Një atmosferë e ankthshme po mbulon, fikson e asfikson peizazhin politik e social shqiptar këto ditët e fundit: padurimi patologjikisht i mbrapshtë i së majtës për ta parë sa më shpejt zotin Rama të kurorëzuar për të katërtën herë si kryetar të Bashkisë së kryeqytetit. Zotëria në fjalë nuk pranon që procesi i numërimit të votave të kontestuara të zhvillohet normalisht duke ndjekur rrugën institucionale që nga KQZ-ja deri te Kolegji Zgjedhor, prandaj ka mobilizuar militantët socialistë më të devotshëm për të ushtruar trysni psikologjike mbi KQZ-në dhe të djathtën, jo vetëm përpara selisë së KQZ-së, por edhe në qytete të tjera, nëpërmjet protestave rozë, të cilat po marrin tipare demonstrate, madje edhe revolte, siç e dëshmon edhe përdorimi i herëpashershëm nga vetë zoti Rama i fjalës “revoltë”, të cilën e alternon dhe/ose e ngatërron me fjalën “protestë”. Sa për kujtesë, do ta ftoja zotin ende kryebashkiak të Tiranës t’i referohej “Fjalorit të gjuhës shqipe” (Tiranë, 2006) për ta bërë mirë dallimin midis nocionit “protestë” dhe atij “revoltë”; ja, pra, çfarë shkruhet atje: “protestë: kundërshtim i vendosur për një padrejtësi a për një veprim të paligjshëm, shprehja prerazi e mospajtimit me diçka (faqe 851)…” dhe “revoltë: kundërshtim me dhunë kundër institucioneve të rendit në fuqi, kryengritje…” (faqe 902). Siç shihet, këto dy fjalë nuk kanë plotësisht të njëjtin kuptim, por zoti Rama, duke i konsideruar si sinonime, pra, si fjalë me të njëjtin kuptim, tradhton synimin e tij të fshehtë për ushtrim dhune psikologjike e, pse jo, të ndonjë lloji tjetër (si më 21 janar, për shembull), ndaj institucioneve të zgjedhura apo të caktuara sipas ligjit dhe demokratikisht. E gjitha kjo, sepse ai do me çdo kusht pushtet, vetëm pushtet, asgjë tjetër veçse pushtet. Dhe e do atë në çast, aty për aty, sa të hapësh e të mbyllësh sytë, në sekondë, tik-tak, me një fjalë, e do tak-fak.
Tak-fak… Po sikur, në mënyrë krejt fantaziste, gati surrealiste, ta rishkruaja shprehjen tak-fak në një shqipe krejt të ndikuar nga anglishtja, siç është moda sot, le të themi… tuck-fuck, por duke ruajtur të njëjtin shqiptim si në gjuhën time amtare? Oh, mund të më kundërshtojë lexuesi im i vëmendshëm dhe i paanshëm, që me siguri e njeh anglishten e sotme shumë më mirë se unë, ku doni të dilni, zoti Tupja, me këtë lloj drejtshkrimi? Dhe do të vazhdonte: A e dini të paktën se cili është kuptimi i fjalës “tuck” në anglishte? Përgjigjja ime do të ishte: Sigurisht që di vetëm kuptimin e fjalës “fuck” (sepse folja “to fuck” ka kuptimin “ia fus dikujt” – po e them në mënyrë të zbutur që të mos skandalizoj sytë apo veshët e moralshëm të protestuesve ramistë, rameskë apo ramoidë), meqenëse, këto ditët e fundit, zoti Rama, nëpërmjet manovrimeve, qëndrimeve dhe, çuditërisht, kontradiktave të tij me vetveten në radhë të parë, të dytë e të tretë, po rreket t’ia “fusë” jo vetëm së djathtës, jo vetëm së majtës, por gjithë shqiptarëve, pa dallim partiak; veçse ai harron që “kush i bën gropën tjetrit, bie vetë” ose, thënë pak më ashpër, “kush ia fut tjetrit, ia fut vetvetes”. Këtë e ka provuar historia nëpër botë (me Musolinin, Hitlerin e Stalinin, ndër të tjerë), por edhe në Shqipëri (me Enver Hoxhën, për shembull). Kurse, deri para se ta hidhja në kompjuter këtë shkrim, nuk e dija as nëse ekzistonte fjala “tuck” në anglishte; për fat të mirë, nxitova të hapja “Fjalorin anglisht-shqip” të Pavli Qeskut (Tiranë, 2000), i cili më siguroi se intuita ime fantaziste apo thuajse surrealiste nuk më kishte gabuar: aty zbulova (faqe 1316-1317) se fjala “tuck” ekziston edhe si folje, edhe si emër. Si folje, ajo ka kuptimin 1. “përvesh (mëngët)”, pikërisht ashtu siç i ka përveshur zoti Rama në orvatjet e tij të dëshpëruara për të qëndruar sa më gjatë në krye të Partisë Socialiste dhe të Bashkisë së Tiranës; 2. “fsheh diçka”, pikërisht ashtu siç ia fsheh shumë gjëra zoti Rama Partisë dhe Bashkisë së tij, pale popullit shqiptar; 3. “ha me oreks”, pikërisht ashtu siç i ha zoti Rama gështenjat që i nxjerr nga zjarri me duart e deputetëve e të militantëve të tij të bindur. Nga ana tjetër, si emër, fjala “tuck” ka kuptimin 1. “ëmbëlsirë”, pikërisht ashtu siç e konsideron zoti Rama pushtetin, por me kusht që ta ketë vetëm ai në pjatë (kujdes nga diabeti politik!), aq më tepër që “tuck-box” në anglishte ka kuptimin “kuti ëmbëlsirash”, d.m.th., për zotin Rama, edhe kuti votimi, pse jo; 2. “rrapëllimë daullesh”, pikërisht si rrapëllima patetike, populiste dhe demagogjike e fjalimeve të zotit Rama; 3. “fuqi, energji” pikërisht si fuqia, energjia e frikshme që shpalos ai për t’i arritur synimet e tij po aq të frikshme; etj. etj., etj.
Së fundi, i premtoj zotit Rama, meqenëse ai e flet mirë, përveç anglishtes, frëngjishten e italishten, i premtoj, pra, se do të gjej një mënyrë a marifet që disa shprehje shqipe me shumë kripë aktualiteti t’i shkruaj sipas rregullave të drejtshkrimit francez apo italian para se t’i interpretoj, natyrisht me ndihmën e fjalorëve përkatës, ashtu siç sapo veprova me shprehjen shqipe “tak-fak”.
© Panorama.al












