Kryenegociatorja e Kosovës për bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, iu bashkua zërave që thonë se me mbështetjen e marrëveshjes së re, Serbia praktikisht ka njohur kufijtë dhe pavarësinë e Kosovës. “Me marrëveshjen e arritur në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë për menaxhimin e integruar të kufirit, e njohur si IBM, Serbia ka pranuar kufirin me Kosovën dhe se kjo marrëveshje rikonfirmon veprimin e 25 korrikut dhe vendosmërinë e qeverisë së Kosovës, për të shtrirë sovranitetin, sundimin e ligjit në pjesën veriore të munguar për një kohë të gjatë”, tha Tahiri në një konferencë për media. Tahiri shtoi se delegacioni i Kosovës në këto bisedime ka mbrojtur interesat e shtetit, Kushtetutën e Kosovës, ligjet e saj dhe parimet europiane për fqinjësi të mirë dhe stabilitet rajonal. Rëndësi e veçantë gjatë tri ditëve diskutime në Bruksel, i është dhënë edhe implementimit të plotë të të gjitha marrëveshjeve të arritura.
Veriu: Nis heqja e barrikadave, KFOR e mirëpret
Përfaqësues të KFOR-it kanë konfirmuar largimin e barrikadave në komunën e Zubin-Potokut, në Veri të Kosovës. “Ata kanë nisur të heqin barrikadat dhe ky është hap i madh përpara”, tha zëdhënësi i KFOR-it, Uve Novicki për REL. Mediat serbe raportuan se është arritur një marrëveshje mes serbëve dhe përfaqësuesve të KFOR-it për qarkullimin e lirë në rrugën Zveçan-Zubin/Potok, pikërisht në Jagnenicë, ku javën e kaluar KFOR-i u përpoq të hiqte barrikadën e vendosur nga serbët. Grupe serbësh kanë larguar të hënën pjesërisht një barrikadë dheu që ishte vendosur rreth 500 metra afër pikës kufitare në Jarinë, duke mundësuar kështu qarkullimin e automjeteve vetëm përmes një traseje të rrugës. Sipas “Kosovapress”, serbët të cilët udhëtojnë nga Kosova për në Serbi nga drejtimi i qytetit të Rashkës, kanë filluar ta përdorin këtë rrugë. Agjencia serbe “Tanjug” njoftoi se KFOR-i do të vendosë atje një pikë për kontrollin e automjeteve.











