Emri i Presidentit/ Kreu i opozitës dhe Kryeministri ulen sot në një tryezë në Kryesinë e Kuvendit me Ruçin e Patozin për të gjetur me kompromis kreun e shtetit. Rama: “Personalitet publik, por jo noter i PD apo i PS”
Në 20:30 te Kryesia e Kuvendit. Në tryezë, Ruçi e Patozi.
Kryeministri Berisha dhe kreu i PS-së, Edi Rama, do të takohen sonte në mbrëmje në Kryesinë e Kuvendit të Shqipërisë. Në orën 20:30 të së dielës mbrëma, Rama e Berisha, të shoqëruar nga kryetarët e grupeve respektive parlamentare, Patozi dhe Ruçi, do të tentojnë gjetjen e një kandidati konsensual, i cili do të marrë votat maksimale në Kuvend. Palët gjetën më në fund pika takimi në raportin mes tyre, duke lëshuar nga vetja. Kryeministri Berisha u shpreh nga Vlora se ka hequr dorë nga deklaratat e tij të hershme se President do të ishte një zyrtar i lartë i PD-së. Ndërsa Edi Rama ka lëshuar nga ana e tij nga kërkesat ultimative për reformat dhe heqjen e imunitetit. Në intervistën e djeshme televizive, Rama tha se do të hyjë në takim vetëm për të zgjedhur emrin konsensual të Presidentit të ri. “Në takimin e së dielës do të diskutohet pika që është në rendin e ditës të Parlamentit, ajo që lidhet me zgjedhjen e një Presidenti, i cili, sipas nesh dhe sipas miqve e partnerëve ndërkombëtarë, por edhe sipas aspiratës së vetë opinionit publik, duhet të jetë konsensuale”, u shpreh Rama. Mësohet se negociatorët e takimit Rama-Berisha kanë rënë dakord që sot të mos flitet për çështje parimore, por vetëm për modalitetet se çfarë palët presin nga Presidenti i ri për të përmbushur detyrimet kushtetuese dhe integruese të vendit. Mbi këtë bazë palët do të arrijnë tek emri i përveçëm. Duket se një gjë është e sigurt në takimin e sotëm. Partia socialiste do të hedhë poshtë kandidaturën konsensuale të partive të maxhorancës, Xhezair Zaganjori, vetëm për faktin se ajo është propozuar jashtë procesit të dialogut mes të gjitha partive parlamentare. Por, mësohet se kreu i maxhorancës do të tentojë të këmbëngulë te Zaganjori për shkak të profilit të tij juridiko-diplomatik dhe larg përkatësisë partiake. Burime nga të dyja selitë pohuan dje se përveç qëndrimit për Xhezair Zaganjorin, anëtarin e Gjykatës Kushtetuese, palët kanë pranuar dhe propozime të tjera të njëri-tjetrit, të cilat do të hidhen në tryezën e sotme. Që të shkohej te takimi i sotëm nuk ishte aspak e lehtë. Kryeministri Berisha kishte përjashtuar një takim direkt me Edi Ramën, duke mandatuar Astrit Patozin dhe Edmond Spahon të takoheshin me Ruçin dhe Tahirin. Shkak për këtë vendim të Berishës ishte editoriali i Edi Ramës ku kërkonte bashkim me çdo forcë politike me qëllim rrëzimin e qeverisë aktuale. Sipas Berishës, nuk mund të bisedohet për konsensus me një politikan që kalkulon votat dhe mënyrat për të rrëzuar Kryeministrin. Ndërsa nga ana e tij, Edi Rama ishte treguar i gatshëm të takohej në çdo moment me kreun e maxhorancës për të ndërtuar një proces dialogu për zgjedhjen e Presidentit të ri.
Negociatat
Negociatat e para të zhvilluara për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit kanë dështuar, pasi takimi midis dy krerëve të grupeve parlamentare, Gramoz Ruçi dhe Astrit Patozi, përfundoi pa rezultat. Në tryezën e zhvilluar javën e shkuar, Partia Socialiste ka dorëzuar një draft me katër pika, miratimi i të cilave do t’i hapte rrugë zgjedhjes së një Presidenti konsensual. Por kjo kërkesë është kundërshtuar nga demokratët dhe është cilësuar si pazar politik. Ruçi kërkoi miratimin e reformës zgjedhore, asaj parlamentare dhe heqjen e imunitetit, dhe më pas votimin e një Presidenti kosensensual, por kjo kërkesë është kundërshtuar nga PD, duke i quajtur si kushte.
