Taksa mbi pagat, PS zbardh skemën

Dec 6, 2011 | 10:59

Tatim më i ulët për pagat nga 20 deri në 100 mijë lekë.

Parlamenti ka miratuar me 71 vota pro dhe 54 kundër buxhetin e shtetit për vitin 2012. Gjatë seancës opozita ka zbardhur për herë të parë projektin e saj ekonomik që ka premtuar të zbatojë kur të vijë në pushtetet. Gjatë diskutimit nen për nen të buxhetit të vitit 2012, deputetët e opozitës kanë detajuar propozimet për vendosjen e taksës progresive dhe heqjen e TVSH-së për disa produkte ushqimore, librin dhe energjinë elektrike. Gjatë votimit ra në sy mungesa e Kryeministrit Sali Berisha.
Propozimi i PS
Nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë, Mimi Kodheli, deklaroi se vendosja e taksës 10% mbi pagat ka shkaktuar dhjetëfishim të barrës në kurriz të mësuesve, policëve, mjekëve dhe infermierëve. “Taksohen sot dhjetëfish më shumë se para 5 vitesh, ndërsa rroga e tyre nuk është rritur dhjetëfish. Ndërkohë që ne, e përsëris, jemi të gatshëm të paguajmë më shumë tatim mbi të ardhurat tona si deputetë”, është shprehur deputetja Kodheli. Sipas modelit të PS, shtresat që do të përfitojnë nga taksimi progresiv do të jenë ata buxhetorë që aktualisht paguhen nga 20 mijë lekë deri në 100 mijë lekë. Për ata që marrin një pagë mbi 100 mijë lekë, tatimi do të jetë më i lartë dhe arrin deri në 20%. Kodheli, në emër të PS, ka kërkuar dhe një përgjysmim të TVSH-së për energjinë elektrike, që aktualisht është 20% dhe sipas tyre, kjo taksë të shkojë në nivelin 6%. Ndërkaq, për produktet si gruri, mielli, buka, qumështi dhe vezët, të majtët kërkojnë që TVSH-ja të bëhet 0%. TVSH-ja e barnave dhe e librave, sipas propozimit të PS, duhet të hiqet dhe në këtë mënyrë të ulin barrën në kurriz të qytetarëve.
Reagimi i Bodes
Gjatë replikave, ministri i Financave, Ridvan Bode, e cilësoi si demagogji propozimin e socialistëve. Sipas tij, tatimi mbi fitimin në vitin 2004 ka qenë në masë më i lartë se sot dhe taksimi progresiv në asnjë rast nuk u zbatua me korrektesë. “Tatimi progresiv i pagave, sa i ëmbël dhe sa i bukur! E keni pasur 35% tatimin progresiv të pagave dhe e dini sa mblodhët? Në 2004-n keni mbledhur 6.8 miliardë lekë dhe tatimi ka qenë 35%. Ndërsa në vitin 2010, vetëm me 10% kemi 27 miliardë lekë, kemi pesë herë më shumë. Doni ta ktheni pushtetin që latë në vitin 2005, pushtetin e korrupsionit, kontrabandës, pushtetin e një republike bananesh”, deklaroi Bode. Kreu i Financave kundërshtoi dhe propozimin për uljen e TVSH-së për energjinë elektrike. Sipas tij, çmimi i energjisë është i rregulluar dhe subvencionohet nga qeveria. “A e dini ju që në të gjithë BE-në kërkohet vendosja e akcizës për energjinë elektrike dhe ne e kemi pa akcizë? Është çmim i rregulluar. Në këtë mënyrë nuk ka kuptim teoria juaj me taksë apo pa taksë. Do të japësh çmimin më të lartë”, pohoi Bode. Heqja e TVSH-së për produktet ushqimore, sipas ministrit, do të favorizojë importin e produkteve nga rajoni dhe do të penalizojë fermerët vendas. Lidhur me heqjen e tatimit mbi vlerën e shtuar për barnat, sipas Bodes, vendosja e kësaj mase ka frenuar abuzimet me çmimet e ilaçeve në treg. “Prandaj ne vendosëm atë sistem që TVSH-ja për ilaçet të mos sjellë në buxhet asnjë lek. Përkundrazi, nxjerr dhe rimburson nga buxheti”, pohoi shefi i Financave. Eliminimi i TVSH-së për librat, sipas ministrit Bode, bëhet për interesa brenda përfaqësuesve të opozitës.

