur në Paris dhe interpreton jo vetëm në skenat franceze, por në gjithë Europën. “Gjithçka që e rrethon Invën rrezaton seriozitet. Kemi kaluar rreth tri orë së bashku dhe ashtu, aq serioze sa ç’është ajo në punën e saj, u tregua edhe në këtë pjesëmarrje, duke u përkushtuar maksimalisht. Madje, u bë edhe guida ime në Hotel Ritz”, tregon Tasho. Më tej vijojnë fotot e koreografit Angjelin Preljocaj, piktorit Omer Kaleshi, pediatres me origjinë përmetare, Solange d’Angely, regjisores Liri Begeja, biznesmenit Gjergji Themeli, violinistjes Klodiana Skënderi, violinistit Tedi Papavrami, industrialistit Gazmend Toska, shkrimtarit Luan Rama, piktorit Zamir Mati, gjuhëtarit Remzi Përnaska, botueses Brikena Çabej, gazetarit Genc Burimi, pianistit Genc Tukiçi, aktores, tashmë mjeke Anisa Markajan, e shumë e shumë të tjerë, deri tek më të rinjtë, studentët: Stela, Ana, Megi, Ilioni, Nea, Juliana… Janë mbi 100 personazhe. Në fund, Tasho e mbyll me foto nga Parisi. Nuk ka nevojë për gjetje, mjafton një shkrepje. Gjithçka është poezi. Një shëtitje buzë Senës, një kafe nën qiell të hapur, dy të rinj që puthen, teksa dikush i bie violonçelit…

ALMA MILE

© Panorama.al

Te lidhura