Dy takimet Rama-Berisha
Kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i PS-së, Edi Rama, janë ulur së bashku vetëm dy herë në një tryezë për të zhvilluar negociata. Takimi i parë i tryezës Berisha-Rama është realizuar në vitin 2007, kur të dy krerët nuk arritën të zbatonin një marrëveshje për zgjedhjen e Presidentit. Takimi është zhvilluar në Kryesinë e Kuvendit në orët e vota të darkës, por ky takim ka rezultuar i dështuar për shkak të mosarritjes së një emri konsensual. Takimi i dytë midis kreut të maxhorancës dhe kryetarit të selisë rozë është zhvilluar në vitin 2010, kur u miratua dhe projekti i kompleksit të ri parlamentar.
Kreu i PS u dërgoi letër partive parlamentare
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, u dërgoi një letër në fund të muajit prill të gjithë kryetarëve të partive parlamentare. Rama ftoi Sali Berishën, Ilir Metën, Shpëtim Idrizin, Fatmir Mediun, Vangjel Dulen dhe Gazmend Oketën në takim për të hapur dialog konstruktiv për këtë çështje. “Në emër të Partisë Socialiste dhe të të gjithë asaj mase të madhe qytetarësh shqiptarë që Partia Socialiste përfaqëson në Kuvend, dëshiroj t’ju ftoj me anë të kësaj letre të takohemi drejtpërdrejt për të këmbyer pikëpamjet tona dhe për të tentuar të hapim një dialog konstrukti mes të gjitha palëve lidhur me rëndësinë madhore të ndërtimit të një procesi të dobishëm për vendin në zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës. Mbetem në pritje të një përgjigjeje nga ana juaj për këtë kërkesë dhe jam i gatshëm t’ju takoj pa humbur kohë”, shprehet Rama në letër. Kreu socialist në letër ka kërkuar që zgjedhja e Presidentit të behet me dialog dhe konsensus midis të gjitha palëve. Rama e vë theksin te roli i përfaqësuesve politikë që duhet të bëjnë gjithçka munden që Komisioni Europian ta mbështesë Shqipërinë në ngjitjen e shkallës përfundimtare për integrimin e plotë në BE.
Raundi i dytë, votimi të hënën
Raundi i dytë i votimit në Parlament për zgjedhjen e Presidentit të Republikës do të zhvillohet ditën e hënë në orën 10:00. Po ditën e hënë, në përputhje me Rregulloren e Kuvendit, do të mblidhet dhe Komisioni i Ligjeve, që do të përgatisë një raport që do t’i paraqitet seancës me emrat e kandidatëve për votim. Nuk dihet ende nëse maxhoranca do të mbledhë 20 firmat e deputetëve për të hedhur në votim kandidatin Xhezair Zaganjori. Sot pritet që dhe PS-ja të propozojë kandidatin e saj.
Rama: Kandidat për President dhe një grua, të jetë larg partive
“Me LSI shmangëm kandidaturën politike të PD”

Shmang Fatos Nanon: “Personaliteti të mos jetë noter partiak as i PS dhe as i PD”
Në një intervistë dhënë për “Top Channel” me gazetarin Muhamet Veliu, kryetari i PS, Edi Rama, jep detaje rreth takimit të sotëm me Kryeministrin Berisha për Presidentin e Republikës.
Rama shmang kandidaturën e Fatos Nanos dhe shprehet se kandidati konsensual mund të jetë dhe një grua, mjafton që të mos jetë e identifikuar politikisht pranë PD, PS apo LSI-së. Duke folur për marrëdhënien me LSI-së, Rama shprehet se përmes këtij komunikimi u arrit që Berisha të heqë dorë nga një kandidaturë politike e PD-së.
Do të doja ta nisja këtë intervistë duke ju pyetur: si u arrit dakordësia për t’u takuar të dielën me Kryeministrin Berisha?
S’ka asgjë të posaçme. Kemi marrë ftesën për takim dhe kemi pranuar. Sigurisht është e vonuar, por më mirë vonë se kurrë.
Takimi do të jetë ekskluzivisht për çështjen e Presidentit, apo do të diskutohen edhe tri çështjet e tjera që PS ka propozuar, që lidhen me reformën zgjedhore, atë parlamentare dhe me çështjen e imunitetit?
