Tirana e sezonit 2011-2012, është gati për t’u bërë nga e para, duke filluar nga pankina, e për të përfunduar te kontingjenti. Çështja e trajnerit po mban peng skuadrën bardheblu, pasi pikëpyetjet në këtë drejtim sa vijnë e shtohen. Emrat për zëvendësin e Mishos gjithashtu. Por, kandidati më potencial mbetet rikthimi i Sulejman Starovës. Ndonëse, nga ana tjetër, drejtuesit marrin në konsideratë edhe rastin më të keq. Vetë Halili në preferencat e tij ka edhe drejtorin teknik aktual, Alban Tafajin. Mirëpo, kjo lëvizje mund të ndodhë vetëm nëse “Bobi” nuk pranon ofertën e bërë publikisht në fillimjavë nga presidenti Halili. Një fakt të tillë e kanë konfirmuar për “Panorama Sport”, burime të sigurta pranë kreut të klubit. Pankina e 24 herë kampionëve, po kthehet në një çështje. Mendohet që kjo situatë mund të marrë zgjidhje ndoshta deri në fund të muajit maj. Pas zyrtarizimit të trajnerit të ri, do të nisin edhe projektet për grupin që do të përfaqësojë skuadrën sezonin e ri. Kjo për faktin se pjesës më të madhe të lojtarëve u kanë përfunduar kontratat dhe me gjasa do të largohen nga bardheblutë. Që do të thotë se skuadra do të mbetet thuajse pa kontingjent, duke qenë se vetëm 4 elementë janë zyrtarisht të Tiranës (që kanë firmosur kontrata 2-vjeçare), ndërsa për pjesën tjetër s’ka asgjë konkrete, duke qenë se ata janë në pritje për të hyrë në bisedime me drejtuesit për ndonjë rinovim të mundshëm. Ndërkaq, nga sa mësohet, kroati Krstiçeviç, ndodhet ende në kryeqytet dhe nuk dihet se kur do të rikthehet në Kroaci. Në fakt, një ditë më parë për gazetën tekniku deklaroi se do të largohej, pasi të takohet me presidentin dhe të mbyllë të gjitha hesapet me Tiranën.











