
Nënkryetari i Grupit Parlamentar socialist, Sajmir Tahiri, akuzoi dje shoferin e Kryeministrit Berisha se ka marrë një leje miniere kromi në Bulqizë. Gjatë fjalës së tij në Parlament në debatin për kufizimin e imunitetit, Tahiri tha se duhen dënuar të pandëshkueshmit.
“Z. Berisha, a është shoferi yt, Mehmet Shkreli, që ka në pronësi një galeri për shfrytëzim kromi në Bulqizë? Çfarë lloj imuniteti ka shoferi yt përveç imunitetit personal që i jepni vetë ju, z. Kryeministër? Unë nuk di shofer të ndonjë Kryeministri në botë që të jetë dhe biznesmen e pronar minierash, por meqë ky qenka, kam dhe një pyetje të fundit: a i jep dhe rrogë shoferit tënd veç lejeve dhe licencave? Kjo është një ndër arsyet përse Kryeministri nuk i përgjigjet kërkesës insistuese të deputetëve të opozitës për interpelancë urgjente, edhe pse kanë kaluar mbi 5 muaj dhe Rregullorja është shkelur me të dyja këmbët. Ja, këta janë të paprekshmit, që bëjnë përshesh pasurinë e shqiptarëve e nuk kanë as guxim të vijnë t’i përgjigjen opozitës. Ja, kështu është çështja e korrupsionit, e imunitetit dhe, mbi të gjitha, e imunitetit personal që të jep Sali Berisha”, u shpreh Tahiri.
Sipas deputetit socialist, kompania që ka blerë shoferi i Kryeministrit ka pasur si objekt tregtimi mallra kozmetike dhe ushqimore. “Mehmet Shkreli blen nga znj. Dhurata S. 49% të aksioneve të kompanisë ‘Miti 03’. Kompania krijohet më 22 janar. Z. Shkreli i blen aksionet më 3 shkurt. Vetëm 5 muaj më vonë, kompania ku është aksioner dhe zotëria, pajiset me licencë për shfrytëzim kromi në Bulqizë. Pra, i bie që dhe shoferi i Saliut ka galeri kromi në Bulqizë. Vetë kompania ka për objekt veprimtarie kinkaleritë, kozmetikën, hidrosanitaret, materialet industriale dhe ushqimore, materiale ndërtimi, transportin, por ka bërë dhe një shtesë që, me sa duket, i ka hyrë në punë, ka shtuar objektin me energjetikën, nga energjia diellore, hidrike, minerare, ajrore etj.”, u shpreh Tahiri.
Duke shprehur dhe qëndrimin e PS për heqjen e imunitetit, Tahiri tha se kërkohet pavarësi e organeve të Drejtësisë. “Ne jemi për t’i dhënë pavarësi Prokurorisë. Jemi për t’u dhënë pavarësi gjykatave, që Drejtësia të jetë pronë e të gjithëve. Duam të shembim të paprekshmit, jo vetëm duke kufizuar imunitetin formalisht”, u shpreh Tahiri.
Aristir Lumezi
© Panorama.al