Pak ditë më parë, qoftë unë, qoftë Kryeministri, kemi marrë një letër nga komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle, dhe në atë letër praktikisht trajtohen pikat për të cilat ne kemi kërkuar që të ketë tryezë dhe të ketë përpjekje për t’i zgjidhur të gjitha së bashku, por sigurisht, një e nga një. Ndërkohë që, pa dyshim, në takimin e së dielës do të diskutohet pika që është në rendin e ditës të Parlamentit, ajo që lidhet me zgjedhjen e një Presidenti, i cili sipas nesh dhe sipas miqve e partnerëve ndërkombëtare, por edhe sipas aspiratës së vetë opinionit publik, duhet të jetë konsensuale.
Cilat janë pritshmëritë tuaja nga ky takim?
Sigurisht që ne shkojmë në takim me vullnetin e plotë për t’i dhënë zgjidhje çështjes së zgjedhjes së Presidentit apo Presidentes së re të Republikës. Kjo do të thotë që pritshmëria jonë është që përmes dialogut dhe konsultimit të mund të dakordësojmë për modalitetet dhe pa dyshim edhe për një emër të përshtatshëm, i cili duhet të jetë emri i një personaliteti publik, që të mos jetë noter partiak as i PD dhe as i PS.
Një dakordësi e gjetur të dielën, a do të përkthehej që të hënën kur Parlamenti të votojë, Shqipëria do ta ketë Presidentin e ri të Republikës?
Kjo do të ishte më e mira që mund të ndodhte dhe për sa na takon, ne do të bëjmë çdo përpjekje dhe do të shprehim vullnet të plotë që më e mira të bëhet.
Nga Vlora, Kryeministri Berisha deklaroi, ose më saktë la të kuptohet, se është i gatshëm të bëjë disa lëshime ndaj opozitës. Çfarë lëshimesh prisni?
Këtu nuk bëhet fjalë për lëshime ndaj opozitës. Opozita nuk po kërkon dhe as synon që të ketë një President, i cili të përfaqësojë opozitën. Nga ana tjetër, sigurisht, nuk synojmë të imponojmë apo të kushtëzojmë procesin e dialogut me emra që janë të njëanshëm, sado që në këndvështrimin tonë mund të jenë plotësisht të respektueshëm. Këtu bëhet fjalë për të bërë të gjitha lëshimet e nevojshme dhe për të arritur aty ku të gjithë së bashku duhet të arrijmë, që Shqipëria ta kalojë këtë provë me sukses dhe të ketë të nesërmen e zgjedhjes së Presidentit apo Presidentes së Republikës një kryetar shteti që i përfaqëson të gjithë, që mishëron unitetin ndërkombëtar dhe që përbën një dëshmi të parë të faktit se me vullnet të mirë ne mund t’ia dalim në funksion të marrjes gjithashtu së statusit të vendit kandidat në BE dhe në këtë moment historik që lidhet me 100-vjetorin e Pavarësisë.
Meqenëse jemi tek emrat, a shkon kryetari i opozitës në takimin e së dielës me Kryeministrin Berisha me një emër apo me disa emra konkretë për t’i propozuar në tryezë?
Në qoftë se ka diçka në këtë periudhë me të cilën unë bie dakord me Kryeministrin, është që eksperienca e vitit 2007 nuk duhet të përsëritet në një defekt të vetin, që kishte të bënte me transformimin e tryezës, në një tryezë ku vërtiten një pafundësi emrash që ngrihen dhe bien aty për aty. Prandaj, bazuar dhe në atë eksperiencë, dialogu do të ndërtohet mbi disa modalitete, duhet të bihet dakord për çka duam të arrijmë dhe se si mund ta arrijmë, dhe pastaj nga procesi, i cili mund të jetë shumë i shkurtër, mund të jetë pak më i gjatë, mund të zgjasë sa mund të zgjasë një takim i vërtetë pune dhe bashkëpunimi, por mund të zgjasë edhe pak më shumë, të dilet tek emri. Dhe jo anasjelltas.
Folët për procesin. Mendoni që një takim në mbrëmje, në orën 20:30, vetëm pak orë nga votimi i dytë në Parlament, është pak paragjykues në vetvete, për hir të së vërtetës, pasi koha nuk është e mjaftueshme. Pra unë do të doja t’ju pyesja: a do të keni kohë të mjaftueshme në dispozicion të dielën për të arritur diçka?