Harasani: Drejtori i CEZ merr 66 mijë euro në muaj
Nga salla e Parlamentit, deputeti i PS, Andis Harasani, denoncoi pagat e larta që marrin drejtuesit e kompanisë “CEZ”, një pjesë e aksioneve të së cilës i përket ende publikut. Deputeti i PS ka hedhur dyshime se pagat e larta që CEZ paguan për drejtuesit e saj i paraqiten Entit Rregullator të Energjisë si zëra kostoje për të kërkuar rritje të çmimit të energjisë. “Drejtori i CEZ-it paguhet 66 mijë euro në muaj. Dua të di kush e paguan këtë faturë dhe a paguan tatim fitimi? Janë 9 veta në këtë kompani dhe rroga që ata marrin është 375 mijë euro në muaj, 4 milionë në vit. A paguhet tatim për këto paga dhe a i kanë futur këto investime te kërkesa që kanë bërë pranë ERE-s”, deklaroi ish-kreu i KESH-it. Harasani gjatë një prononcimi për Top Channel, deklaroi se kompania çeke po vepron në kundërshtim me ligjet shqiptare dhe drejtuesit e saj po rrisin përfitimet e tyre financiare në mënyrë drastike. “Unë mendoj se ERE duhet të jetë i paanshëm, të respektojë ligjin dhe të mos bëjë lëvizje të çmimit. Në Parlament duhet të kërkojmë respektimin e kontratës së koncesionit, pasi CEZ sot është një kompani me humbje, nuk i paguan shtetit tatim fitimin, ka rreth 65 milionë euro detyrime dhe po e fut në krizë sektorin e energjisë.
Reagimi i CEZ
Menjëherë pas deklaratave të deputetit PS-së, Andis Harasani, ka reaguar kompania “CEZ”, që ka hedhur poshtë pretendimet. Zyrtarët e saj deklarojnë se dega shqiptare e kompanisë paguan aktualisht vetëm tre menaxherë të huaj me pagë një mijë euro në muaj, që janë dhe anëtarë të bordit drejtues. Pjesa tjetër e pagave për këta menaxherë, sqaron CEZ, paguhet nga kompania mëmë në Çeki dhe nuk prekin financat e CEZ Shpërndarjes në Shqipëri.

Fondi do të përballohet nga rezerva e Këshillit të Ministrave
Vendimi, 10 milionë lekë për ashensorin e Kryeministrisë
Qeveria ka marrë një vendim në fillim të muajit nëntor për t’i shtuar një fond prej 10 milionë lekësh Kryeministrisë, për ta pajisur këtë institucion me një ashensor. Në vendimin e Ekzekutivit thuhet se “Këshilli i Ministrave vendosi që Kryeministrisë, në buxhetin e miratuar për vitin 2011, zëri “Investime”, t’i shtohet fondi prej 10 000 000 (dhjetë milionë) lekësh, për përballimin e shpenzimeve për blerje ashensori. Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave”. Kryeministria deri tani ka qenë një institucion i papajisur me ashensor dhe katet me njeri-tjetrin lidhen nëpërmjet shkallëve, të cilat janë nga dy drejtime të ndryshme.
Qeveria ka miratuar gjithashtu një vendim për t’u dhënë mundësi institucioneve të plotësojnë strukturat e tyre, pasi ato u ngrinë për shkak të problemeve në buxhet. Në korrik të këtij viti u miratua vendimi, sipas të cilit “shpenzimet e personelit, të miratuara në buxhetin e vitit 2011 për çdo njësi të qeverisjes së përgjithshme, përbëjnë kufirin maksimal të lejuar për t’u përdorur për çdo njësi shpenzuese për punonjësit e miratuar me aktet përkatëse, ligjore dhe nënligjore. Për disiplinimin e këtyre shpenzimeve, për vitin 2011, zbatohen këto masa: Çdo funksion në administratën publike, i miratuar në organikë dhe i paplotësuar ende, të ngrijë deri në ristrukturimin e institucioneve, në përputhje me standardet e miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave. Institucionet që kanë miratuar strukturën pas këtij vendimi apo që janë krijuar rishtazi, në zbatim të akteve, ligjore dhe nënligjore, vazhdojnë normalisht plotësimin e vendeve vakante”. Me vendimin e 10 nëntorit, kjo pikë është shfuqizuar, duke u hapur rrugë institucioneve të rregullojnë strukturat, në bazë të aktit për ristrukturimin e tyre.

krahasimi i tatimeve

FATION BINJAKU

 

© Panorama.al

Te lidhura