Ngërçi që pengonte taksistët për të përfituar nga rimbursimi që qeveria vendosi t’u bënte taksimetrave të tyre deri në masën 30 mijë lekë, është zgjidhur dje me disa ndryshime në vendimin ekzistues. Nëse më herët taksistëve u kërkohej një faturë tatimore për blerjen e taksimetrit, ky kriter është hequr nga vendimi, pasi në kohën kur është vendosur detyrimi i vendosjes së taksimetrit, nuk kishte lindur ende detyrimi i vendosjes së pajisjes me kasa fiskale të bizneseve. Qeveria ka dëgjuar shqetësimin e Sindikatës së Taksistëve dhe e ka zgjidhur problemin duke kufizuar dokumentacionin e nevojshëm për të përfituar rimbursim. Tashmë, taksistëve do t’u duhet që pranë bashkisë apo komunës ku paguajnë detyrimet e tyre tatimore, të paraqesin brenda datës 31 mars dokumentet e përcaktuara në vendimin e ndryshuar për të përfituar nga rimbursimi.
Dokumentet
Ndër dokumentet që duhet të paraqiten tani pranë bashkive, apo komunave për të përfituar rimbursimin janë: kopjen e faturës së blerjes së taksimetrit, kopje e kontratës me shoqërinë shitëse të taksimetrave (kjo është lënë alternativë nëse disponohet), kopje e njoftim-vlerësimit tatimor për vitin ushtrimor, të lëshuar nga zyra e taksave të bashkisë ose të komunës, si dhe faturën e plumblosjes që vendoset nga Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë. Ndryshimi në linjën e dokumentacionit të kërkuar lidhet me faturën e blerjes së taksimetrit, e cila tashmë mund të mos jetë faturë tatimore, por kopje e një fature të thjeshtë ku pasqyrohet blerja.
Kasat
Nga vendimi i djeshëm ka përfituar edhe “kontingjenti” i atyre që kishin blerë pajisje fiskale në një nga shoqëritë që iu hoq autorizimi i shitjes së pajisjeve fiskale, në korrik të vitit të kaluar. Të gjithë ato biznese që kanë blerë pajisjet fiskale tek kompania që nuk gëzon më të drejtë tregtimi, do të duhet që të paraqesin dokumentacionin përkatës deri më 31 mars, pranë komunave apo bashkive ku paguajnë taksat, për të përfituar rimbursimin deri në 44 mijë lekë për pajisjet fiskale. Dokumentacioni i nevojshëm për t’u paraqitur është kopja e mandat-pagesës së bërë për blerjen e pajisjes së parë fiskale ose kuponin tatimor, të shoqëruara me kopjen e faturës së blerjes; kopje e kontratës me një nga “Shoqëritë e autorizuara” nga ministri i Financave për ofrimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve fiskale në rastin e pajisjeve fiskale; kopjen e njoftim-vlerësimit tatimor për vitin ushtrimor 2010, të lëshuar nga zyra e taksave të bashkisë ose komunës.
Ndryshimet
Ndryshimet për rimbursimin e kasave dhe taksimetrave
Në vendimin nr. 1065, datë 29.12.2010, të Këshillit të Ministrave bëhen këto ndryshime:
1. Shkronja “b” e pikës 2, ndryshohet si më poshtë vijon:
“b) Kopjen e kontratës me një nga “Shoqëritë e autorizuara” nga ministri i Financave, për ofrimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve fiskale në rastin e pajisjeve fiskale”.
2. Pas pikës 2 shtohen pikat 2.1 dhe 2.2, me këtë përmbajtje.
“2.1. Në rastet kur tatimpaguesi ka blerë pajisjen fiskale nga “Shoqëria e autorizuar”, Bashkimi i Operatorëve PKP & Rilindja, sh.p.k., për blerjet deri në datën 26.7.2010, datë në të cilën kësaj kompanie i është hequr autorizimi nga Ministria e Financave, tatimpaguesi duhet të dorëzojë pranë zyrës së taksave të bashkisë apo të komunës, ku është i regjistruar, dokumentacionin e paraqitur në shkronjat “a”, “b” dhe “c” të pikës 2, përmendur më lart, të këtij vendimi.
2.2. Tatimpaguesi që ushtron veprimtari në ofrimin e shërbimit të taksisë, duhet të dorëzojë pranë zyrës së taksave të bashkisë, apo të komunës ku është i regjistruar, brenda datës 31 mars 2011, formularin e rimbursimit të pagesës për taksimetrin, sipas formatit bashkëlidhur këtij vendimi, së bashku me dokumentacionin e mëposhtëm:
a) Kopjen e faturës së blerjes së taksimetrit.
b) Kopjen e kontratës me shoqërinë shitëse të taksimetrave (nëse disponohet).
c) Kopjen e njoftim-vlerësimit tatimor për vitin ushtrimor, të lëshuar nga zyra e taksave të bashkisë ose të komunës.
ç) Faturën e plumblosjes që vendoset nga Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë.”.
3. Fjalia e fundit e pikës 6 ndryshohet si më poshtë vijon:
“Procedura e këtij rimbursimi është e njëjtë, si në rastin e rimbursimit për pajisjet fiskale, të përcaktuara në këtë vendim”.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.