Sigurisht që ne do të kishim dashur që ky takim të ishte bërë më parë, do të kishim dashur që ky takim të ishte duke u zhvilluar edhe tani që po flasim. Pa dyshim që një takim i një ore kaq të vonë dhe me një kufi kaq të afërt me raundin e dytë, nuk duket të jetë gjëja më e mirë që mund të ndodhte në pikëpamjen e planifikimit. Por nuk dua që të paragjykoj dhe me gjithë vullnetin e mirë, dëshirojmë që të kontribuojmë duke ia dalë për të mirën e vendit, për të mirën e njerëzve që përfaqësojmë, por edhe për të mirën e një jete politike, e cila duhet të ndryshojë cilësisht dhe duhet të kthehet në një jetë që prodhon ato çka shqiptarët presin, dhe jo mbiprodhon atë çka shqiptarët me të drejtë i ka neveritur nga politika shqiptare.
Në këndvështrimin tuaj, cila do të jetë e ardhmja e kandidatit të propozuar nga maxhoranca, zotit Zaganjori?
Më lejoni t’ju them se ne nuk e mbështesim dhe nuk do ta mbështesim kandidaturën e zotit Zaganjori, ashtu siç nuk do të kishim mbështetur dhe nuk do të mbështesim asnjë kandidaturë që vjen në mënyrë të njëanshme, pa dialog, pa proces dhe pa vullnetin për të qenë shprehje e një konsensusi mes palëve. Sigurisht që në këtë aspekt është shumë e rëndësishme të ritheksohet se procesi nuk ka një rëndësi formale, por ka një rëndësi thelbësore, në mënyrë që të gjitha palët jo vetëm të jenë të përfshira, por edhe të marrin përgjegjësinë përkatëse për zgjedhjen që Parlamenti do të bëjë, në rast se ajo do të jetë konsensuale në raport me publikun dhe me miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë. Një President konsensual është njëkohësisht edhe mishërimi i një përgjegjësie të përbashkët.
Le të ndalemi në një tjetër aspekt, zoti Rama. Cilat kanë qenë marrëdhëniet me LSI dhe konkretisht me Ilir Metën gjatë këtyre ditëve? Pasi e kemi parë zotin Meta shumë aktiv në takime, në negociata, jo vetëm për çështjen e Presidentit.
Ka pasur shumë fantazira dhe shumë spekulime, të cilat, sigurisht, janë të natyrshme, aq më tepër në një vend si i yni, ku ka shumë terren pjellor për të gjitha teoritë e konspiracionit. Por, e vërteta e thjeshtë është se ne kemi ndërtuar një komunikim dhe besoj që ky komunikim ka sjellë si rezultat të parë kalimin nga një kandidaturë unilaterale politikisht shumë e skalitur dhe njëkohësisht tërësisht e papranueshme për ne, në një terren në të cilin ka hapësirë për dialog, ka hapësirë për konsultime dhe ka hapësirë për kompromis. Askush nga ne nuk pret që kandidatura e kompromisit të jetë një kandidaturë prej së cilës ne të fërkojmë duart duke thënë se e imponuam, por, nga ana tjetër, kjo gjë duhet të jetë e njëjtë edhe për palën tjetër. Presidenti apo Presidentja e re e Republikës duhet të jetë një figurë që të ketë dakordësinë e palëve, po në asnjë rast të mos jetë me hijen e njërës palë mbi veten.
Gjatë intervistës, zoti Rama, keni përsëritur disa herë termin kandidate. Mos ka ndër mend Partia Socialiste një kandidate femër?
Jo, unë besoj se është shumë e rëndësishme që në këtë proces të bëhet e qartë se Shqipëria jo vetëm ka burra që mund ta përfaqësojnë si mishërim të unitetit kombëtar të popullit shqiptar çdonjëri nga ne në zyrën e kreut të shtetit, por ka dhe gra që mund të bëjnë po aq mirë të njëjtën gjë. E, në fund të fundit, duke qenë se popullsia e vendit tonë është e përbërë nga burra po aq sa dhe gra, është e natyrshme që në respekt të gjysmës së popullit shqiptar të lihet e hapur dera edhe për një Presidente të re të Republikës.
