Këtë premtim bëri dje ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, në prag Ditës së Mësuesit. Duke përcjellë urimin për 50 mijë punonjës të arsimit shqiptar, ai theksoi se mbështetja për ta mbetet prioritet madhor i dikasterit që drejton. “Dyfishimi i pagave të mësuesve bëri që ky profesion sot të jetë pjesë e grupit të profesioneve më të kërkuara në Shqipëri. Edhe këtë vit, pra në vitin 2011, ne do të kemi sërish rritje të pagave të mësuesve e pedagogëve”, tha Tafaj. Ai shtoi se përpara disa muajve është shpallur profesioni i mësuesisë si profesion i rregulluar dhe e cilësoi këtë një hap vendimtar, që bëhet në rrugën e rritjes së cilësisë në arsim. “Ndërkohë, ka nisur reforma e studimeve universitare në fushën e mësuesisë, e cila synon përgatitjen e brezave të ardhshëm të mësuesve, sipas standardeve më të përparuara evropiane e më gjerë. U bëj thirrje maturantëve që përfundojnë maturën këtë vit, të zgjedhin degët e mësuesisë, si profesion të bukur, por edhe të vështirë, si profesion i cili është më shumë se sa profesion, një mision shumë fisnik”, u shpreh ministri në fjalën e tij. Ai nënvizoi se MASH-i do të mbështesë me projekte kualifikimin e vazhduar të mësuesve, në të gjitha nivelet e arsimit. Kjo me synimin që brenda dy-tri viteve të përfundojë kualifikimi i çdo mësuesi në arsimin parauniversitar, në fushën e teknologjisë së informacionit, në mënyrë që ata të jenë të përgatitur për të zhvilluar programet mësimore, mbështetur edhe në teknologjinë e informacionit. Tafaj u ndal edhe te pedagogët. “Profesorati shqiptar është autori i reformës më të thellë që ka ndodhur në arsimin tonë, ajo e ndryshimit të strukturës së kurrikulave, të mbështetur në standardet e procesit të Bolonjës. Kjo reformë është reforma më e thellë, jo vetëm për arsimin tonë të lartë, por është njëherazi reforma më e thellë e arsimit të lartë evropian në shekullin fundit”, tha ministri. Sipas tij, në kuadrin e Fondit të Ekselencës, synohet inkurajimi i çdo asistenti e asistenteje, madje edhe çdo pedagogu të ri, që dëshiron studimet e doktoratës e postdoktoratës, të aplikojë në këto programe.
“Synimi ynë mbetet një përgatitje dhe një kualifikim solid për brezin e profesoratit të ri të Shqipërisë, i cili do të përballojë sfidat e zhvillimit të arsimit të lartë shqiptar, tre-katër dekadat që vijnë”, tha ministri.
Tri ditë kohë për formularin A1
Afati i fundit i dorëzimit të formularit A1 në shkolla, është data 10 mars. Tashmë pjesa më e madhe e maturantëve e kanë plotësuar, ndërsa janë ende në kohë të gjithë ata që nuk kanë caktuar ende lëndët me zgjedhje. Pas 10 marsit, nxënësit nuk kanë të drejtë të bëjnë ndryshime të tjera në formularin A1. Për kandidatët që kanë mbaruar para vitit 2011, drejtori i shkollës ngarkon një mësues që do të luajë rolin e mësuesit kujdestar e që do të ndihmojë në hedhjen e të dhënave për notat e detyruara si dhe mesataren. Më shumë probabilitet për të shpallur fitues në universitete do të kenë ata maturantë, që do të përcaktojnë për provimet me zgjedhje lëndë që janë të ngjashme me profilin e shkollës së mesme, që kanë mbaruar. Kjo, pasi në procesin e llogaritjes së rezultatit final, vlera e koeficienteve do të jetë më e lartë për degët e të njëjtit profil me llojin e shkollës së mesme, sesa ato me natyra të ndryshme.
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