Do t’i rikthehem çështjes së bashkëpunimit me opozitën, pasi përmendët se ka shumë ide konspirative. Pyetja ime besoj se do t’i sheshojë sadopak këto ide dhe do doja t’ju pyesja më konkretisht, zoti Rama. A po përpiqet PS të krijojë një marrëdhënie me LSI-në, që do çonte drejt një koalicioni të mundshëm në zgjedhjet e 2013-s?
Partia Socialiste është në opozitës, LSI është në pushtet. Është një palë në qeveri dhe ne sot jemi në përpjekje të vazhdueshme për të komunikuar me të gjitha palët në qeveri, kështu që këtu nuk ka vend për spekulim. Ashtu sikundër është e qartë që në rast se LSI nuk do të ishte në qeveri, por do të ishte në opozitë, pa dyshim do të ishte detyra jonë që të kërkonim rrugën dhe të eksploronim çdo mundësi për një koalicion të madh opozitar, ku të përfshihej edhe LSI.
Do të zgjidhnit një President të propozuar nga PS më bekimin e PD, por jo të LSI?
E përsëris dhe njëherë, ne prej muajsh i kemi vendosur publikut përpara vizionin tonë dhe kemi parashtruar edhe kriteret që pak a shumë përvijojnë identikitin e Presidentit të Republikës. Duke e thënë qysh në krye të herës se Presidenti i Republikës apo Presidentja e Republikës nuk mund të jetë një figurë që është identifikuar fort me një palë politike, e përkatësisht me Partinë Demokratike. Por kjo vlen qoftë për PD, qoftë për LSI dhe qoftë për Partinë Socialiste.
Presidenti, mblidhet sot Kryesia e Grupit socialist
Deputetët “bombardohen” nga ndërhyrje për propozime
Mbledhja e djeshme e Kryesisë së Grupit Parlamentar, ku do të grumbulloheshin dhe diskutoheshin propozimet e deputetëve, u shty për sot, vetëm pak orë para takimit Rama-Berisha. Mbledhja ishte lënë për dje pasdite, por për shkak të mungesës së Gramoz Ruçit dhe Fatmir Xhafës, mbledhja u la për sot. Ndërkohë mësohet se një pjesë e deputetëve kanë dërguar në adresën elektronike të Edi Ramës propozimet që ata mendojnë për President të ardhshëm. Mësohet se dy ditët e fundit kanë qenë shumë intelektualë, juristë dhe ish-diplomatë që kanë kontaktuar deputetët socialistë në përpjekje për të promovuar emrin e tyre në listat e PS për President. “Kandidatët” u kanë kërkuar deputetëve të përfshijnë emrat e tyre në këtë listë, duke bërë dhe përshkrimet e rastit rreth aktivitetit të tyre akademik apo diplomatik, sipas rastit. Fluksi i ndërhyrjeve erdhi pas bërjes publike nga mediat të kërkesës së Edi Ramës në mbledhjen e fundit të Grupit Parlamentar për të propozuar emra kandidatësh për President. Por, kërkesa e Ramës pati rezistencë që në mbledhjen e Grupit Parlamentar kur Arben Malaj, anëtari i Kryesisë socialiste, e ka cilësuar jo serioze atë. “Kjo gjë nuk është serioze, dhe kjo tregon se ne vazhdojmë të jemi të papërgatitur edhe në këtë proces, që është procesi i radhës. Nuk po tregohemi seriozë brenda vetes. Që prej 6 muajsh është ngritur një grup pune për Presidentin. Çfarë ka bërë? Parimet janë universale dhe njihen nga të gjithë. Sot na thoni sillni ju emra”, mësohet të ketë thënë Malaj në mbledhjen e Grupit Parlamentar socialist. Por, grumbullimi i propozimeve të deputetëve nuk ka shkuar si duhet në PS. Të premten Rama kërkoi në dy mbledhje të Kryesisë së Grupit Parlamentar lajmërimin e deputetëve dhe marrjen e propozimeve.
Kryetarët dhe nënkryetarët e komisioneve parlamentare u kanë telefonuar disa deputetëve që kanë në komisionet e tyre për të dhënë një emër për kandidat. Mbledhja e pasdites së të premtes, e cila nuk ka zgjatur shumë, është mbajtur në konspiracion të plotë dhe në mungesë të informacionit.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











